Futbolli shqiptar në zi, ndahet nga jeta legjenda Panajot P

Diskutoni rreth ecurise , rezultateve , etj. të Kampionatit Shqiptar

Moderators: GOLDIAN, vllaznia1919

Post Reply
PARTIZANI
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 945
Joined: Fri, 18 May 2007 , 16:25
Location: ITALIA
Contact:

Futbolli shqiptar në zi, ndahet nga jeta legjenda Panajot P

Post by PARTIZANI » Tue, 19 Jan 2010 , 20:02

1.
Futbolli shqiptar në zi, ndahet nga jeta legjenda Panajot Pano


Autori: editor
Data: 19/01/2010
Version Print Version Print


Futbolli shqiptar në zi. 18 janari 2010 paskësh qenë dita e fundit e futbollistit më të mirë shqiptar të të gjitha kohërave, e legjendës së madhe e të papërsëritshme Panajot Pano. Zemra e “mbretit” të top-këmbës shqiptare ka pushuar së rrahuri atje larg, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku gjendej prej disa kohësh. Një lajm i kobshëm për futbollin shqiptar, i cili e ka “ulur flamurin në gjysmështizë”. Sepse, nëse Brazili krenohet me Pelen, Argjentina me Maradonën, ne shqiptarët kishim Panajotin tonë. I cili iku para kohe nga kjo jetë, në moshën 71-vjecare. Zemra e ka tradhtuar “lojtarin fluturues”, të cilin nuk kishte kundërshtar që ta markonte, pas një infarkti, duke na thënë të gjithëve “lamtumirë”. Legjenda shqiptare, më i njohuri në botë, Panajot Pano, para një viti, teksa mbushi të 70-tat, u dekorua me urdhrin “Nderi i Kombit” nga presidenti i Shqipërisë, Zoti Bamir Topi. Jeta e tij ka qenë vërtet intensive dhe me shumë ngjarje, që nuk harrohen.

Kush ishte Panajot Pano

Prindërit: Ai u lind në një nga shtëpitë tradicionale durrsake, diku rrëzë kodrës së Vilës së Zogut, më 7 mars 1939, nga prindër të ardhur nga fshatrat e Delvinës, Leftohori dhe Kakaviqi. Babai i Panajotit kishte nuhatje dhe dinte ta zgjidhte mirë jetën kudo. Shumë shpejt la Durrësin për të ardhur në Tiranë. Gjatë gjithë jetës së tyre treguan shembullin më të mirë para fëmijëve të tyre dhe bënë më të mirën. I edukuan që në radhë të parë të tregonin respekt për të tjerët. Kur Joti çamarroku kishte filluar të dallohej në futboll, e motra e tij ishte ndër nxënëset e para të Teknikumit të Fiskulturës.

Djemtë e Rrugës “Fortuzi”: Kur e kemi pyetur një herë Panon se a të pëlqen të të quajnë djali i Rrugës “Fortuzi”, ai ka reaguar jo qetë: “Mund të na quash “djemtë e Rrugës “Fortuzi”. Ndoshta ishte rastësi që familja “Pano” të blente shtëpi pikërisht në një nga zonat më sportive, që ziente nga zërat e fëmijëve dhe të rinjve, që luanin futboll. Ky ishte një fat për Jotin “e vockël” në fushën sportive. Që fëmijë, të marrësh edukatën fizike nga një figurë dhe specialist si Myftar Marku me shokë tek shkolla “Hasan Vogli”, vërtet është një rast i mirë për të shpalosur talentin. A kishte lindur Panajot Pano për futboll, apo e mësoi aty futbollin? E kemi pyetur në një rast për këtë. “Kam përfituar shumë nga djemtë e Rrugës “Fortuzi”, që nga vitet e fëmijërisë e deri tek të rinjtë. Më donin shumë, se luaja kudo: portier, mbrojtës, sulmues,” - kujton Joti. Ai që e “largoi” nga ekipet e rrugës ishte një figurë, që u bë shumë e njohur, qendërmbrojtësi, nga më të mirët në historinë e futbollit shqiptar, Skënder Halili (Merja). Duke folur për Panon fëmijë, inxhinieri i ndërtimeve, Luan Kuçi, që e njeh atë qysh kur luante me paratërinjtë e Tiranës, thotë: “Joti ishte një talent i lindur për futboll.”

Trajnerët: Kush e zbuloi Jotin? Zbulimet asnjëherë nuk i bëjnë trajnerët e njohur, se ata nuk janë në kontakt me fillestarët. Panajoti vlerëson Myftar Markun, mësuesin e fizkulturës tek “Hasan Vogli”: “Të gjithëve na pëlqente futbolli. Unë rrija gjithi ditën pranë fushës. Kur u mungonte ndonjëri, më fusnin edhe mua, shumicën e herëve si portier, sepse dihet që të gjithëve u pëlqente të luanin në sulm. Pastaj e provova edhe unë sulmin, provova dhe golin. Kur u rrita edhe pak, qendërmbrojtësi legjendar, Skënder Halili, që atëhere thirrej Skënder Merja, luante me të rinjtë e Punës së Tironës, më dërgoi tek ekipi i të rinjve. Xhavit Demneri ka qenë vërtet një profesor futbolli për seleksionime. Nga portier më kthen në mbrojtës të majtë, në një ndeshje miqësore me ekipin e parë të Spartakut të Tironës. Pjesën e dytë më thotë: Ti çun dil në sulm.”

Duke folur për këtë episod, inxhinieri i ndërtimit, Luan Kuçi, kujton: “Vetëm pak muaj pasi Panajoti kishte filluar në ekipin tonë, ai jo vetëm zuri vend në formacion, por ishte më i pëlqyeri. Një ditë, profesor Demneri shkon tek dyqani i tij i xhamave, ku grumbulloheshin shumë sportistë dhe tifozë të Tiranës, dhe u thotë gjithë qejf: Na ka ardhur një talent që do të bëhet e ardhmja e futbollit shqiptar.” E kështu, nga një dorë ustai, Panajot Pano kaloi në dorë të një ustai tjetër, Myslym Allës, i cili pa asnjë hezitim i dha atij vendin e duhur në formacion. Legjenda e tanishme e lidh atë çfarë ka dhënë në futboll me meritën që kanë pasur trajnerët e tij, vërtet me aftësi të veçanta profesionale, përmend të mëdhenjtë e stolit shqiptar, Rexhep Spahiun, Loro Boriçin, por edhe trajnerë të tjerë, po aq të njohur tek ekipet e tjera. Joti gjithnjë e përmend faktin e padiskutueshëm që futbollisti, kushdo qoftë ai, duhet të zbatojë atë detyrë që i ngarkon trajneri. I “kundërshtuar” apo sugjeruar për superstarin në ekip, vetë superstari shqiptar i shekullit na tha me një ngritje të zërit: “Trajneri është ai që vendos se si duhet të luhet. Ata janë strategët. Superstari është një nga 11 futbollistët gjatë 90 minutave. Aty dallohet trajneri, se si do të koordinojë repartet dhe individët brenda një reparti. Nuk mund të bëhesh lojtar i njohur pa pasur një trajner të mirë. Shikoni gjithë ekipet e mira. Të gjitha kanë trajnerë të mirë. Unë veçoj vlerën e Boriçit në ndeshjet ndërkombëtare, sidomos në disa përballje me ekipet kampione dhe kombëtaren e Gjermanisë.”

Bashkëlojtarët. Mosha 18-vjeçare e gjeti Panon nën rrobat e marinarit, dmth., të Partizanit. Me sa tregon tani Joti, Partizani ishte ekipi tij. E motra, ish-kampionia e hedhjes së shtizës, Kaliroi Pano, ishte ndër atletet e para te Partizani. Babai ishte drejtues i repartit të këpucëtarisë në Punëtorinë Ushtarake.

Përsëri “me fat” Panajoti. Te Partizani ai gjen ish-shokët e Rrugës “Fortuzi”, Gani Merjen, Robert Jasharin. Gjen një ekip krejt ndryshe nga 17 Nëntori. Gjen një ekip “kombëtar”, me lojtarë nga e gjithë Shqipëria. U prit me shumë bujë Panajot Pano te Partizani. Në bisedat që kemi bërë me “Mbretin”, ai përmend shokët e ekipit. Nuk lë kurrë mënjanë kundërshtarët. Java stërvitore para një ekipi rival të fortë ishte më e bukur se të tjerat. Shumë interesim, më shumë përgatitje, kërkesa dhe spektatorë. “Të luash me kundërshtarë të fortë, është një rast që të jepet ta provosh veten, - thotë Panajoti. - Të kishe përballë Skënder Merjen (Halilin), duhet të krijoje manovrime të reja dhe të vështira për ta kaluar.”

Ja çfarë kujton pala “kundërshtare”, kur kishin përballë Panon: “Shpërthimet e Panajotit ishin tepër të rrezikshme dhe të frikshme. Vërtet më dridheshin këmbët,” - na ka pohuar verën e kaluar ish-gardiani njohur i Dinamos dhe i kombëtares, Jani Rama, në Fort Loterdeill të Floridës. Në bisedat me shqiptarë nga e gjithë Shqipëria, këtu në Xheksonvill të Floridës, familja “Pano” ka rezidencën e saj. Panajoti përmend fatin e mirë të të pasurit në ekip të lojtarëve nga rrethe të ndryshme, të cilët sjellin karakteristike të ndryshme loje. “Tek Partizani, ashtu si edhe tek Dinamo, vinin lojtarë 18-19 vjeç. Me talent, por pa eksperiencë. Përgatiteshin nga trajnerë dhe në kushte shumë më të mira. Shumica e tyre shkonin nëpër rrethe, jo vetëm si titullarë, por ishin ata që na shënonin gol, apo na shkaktonin humbje. Shikoni statistikat që keni: çdo vit, skuadrat janë renditur më pranë njëra-tjetrës, në pikë dhe gola. Ne ishim kundërshtarë për ato 90 minuta, por miq për pjesën jashtë sportit.”

Duke folur për të vërtetën e këtij fakti, bashkudhëtar në të gjitha sportet, në një përshëndetje, ish-drejtori i Shkollës së Mjeshtërisë Sportive “Loro Boriçi”, Adem Agovi, në Xhaksonvill të Floridës, përforcon: “Prandaj Panajoti, nga një talent i lindur, është kthyer në një simbol, jo vetëm për futbollin, por për gjithë sportin. Ai ka qenë futbollist i klasit të lartë ndërkombëtar, por do të veçoj se është edhe një njeri vërtet miqësor, që tregon respekt për të gjithë. Ka pasur fat se ka pasur një grua si Rebeka, që i ndodhet gjithnjë pranë.”

Familja: Ka qenë një kryespecialist sporti, një ish-sportist i gjithanshëm, Petrit Qëndro, ai që bashkoi të pakapshmin Pano me Rebekën e bukur. Vitet treguan se Rebeka shpalosi në familje më shumë një amvisë të mirë se të bukur. Ajo që na ka bërë më shumë përshtypje te familja “Pano” është se ata të katër, Panajoti, Rebeka, Ledio dhe Nertila, e kanë një veti të përbashkët: ndershmërinë dhe personalitetin familjar e shoqëror! Panajoti, sapo ishte fejuar në dimrin e famshëm të dhjetorit të 1967-tës. Për gati 3 javë ka menduar vetëm për nderin e kombëtares së Shqipërisë, që ishte shkatërruar në Gjermani, 6-0. Rebeka edhe pse vetëm 17 vjeç, e ka “ushyer” me sensin e besimit. 3 javë pas barazimit historik 0-0 me Gjermaninë Perëndimore, natën e Vitit të Ri, bëjnë ceremoninë e martesës. Edhe pse tipa të ndryshëm, mbi 40 vjet shumë pranë njëri-tjetrit, tregon një fat të dyanshëm.

Simpatizantët: Mendoj se forca e sportit është shumë më e madhe se ajo e artit. Kjo vjen ndoshta ngaqë sporti përfaqëson një qytet, një shtet e deri tek një kontinent. Vetë sporti i ka vlerat gjithnjë te konkurrenca. Do të dalësh në “skenë” përballë një kundërshtari. Shikuesi është vetë një inkurajues dhe dekurajues. Mund të duartrokitesh, por mund të të thyhen edhe xhamat. Sporti i ka simpatizantët më besnikë dhe të përjetshëm. Thuhet se sporti është mbreti i fushave të jetës. Atletika njihet si “mbretëresha e sporteve”. Më shumë se dy dekada më parë, në një referim që po mbahej brenda KS “Partizani”, Panajoti i thotë njërit me zë pak të lartë: “Pyete… kush është “mbreti”. Vërtet që futbolli është “mbreti”. Ai shikohet nga dhjetëra-mijëra spektatorë, shumica e tyre tifozë. Me të dëgjuar, apo me të parë, sidomos futbollistët njihen në çdo skaj të çdo vendi. Disa nga ata që quhen superstarë njihen dhe respektohen më shumë, madje edhe nga kundërshtarët. Panajot Pano është njëri nga ata që njihet. Gjithnjë ka kaluar mirë me ta, edhe kur u ka shënuar, edhe kur u ka shkaktuar humbjet e hidhura. Mund ta kenë sharë në atë moment (Panajoti është revoltuar vetëm një herë në jetë me spektatorin), por pas ndeshjes mundoheshin ta takonin. Më kanë bërë përshtypje disa momente nga marrëdhëniet e Jotit këtu në Xheksonvill. Dëshirojnë ta takojnë të gjithë. Edhe ata që nuk kishin lindur, kur ai luante, tregojnë për të sikur ta kishin parë. Pse? Sepse e kanë dëgjuar nga prindërit. Panajoti është shumë i thjeshtë, i shoqërueshëm, korrekt dhe me një memorie për ta pasur zili.

“Spektatorët janë ata që i japin forcë lojtarit, qoftë edhe vetëm me praninë e tyre në stadium. Tifozët të detyrojnë të luash sa më mirë. Ndryshe nuk do të të ndjekin, nuk luhet pa praninë e tyre,” - shprehet Panajoti me shumë përkushtim për ata që janë “mushkëria” e një ndeshjeje. Spektatori në fushë dhe simpatizuesit në jetë i japin atë ajrin e duhur “zemrës” së tyre, siç quhen ekipet që adhurojnë.

Milioneri: Panajoti nuk është milioner në para, mendoj se i përket shtresës së mesme. E quaj të tillë, se ai është i njohur nga miliona shqiptarë kudo në botë. Eshtë e vështirë të gjesh njeri në Shqipëri, që të respektohet nga miliona njerëz. Miliona njerëz kanë mësuar lajmin e dekorimit të Panajot Panos me titullin më të lartë për kombin shqiptar, “Nderi i Kombit”, që akordoi të premten e kaluar Presidenti Bamir Topi. Shumë i emocionuar, legjenda e futbollit shqiptar, dha një mesazh nga thellësia e shpirtit të tij, teksa tha: “Më mirë të luaja një ndeshje ndërkombëtare, se sa të vija këtu”, dhe i mbytur në emocione, në ato pak fjalë që tha, nuk la pa përmendur ndihmën që kanë dhënë shokët e ekipit në sukseset e tij.

Titulli më i lartë i Shqipërisë, “Nderi i Kombit”, është më shumë se një milion dollarë! Panajot Pano është tashmë edhe zyrtarisht “Nderi i Kombit Shqiptar”. Presidenti Topi, me atë prezantim, me atë qeshje të tij shpirtërore, me atë qëndrim që të kujton një nxënës para mësuesit të vet më të respektuar, ka fituar zemrën e miliona njerëzve. Vërtet një President i popullit.





“Mbreti“ shqiptar Panajot Pano, 350 gola të shënuar në 23 vjet futboll

Ulur në lokalin “Kampionët” te stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”, mjeshtri i futbollit Panajot Pano duke parë dhe fotografitë e futbollit të vendosura në ambjentin e lokalit nis e tregon aventurën e tij në fushat e blerta, me kulmet e saj apo dhe me momentet e hidhura, por kur flet për dashurinë e tij të madhe, ai gjallërohet. Pesha e viteve që ka mbi supe zhduket dhe fjalitë gurgullojnë njësoj si me shpejtësinë e tij dribluese në fushë. “E kam filluar karrierën futbollistike që në moshën 13-vjeçare, duke qëndruar me disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar si: Sul Maliqati, Xhaf Merja, Gani Merja, Bert Jashari, Cuf Pelingu e shumë të tjerë. Si të gjithë fëmijët, kalonim orë të tëra duke luajtur futboll me moshatarët e mi të rrugës “Fortuzi”. Aty shikonim ata që luanin futboll dhe që na dhanë edhe ne seriozitetin e duhur për lojën. Madje, edhe në shkollën “10 Korriku”, në orën e fizkulturës, donim vetëm topin që të luanim. Por shpesh na bërtisnin mësueset, sepse iknim në orët e tjera gjithë djersë. Më vonë u bënë spartakiadat mes shkollave të Tiranës dhe ne dalim në finale me shkollën “Ali Demi”, e cila kishte në përbërje të saj lojtarë që më vonë u bënë emra të mëdhenj të futbollit, ku u mundëm 2-1. Më vonë, kaloj te skuadra e të rinjve të qytetit të Tiranës, sepse në atë kohë as Partizani, as Tirana e as Dinamo nuk kishin ekipe të rinjsh. Trajner kam pasur Xhavid Demnerin, një ndër trajnerët më të mirë të asaj kohe. Fillimet e mija i pata si portier, por ishte një periudhë fare e shkurtër. Dy javë më pas, në një ndeshje miqësore me Partizanin, na mungonin disa lojtarë dhe unë u aktivizova si sulmues i djathtë. Luajta shumë mirë dhe trajneri më tha se do të luaja gjithmonë në atë rol. Me të rinjtë e qytetit të Tiranës aktivizoheshin Bakalli portier, Skënder Halili, Naim Balla, Stefan Pavli e të tjerë. Atë vit bëmë një paraqitje të mirë, por u mundëm në finale nga ekipi i të rinjve të qytetit të Durresit. Një nga ata dy gola e shënova unë. “Në vitin 1957, nga gjithë ai grup lojtarësh me ekipin e të rinjve të qytetit, 7-8 lojtarë kaluan me ekipin e Tiranës, që atëhere quhej Puna e Tiranës. Luajtëm në Kupën e Republikës, ku u eleminuam nga Besa e Kavajës në gjysmëfinale. Në vitin 1958, filloj si titullar me Punën, si sulmues i krahut të majtë. Dyshe sulmuese isha unë dhe Skender Halili. Atë vit, ne zumë vendin e dytë pas disa vitesh që Puna lëkundej mes vendeve 3-5. Gjithashtu, luajtëm Kupën e “Zërit të Popullit”, ku merrnin pjesë katër ekipe, tre skuadrat e Tiranës dhe Kavaja. Kupën e fituam ne. Ne mundëm në finale Partizanin 3-2, ku unë shënova një gol. Ishte hera e parë që Tirana fitonte me Partizanin. Pas Kupës, filloi kampionati dhe unë luaja në krahun e majtë. Ndeshjet më të bukura ishin ato ku përplaseshin tre ekipet e kryeqytetit. Po këtë vit, Puna e Tiranës luan tri ndeshje në Bashkimin Sovjetik. U mundëm në Odese 1-0, u mundëm nga Kishinievi i Moldavisë 2-1 si dhe nga Lokomotiva e Moskës 4-1. Atë gol e shenova unë. Në kampionatin e vitit 1959, ne zumë vendin e tretë, pas Dinamos dhe Partizanit”.



Panajot Pano, pasaporta

Emri: Panajot

Atesia: Thoma

Mbiemri: Pano

Datelindja: 7 mars 1939

Vendlindja: Durrës

Tituj sportiv: “Mjeshtër sporti”, “Mjeshtër i Merituar”, “Nder i Sportit Shqiptar”

Klubi: SK Tirana, Partizani, Dinamo

Aktivizuar: Me të rinjtë e Tiranës 1955-57, Puna e Tiranës 1957-59 (të rritur), Partizani 1960-75, Dinamo 1962 (për Kupën Ballkanike)



Trofe:

1957 - Kampion me të rinjtë e “17 Nëntorit”.



1960 - Golashënuesi më i mirë i kampionatit.

1961 - Kampion kombëtar me Partizanin, fitues i Kupës së Shqipërisë, golashënuesi më i mirë i kampionatit.

1963 - Kampion kombëtar me Partizanin, medalje argjendi në turneun e Ushtrive të Vendeve Socialiste.

1964 - Kampion kombëtar me Partizanin, fitues i Kupës së Shqipërisë.

1966 - Fitues i Kupës së Shqipërisë.

1967 - Fitues i Kupës së Shqipërisë.

1970 - Fitues i Kupës së Shqipërisë, fitues i Kupës Ballkanike midis klubeve, golashënuesi më i mirë i kampionatit.

1971 - Kampion kombëtar me Partizanin.

1973 - Fitues i Kupës së Shqipërisë.

5 herë fitues i anketës të “Sporti Shqiptar” (10 sportistët më të mirë të vitit),

2000 - Fitues i anketës “Sportisti më i mirë i shekullit”, fitues i anketës së gazetës “Sporti Shqiptar”: “11-shi më i mirë i historisë së futbollit shqiptar”, “11-shi më i mirë i 50 dhe i 55 kampionateve kombëtare”.

1979 - Kampion kombëtar, si zv/trajner me Partizanin.

1980 - Fitues i Kupës së Shqipërisë, si zv/trajner i Partizanit.

1981 - Kampion kombëtar, si zv/trajner me Partizanin.



Dekoratat: Urdhri i Artë “Mjeshtër i Madh”, Urdhër Pune i klasit 2, Urdhri “Naim Frashëri i klasit 3,2,1?, Urdhri i Artë “Naim Frashëri”, medalja “Urdhëri i Meritës” për 100-vjetorin e FIFA-s.

I zgjedhur: Më 1999 president nderi i Partizanit, më 2002 president nderi i FSHF-së.



- Hobi: muzika popullore shqiptare dhe ajo greke.

- Idhulli: si futbollist, Pele; si skuadër, Gjermania.

- Gjendja sociale: i martuar me Rebekën, ekonomiste; baba i dy fëmijëve: Ledio, ish-futbollist, që u aktivizua në kampionatin shqiptar dhe atë grek, por edhe në kombëtaren shqiptare; Nertila (vajza) ka mbaruar Fakultetin Ekonomik, e martuar, jeton në Amerikë.

- Karriera si futbollist: e filloi në vitin 1954 dhe e mbylli në maj 1975.

- Trajnerët që e kanë stërvitur: A.Karapici (në moshën 14-15 vjeçare), Xh.Demneri (16-17), M.Alla (18-19), R.Spahiu (trajneri i parë te Partizani), L.Boriçi, R.Resmja, K.Kraja, B.Birçe, I.Shuke, Z.Konçi (trajneri i parë me kombëtaren), Bolanesku (rumun).

- Ndeshja e parë zyrtare me të rinjtë e Tiranës: ndaj të rinjve të Peshkopisë, 18 korrik 1956, për kampionatin kombëtar.

- Goli i parë i karrierës me të rinjtë: ndaj Kukësit, 5 gusht 1956

- Ndeshja e parë me të rriturit: ndaj Besës, në vitin 1957, për Kupën e Shqipërisë, me fanellën e 17 Nëntorit (Tiranës).

- Ndeshja e parë në kampionatin kombëtar: me 17 Nëntorin, më 4 maj 1958, ndaj Dinamos (4-0). Pano shënon dhe golin e tij të parë.

- Ndeshja e fundit, si futbollist i 17 Nëntorit: ndaj Besës, më 9 dhjetor 1959 (4-2), ku ka shënuar golin e fundit për bardheblutë.

- Ndeshja e parë me Partizanin: më 14 shkurt 1960, ndaj Dinamos (3-0), ku dhe ka shënuar golin e tij të parë për të kuqtë.

- Ndeshja e parë ndërkombëtare me Tiranën: ndaj skuadrës sovjetike “Krahët e Sovjetëve” (Kujbishev), në vitin 1957.

- Ndeshje si përforcues me 17 Nëntorin: më 6 mars 1960, ndaj rusëve të Admiraltejec; më 28 gusht 1969, ndaj Standart Liezh (Belgjikë)

- Ndeshja e parë ndërkombëtare me Partizanin: mars 1960, ndaj Nojebrandenburg (e fituar 3-2), në turneun në RDGJ.

- Goli i parë i karrierës: ndaj Besës, më 1957, për Kupën e Shqipërisë.

- Goli i parë në takime ndërkombëtare: ndaj Moldava të Kishinjevit, në turneun e 17 Nëntorit në BS, në vitin 1958.

- Goli që i ka sjellë më shumë kënaqësi e sukses: ai i shënuar ndaj Dinamos, në vitin 1961, në finalen me dy ndeshje, që zgjati 242 minuta. Ky gol e shpalli Partizanin kampion, titulli i parë dhe për Panon.

- Goli më i bukur: i shënuar ndaj kombëtares së Danimarkës (1963).

- Më tepër gola në një ndeshje: 4 ndaj Vllaznisë së Shkodrës; në takimet ndërkombëtare, ka shënuar 3 gola ndaj Forverts të Berlinit, në turneun e Vietnamit.

- Hidhërimi më i madh: kur, nga një distancë fare pranë portës së boshatisur, nuk mundi të shënojë ndaj Torinos, në një ndeshje për Kupën e Kupave, në “Qemal Stafa” (1968)

- Gola nga distanca mbi 20 metra: ndaj Olimpikes bullgare, Vakerit, Advidabergut, ndërsa ndaj Vllaznisë mbetet ndër më të bukurit.

- Penallti të humbura: vetëm tri gjuajtje nga 11-metërshi.

- I përjashtuar nga gjyqtari: dy herë.

- Ndeshja e lamtumirës: Partizani -17 Nëntori, më 23 maj të vitit 1975.

- Titulli i parë kampion kombëtar: me Partizanin, në vitin 1961.

- Kupa e parë e Shqipërisë e fituar: me Partizanin, në vitin 1961.

- Numri i fanellës: 10.

- Ndeshja e parë me ekipin kombëtar: më 24 qershor 1963, me Danimarkën në Kopenhagen (0-4).

- Ndeshja e fundit me kombëtaren: më 7 nëntor 1973, ndaj përfaqësuese kineze.

- Më shumë gola në takime ndërkombëtare: në vitin 1963 (11).

- Gjithsej gola në takimet ndërkombëtare: 34

- Skuadra e huaj, me të cilën është ndeshur më tepër: me Fenerbahçen 7 herë (3 herë më 1961 me Partizanin, 2 herë me Dinamon në vitin 1962 dhe 2 herë me Partizanin në vitin 1967).
FORCA DEMAT E KUQImage

GOLDIAN
Kuqeblu Perjete
Kuqeblu Perjete
Posts: 7305
Joined: Sun, 02 Jul 2006 , 18:14
Skuadra: vllaznia
Location: perjashtuar nga forumi

Re: Futbolli shqiptar në zi, ndahet nga jeta legjenda Panajot P

Post by GOLDIAN » Tue, 19 Jan 2010 , 21:22

ngushellime familjes pano
i perjetshem qofte kujtimi i tij
i perjashtuar

Man in Redblue
Moderator
Moderator
Posts: 3865
Joined: Mon, 30 Oct 2006 , 13:48
Location: My heart is where my home is

Re: Futbolli shqiptar në zi, ndahet nga jeta legjenda Panajot P

Post by Man in Redblue » Tue, 19 Jan 2010 , 23:19

kur lexon njri se ca kan than legejnda te futbollit botnor per te, si psh Beckenbauer, mund te thush vetem qe futbollistat e sotem shqiptar nuk jan 1% i atyne si Pano, Boroci etj

Ngushllime !

fpjalmi
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 11278
Joined: Sat, 09 Feb 2008 , 13:32
Skuadra: Ajax Vllaznia
Location: Amsterdam Holland

Re: Futbolli shqiptar në zi, ndahet nga jeta legjenda Panajot P

Post by fpjalmi » Wed, 20 Jan 2010 , 00:57

ngushellime familjes pano .



edhe ne nji televozor amerikan e kishin permend si nder futbollistat ma te mire ne shqipni

Ledi1920
Fanatics
Fanatics
Posts: 1410
Joined: Fri, 21 Nov 2008 , 15:34
Skuadra: Tirona,Bayern
Location: Tiron

Re: Futbolli shqiptar në zi, ndahet nga jeta legjenda Panajot P

Post by Ledi1920 » Wed, 20 Jan 2010 , 09:52

mgjth kupola kuqe na e mori sic merte tek ju,tek ne e tjeterkund duhet me e pranu se ka qene lojtar i madh edhe legjendat nuk vdesin kurre

ngushellime familjes
Image

Skodrinon
Administrator
Administrator
Posts: 4726
Joined: Sun, 16 Dec 2007 , 20:09
Location: ITALI

Re: Futbolli shqiptar në zi, ndahet nga jeta legjenda Panajot P

Post by Skodrinon » Wed, 20 Jan 2010 , 20:58

Ngushllime fameljes Pano dhe te afermve

REINIS
Fanatics
Fanatics
Posts: 538
Joined: Tue, 24 Feb 2009 , 21:19
Location: TIRON, ku tjeter?

Re: Futbolli shqiptar në zi, ndahet nga jeta legjenda Panajot P

Post by REINIS » Wed, 20 Jan 2010 , 23:29

Ngushellime familjes!
NUK KA MO KAMPIONATE
AS KUPA REPUBLIKE
HIKU, HIKU KOHA E BYROS POLITIKE
(per dinamon, partizonin)

Edmond-Cela
I lindur KuqeBlu
I lindur KuqeBlu
Posts: 3657
Joined: Wed, 10 Nov 2004 , 15:12
Location: angli
Contact:

Re: Futbolli shqiptar në zi, ndahet nga jeta legjenda Panajot P

Post by Edmond-Cela » Thu, 21 Jan 2010 , 00:55

ngushllime, me te verten pano do jet nje figur e pa harruar e futbollit shqiptar. nje legjend qe rradh do i ket nje shtet
Pa Buk e Uje Rri, Por Pa Vllaznian Nuk Mund Te Rri.


Image

[/color]

Post Reply