Mbrojtësi lezhjan i kuqebluve bën fajtor gjyqtarin e takimit për mosarritjen e fitores me Partizanin
Në ndeshjen e së dielës kundër Partizanit, lezhjani Alcani ka luajtur me shumë dëshirë. Jo për ndonjë "hakmarrje", por sepse ka dashur të tregojë se ka vlera si futbollist. Ndoshta edhe për të mbyllur ndonjë iluzion të krijuar se nuk gëzon formë të mirë fizike. Megjithatë, barazimi kundër të kuqve, përveç lojës së mirë të ekipit shkodran, nuk ka kënaqur askënd, duke përfshirë këtu edhe Alertin, i cili mendon se Vllaznia duhej ta fitonte këtë ndeshje. Ndër arsyet që e penguan për të dalë me tri pikë nga "Qemal Stafa", mbrojtësi kuqeblu përmend: "Natyrisht, një barazim me Partizanin nuk është pak, sepse kemi të bëjmë me një skuadër jo dosido. Por nga mënyra si luajtëm, mendoj se duhej të ishim larguar me fitore nga Tirana. Ai që na pengoi për të arritur këtë ishte pikërisht gjyqtari. Kuptohet, kur flitet për të, nuk është se ai shkoi dhe bëri gol në portën tënde, por me disa veprime të tjera u bë protagonist. Dy penalltitë që nuk u dhanë në favorin tonë, ajo e dhënë kundër nesh, apo dhe ndëshkimet e shumta me kartonë, të bëjnë të mendosh se gjithçka ishte kundër nesh. Megjithatë, e përsëris, një pikë deri diku na kënaq, pasi e morëm jashtë fushës sonë dhe përballë një kundërshtari të vështirë." Kundër ishskuadrës së tij, Alcani ka bërë një prezantim të mirë, ashtu si të gjithë lojtarët e tjerë të repartit difensiv të shkodranëve. Vetë mbrojtësi lezhjan e pranon që me kalimin e javëve mbrojtja e Vllaznisë ka ardhur duke e rritur lojën e saj dhe, për rrjedhojë, nuk konsiderohet më reparti më problematik i ekipit. "Në ndeshjen kundër Partizanit, ne si mbrojtje besoj se e bëmë si duhet detyrën tonë. Së bashku me Telin dhe Krajën kemi fituar më tepër siguri në lojën tonë, duke e ndihmuar ekipin të jetë më i qetë në lojën e tij. Si faktor pozitiv në ndeshjen e fundit do të evidentoja edhe lojën e brazilianit Junior, i cili, duke luajtur para mbrojtjes, na jepte më tepër mbështetje, duke qenë një pengesë për sulmet e kundërshtarit," thotë më tej Alcani. Ky i fundit, ndërkohë, vazhdon të besojë se ekipi ka ende forca më tepër për të shkuar edhe më lart në renditje. Për t'ia arritur kësaj, natyrisht që duhet një fitore në ndeshjen e radhës kundër Elbasanit. Me portokallinjtë mbyllet në njëfarë mënyre seria e ndeshjeve me "më të fortit e kampionatit" dhe për rrjedhojë në "Loro Boriçi" nuk duhet llogaritur rezultat, tjetër përveç fitores. Një objektiv i tillë nuk do të jetë i lehtë për t'u arritur, por konsiderohet detyrë për kuqeblutë. Kështu të paktën mendon mbrojtësi Alert Alcani, i cili në fund të prononcimit të tij për "Sportin shqiptar" do të shprehej: "Normalisht, ne kërkonim tri pikët edhe në ndeshjen në trasfertë kundër Partizanit dhe jo më të mos i kërkojmë në fushën tonë këtë javë, kur do të ndeshemi me Elbasanin. Ne e dimë që është një nga ekipet më në formë të kampionatit, por, megjithatë, nuk do të heqim dorë nga objektivi për të marrë tri pikë të shtunën."
Alcani: Vllaznia meritonte më tepër se barazimin
-
- Webmaster
- Posts: 5601
- Joined: Wed, 24 Nov 2004 , 03:41
- Skuadra: Vllaznia
- Location: Loro Boriçi
- Contact: