Kampionati italian

Ketu mund te diskutoni mbi kampionatet e huaja si kamponati Italian,Gjerman,Anglez, Spanjoll, etj.
Post Reply
piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Mon, 04 Apr 2005 , 16:10

Adresat e Milanit dhe Interit shkruajne nje fraze,Juve dhe Samp e pershendesin ngrohtesisht.



Futbolli perkujton Papa Gjon Palin II



Shume deshperim ne gjithe boten per vdekjen e Papa Gjon Palit II.Sporti italian eshte ndalur ne nderim te Tij dhe te gjithe kane dashur ta kujtojne.Nje pjesemarrje e te gjitha skuadrave te kampionateve italiane.Duke filluar me Atalanten qe kishte venosur nje foto me Papen qe ishte bere ne vitin 1997,kur Papa kishte takuar ekipin.Fiorentina bashkohet me dhimbjen e gjithe katolikeve ne bote me nje komunikate te shkurter.

Interi e kujton me nje fraze qe Papa pati thene me rastin e Jubileut te sportistave me 29 tetor 2000. “Deshiroj qe te promovoj nje sport qe te ndihmoje te dobetit dhe te mos perjashtoje askend,qe te liroje te rinjte nga apatia dhe indiferenca dhe te fuse ne ta nje agonizem te shendoshe;nje sport qe te jete faktor emancipami per shtetet e varfera,qe te ndihmoje qe te fshije intolerancen dhe ndertoje vllazerine ndermjet popujve dhe te kontribuoje per te dashur jeten.”


Edhe Milani e kujton: “Sporti rrezikon ta degradoje njeriun nqs nuk bazohet ne virtytet e njerezimit dhe te se drejtes.Sporti i eshte finalizuar njeriut,jo njeriu sportit.Edhe kampioni me i madh ka nevoje per driten e Krishtit.”Juventusi e pershendet me nje fraze te ngrohte “Lamtumire Ati i Shenjte”.

Lazio qan humbjen e apostulli qe ka kthyer historine e njerezimit drejt mesimeve te Zotit.Livorno merr pjese me gjithe boten e sportit ne dhimbjen per vdekjen e Shenjterise se Tij Papa Gjon Pali II.
A.S.Roma bashkohet me lutjen e gjithe botes ne kujtim te Tij.Sampdoria e pershendet miqesisht: “Mirupafshim Karol”,ashtu si Torino,Genoa ,Parma etj.

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Tue, 05 Apr 2005 , 16:50

Kapiteni tregon se prekja e Atit të Shenjtë, ka pasur një ndikim të madh pozitiv në jetën e tij


Toti: Papa Gjon Pali II më ka bekuar




Kapiteni i Romës, Françesko Toti, e kujton me mallëngjim Papën Gjon Pali II, duke cituar një ngjarje të fëmijërisë së tij: "Isha i vogël dhe kisha vajtur ta takoja me të gjithë shokët e shkollës, - rrëfeu Toti. - Në fund të ceremonisë, ai u kthye prapa për të më prekur ballin dhe për të më puthur. Kam menduar gjithnjë se ishte njëfarë bekimi, një shenjë e fatit: dhe duke gjykuar nga rezultatet, s'do të rresht kurtë së falënderuari". Kapiteni i Romës, një katolik praktikues, ka dashur të përmendë rëndësinë që Ati i Shenjtë ka pasur në jetën e tij, duke rrëfyer edhe emocionin që ndjeu të shtunën mbrëma në çastin e vdekjes: "Feja është tepër e rëndësishme në jetën time. Ajo është pjesë e imja dhe e familjes sime, dhe për mua Papa ka përfaqësuar gjithnjë njeriun e Zotit, sikurse na mësojnë në kurset e katekizmit. Të premten mbrëma, mamaja ime u lut për të dhe unë, - ndiej drithërima kur e kujtoj, - të shtunën mbrëma, ndërsa shkoja në qendër, ndryshova rrugë dhe shkova në sheshin e Shën Pjetrit me vëllain tim dhe disa miq, për të qenë sa më pranë Papës. Kur mbërrita, po lajmëronin për vdekjen e tij. Ishte njëlloj sikur koha të kishte ndalur gjithçka rreth e rrotull. Ra një heshtje fabulash, nuk dëgjohej asnjë mërmërimë". Më pas, sulmuesi verdhekuq rrëfeu disa episode personale që e lidhin me Atin e Shenjtë: "Gjon Pali II është i vetmi Papë që kam njohur. Kam pasur fatin ta takoj disa herë. Hera e parë ishte në shkollën fillore, së bashku me fëmijët e tjerë të shkollave të rajonit të Lacios, në sallën Nervi. Në fund të ceremonisë, ai u kthye prapa dhe më preku ballin. Që atëherë ndjeva emocione dhe energji. Kam menduar gjithnjë se ishte një lloj bekimi dhe duke gjykuar nga rezultatet, s'do të rresht kurrë së falënderuari. Por diçka s'do ta harroj kurrë: vështrimi dhe shkëlqimi i tij ishte i pandryshuar edhe kur e takova pas shumë vitesh me rastin e Jubileut. Të njëjtët sy dhe të njëjtën forcë. Mund të duket absurde, por edhe kur e shihja vitet e fundit të vuajtur gjatë një udhëtimi apo gjatë një "Via Crucis", mua vazhdonte të më dukej i fortë si herën e parë. Ndoshta sepse për mua ishte në të njëjtën kohë një simbol i larmishëm dhe një njeri familjar. Dua të jem i pranishëm për t'i dhënë lamtumirën e fundit dhe për ta falënderuar sërish për shembullin e tij, për mësimet e tij..., dhe për atë dorë mbi ballë."

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Thu, 07 Apr 2005 , 11:51

Vjollcët duket se kanë arritur një marrëveshje për drejtorin e ri sportiv që vjen nga Leçe



Fiorentina zgjedh Korvinon si drejtues




Zërat e merkatos e bëjnë tashmë fakt të kryer marrëveshjen për sezonin e ardhshëm, mes Fiorentinës dhe drejtorit sportiv të Leçes, Panteleo Korvino. Emërimi do të zyrtarizohet vetëm në fund të këtij kampionati. Me Dino Zofin trajner, i destinuar për një të ardhme si drejtues, nuk përjashtohet mundësia që Korvinoja do të provojë të sjellë në Firence një nga teknikët më të famshëm në Itali, Zdenek Zemanin. Trajneri bohem, me një përvojë të madhe me skuadrat e Serisë A dhe B, do të rigjente kështu në klubin vjollcë sulmuesin bullgar 19-vjeçar, Valeri Bojinov. Sipas "radiomerkatos", në të vërtetë tekniku i Leçes duket se është më afër Romës, ku përndryshe do të transferohet drejtori sportiv aktual i vjollcëve, Fabricio Lukezi. Dhe në këtë pikë, në stolin e Fiorentinës mund të ulet Çezare Prandeli ose Luçiano Spaleti (aktualisht tek Udineze). Havier Maskerano, në merkaton vjollcë. Mesfushori 20-vjeçar që luan te River Plejti, është objekt dëshirash për shumë klube. Në plan të parë është Fiorentina. Një nga premtimet më të mëdha të futbollit argjentinas është një mesfushor krahu, i pasur me një vizion të jashtëzakonshëm loje. Lojtari, që mes të tjerave është i pajisur edhe me pasaportë italiane, është propozuar nga sipërmarrësi i tij për të gjetur klubin e padronit, Dela Vales. Çmimi është i pranueshëm tani që akordi për kalimin e tij te Korinthiansi është në përfundim. Fiorentina, ish-skuadra e patriotit të tij Batistuta, mund ta përvetësojë lojtarin afërsisht me shifrën 10 milionë euro.

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Thu, 07 Apr 2005 , 11:52

Kiliano pritet të jetë përforcimi i parë për mesfushën. Ndërsa dje argjentinasi ka rinovuar deri më 2009-n


Roma synon Pizarron dhe "blindon" Kufren



Kontrata për të rinovuar, kontrata për të riaktivizuar. Ndërsa Bruno Konti dhe Sela po mendojnë për ndeshjen e së dielës ndaj Udinezes, Roma po shikon drejt së ardhmes. Po afron ora e merkatos, në kuptimin që është momenti për të shtrënguar "dhëmbët", që të përforcohet organika. Klubi verdhekuq e di se në cilin repart duhet të plotësohet skuadra, para së gjithash nga krahët, në mbrojtje dhe mesfushë. Me siguri nuk do të mjaftojë rikthimi i Bonanit dhe blerja e Tadeit. Duhet të paktën një mbrojtës, duke parë të sigurtë largimin e Ferrarit dhe duke mos pasur sigurinë e konfirmimit të grekut Dellas. Ëndrra në repartin e tërhequr është braziliani Felipe, qendërmbrojtësi 19-vjeçar i Udinezes, në shënjestër edhe të Milanit, edhe pse janë për t'u vlerësuar pozicionet e dy lojtarëve, aktualisht në organikë te Parma, Ferroneti (në bashkëpronësi) dhe Bovo (në bashkëpronësi, por me Palermon). Ndër të tjera nevojitet edhe një portier me përvojë, për t'ia bashkangjitur të riut Kurçi (në bashkëpronësi me Palermon). Anxhelo Peruci është objektivi i parë, por qarkullojnë edhe emra të tjerë. Megjithatë, sforcimi duhet të përqendrohet te "kabina e regjisë", rol që tani për tani është i zbuluar. "Fluturuesi", siç e thonë amerikano-jugorët, lojtar i aftë për të qarkulluar topin dhe për t'i dhënë cilësi dhe ide skuadrës. Objektivi është David Marselo Pizarro, kiliani i Udinezes, që i mbush 26 vjeç në shtator dhe që kërkon të largohet nga klubi friulan. Në sezonin e kaluar, fantazisti amerikano-latin ishte pranë kalimit te Lacioja, por tani ka shumë mundësi të përfundojë në Trigoria. Për këtë qëllim po punon drejtuesi i klubit, Prade. Pizarroja është mes mesfushorëve më të parapëlqyer të kapitenit Totit. Udineze paska kërkuar një këmbim teknik (përveç shumës ekonomike që është për t'u zgjidhur), Akuilanin. Sidoqoftë, Roma nuk kërkon ta shesë mesfushorin e ri. Në merkato, mes mesfushorëve titullarë është vetëm francezi Dakurt, që mendohej të largohej nga klubi romanist gjatë këtij sezoni. Por klubi friulan mund të kënaqet edhe me ndonjë tjetër lojtar të ri e premtues. Ndërkohë, një ofertë ka ardhur nga Barcelona gjithnjë për mesfushën dhe bëhet fjalë për Zherardin. Mesfushori që sapo i ka mbushur 26 vjeç, tani është rikthyer të stërvitet me katalanasit pas një dëmtimi të gjatë. Por spanjolli parapëlqen të luajë pas dy sulmuesve, ndaj nuk është elementi i duhur që i shërben Romës. Zherardit, që i skadon edhe kontrata këtë sezon, i është afruar orët e fundit edhe Fiorentinës. Leandro Kufre do ta veshë fanelën verdhekuqe deri më 30 qershor 2009. Zgjatja e kontratës është pohuar nga klubi verdhekuq, përmes një komunikate në internet: "Në bazë të përshtatjes së strategjisë së vlerësimit të "parkut" të lojtarëve, - lexohej në komunikatë, - klubi i Romës komunikon se ka arritur një marrëveshje për zgjatjen dhe përshtatjen e kontratës ekonomike me futbollistin Leandro Damian Kufre, që do ta veshë fanelën verdhekuqe deri më 30 qershor 2009. Marrëveshja do të jetë 4-vjeçare dhe parashikon që lojtari të fitojë 2 milionë euro në sezon, sipas vlefshmërisë së kontratës".

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Sat, 09 Apr 2005 , 11:14

Stam: Sa mirë që nuk zgjodha Interin!




Nëse Emre është penduar që ka zgjedhur Interin dhe jo Milanin, ai që nuk do të kthehej i sigurtë në hapat e tij është Jap Stam. Mbrojtësi zbulon disa të fshehta nga e kaluara e tij. "Kur ndodheshim të dy tek ekipi i Lacios, - rrëfen holandezi, - Mançini ma përsëriste shumë herë që do të ishte më mirë sikur të shkoja tek Interi, por më duket se zgjedhja ime ka qenë më e mirë. Nuk ka qenë e vështirë të vendosja, Milani është një nga skuadrat më të mira në botë". Mbrojtësi që ka shënuar të mërkurën golin e parë kundër zikaltërve në sekondat e fundit të pjesës së parë, është rikthyer mëse në formë pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në thembrën e "Akilit". Ai tashmë ka bindur ata, të cilët ende dyshonin për fushatën e blerjes kuqezi të muajve të kaluar. "Më duhet t'i jap të drejtë Alberto Zakeronit - u shpreh Galiani, përsa i përket çështjes për përvetësimin e Stamit, - si trajner i Lacios, më tregonte shumë për këtë lojtar". "Kam fatin të stërvis mbrojtjen më të fortë në botë", - i përgjigjet tekniku Ançeloti, edhe pse tani ajo e ekipit kuqezi është vetëm një entuziazëm që duhet përmbajtur. Ai e hedh fjalën diku gjetkë, në fakt për atë që ka ndodhur një vit më parë kundër Deportivo La Korunjës

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Sat, 09 Apr 2005 , 11:16

Rikthehet në fushë pas një dëmtimi dhe sot do të ritakojë skuadrën që e dëboi nga Torino


Mikoli, mes hakmarrjes dhe nostalgjisë




Mikoli nuk do të mungojë në takimin ndaj ish-"Zonjës" së tij. Kështu të paktën ka lënë të kuptojë vetë "bomberi" i Fiorentinës, edhe pse vendimin pritet ta marrë Zofi, që gjithsesi e ka grumbulluar shtatshkurtrin. Sulmuesi, që dy javë më parë kundër Interit pësoi një dëmtim në thembrën e "Akilit", sot në "Franki" kërkon të jetë me çdo kusht, edhe "part-time". Udhëheqësi i madh i Fiorentinës, që javën e shkuar vuante nga një dëmtim në prag të ndeshjes me Juven (javë që do të luhet sot dhe nesër), sot në "Artemio Franki" sigurisht do të jetë, edhe pse ish-trajneri i kombëtares "axurre" ndoshta nuk do ta aktivizojë që nga minuta e parë. E gjithë Firencja e pret këtë takim prej katër vjetësh dhe sulmuesi puljez nuk kërkon të zhgënjejë. Kësisoj, pavarësisht nga rezistenca e mjekëve për dëmtimin e pësuar dy javë më parë në "San Siro" ndaj zikaltërve, ish-numri 9-të bardhezi ka zgjedhur të jetë, duke i lënë pas rreziqet e dëmtimit në thembër, që do të mbulohet me fashoja. Nga ana e tij ekziston një dëshirë e madhe hakmarrjeje ndaj ish-klubit të vjetër, për divorcin e papritur verën e shkuar, kur tashmë mendonte se dukej se e kishte bërë për vete trajnerin Kapelo, pas një sezoni mbresëlënës. Mikoli ka bërë të ditur se në rast të shënimit të golit ndaj bardhezinjve, do të festojë, ndonëse është ende në bashkëpronësi. Në karrierën e tij, kur luante te Peruxhia, u ka shënuar torinezëve tre gola në Kupën e Italisë, që u kushtoi peimontezëve skualifikimin dhe një tjetër gol, kur ishte vendosur kalimi i tij në Torino. Zofi për ndeshjen e sotme mund t'i besojë edhe Jorgensenit, që është riaftësuar pas dëmtimit në këmbë dhe lodhjes në kombëtare. Danezi i ka shënuar Juventusit dy herë kur luante në radhët e Udinezes.

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Sat, 09 Apr 2005 , 11:17

Bardhezinjve do t'u mungojë Trezegeja dhe Zebina, por trajneri kërkon fitore me çdo kusht



Kapelo: Kemi probleme në mbrojtje dhe sulm




Fiorentina - Juventus Formacionet e mundshme Fiorentina: Çejas, Maxhio, Ujfalushi, Daineli, Kielini, Ariati, Donadel, Mareska, Jorgensen, Fantini, Pacini. Tr: Zof. Juventus: Bufon, Birindeli, Turam, Kanavaro, Zambrota, Kamoranesi, Emerson, Blazi, Nedved, Ibrahimoviç, Del Piero. Gjyqtar: Kolina. Emergjencë bardhezi. Ndeshja kundër Liverpulit kishte shfaqur problemet e para dhe sot në Firence nuk do të jenë Zebina (një muaj pushim për të) dhe Trezege, që ende vazhdon të ketë probleme në kavilje, ndaj do të qëndrojë pushim në prag të ndeshjes së kthimit në Champions të mërkurën. "Ajo ndaj Fiorentinës është një ndeshje e rëndësishme, kështu që nuk është momenti të mendojmë për Liverpulin, - nënvizoi Kapelo. - Kundër Interit, vjollcët m'u dukën mirë dhe besoj se do të luajnë mirë edhe ndaj nesh, sepse kur një skuadër me cilësi të mira teknike përballon një skuadër të fortë, kërkon gjithnjë të vihet në dukje. Pastaj, ata kanë lojtarë të shkëlqyer. Por ne kemi disa probleme, shumë dyshime, por përshtypje të mira". Në mesfushë nuk është ende e sigurtë prania e Emersonit: "Trezege nuk do të jetë në Firence, - shpjegon trajneri juventin, - problemi i tij është gjithnjë kavilja. Por kemi probleme dhe në mbrojtje, sepse mungojnë Ferrara e Zebina. Kam ide të shumta, por edhe shumë dyshime. Pesotoja për shembull luajti mirë në mesfushë si në Madrid, ashtu edhe në Liverpul, dhe luajti mirë në mbrojtje edhe në vend të Zebinasë në "Anfild Roud". Ka ende shumë gjëra për të vendosur dhe do ta bëjë në orët e ardhshme. E përsëris, kam shumë ide, por edhe shumë dyshime". Ndaj Juves do të jetë i grumbulluar me ekipin e Fiorentinës edhe ish-juventini Mikoli, i cili nuk do të luante nëse ndeshja do të zhvillohej të shtunën e kaluar. "Është e vërtetë që ata kanë një Mikoli më shumë, por edhe ne kemi riaftësuar Zalajetën, - vazhdon Kapelo. - Janë gjëra që ndodhin në futboll. Por gjëja më e rëndësishme për ne është të hyjmë në atmosferën futbollistike pas pushimit. Në Liverpul, në pjesën e parë nuk ishim të tillë. Pastaj në pjesën e dytë luajtëm siç dinim, ndaj për nesër (sot) kam përshtypje të mira". Në të vërtetë, Mikoli, shitjen e tij te vjollcët nuk ia fali Juves. "Ne duhet të fitonim burime ekonomike për të blerë lojtarë të rëndësishëm, - justifikohet "Don Fabio", - dhe morëm Ibrahimoviçin. Por besoj se janë të kënaqur si Fiorentina, ashtu edhe Mikoli, sikundër Juvja me Ibrën, sepse janë dy kampionë. A presim një atmosferë të nxehtë si në Liverpul, edhe në "Franki"? Jo, në Liverpul nuk ishte kështu. Ata bënin tifo vetëm për skuadrën e tyre, siç është e drejtë të bëhet. Ndërsa në Firence, si në Romë, besoj se do të jetë një atmosferë e nxehtë. Nuk e di se çfarë pres, sepse nuk kam qenë asnjëherë në Firence si trajner me Juven. Besoj se s'është mirë që të ekzistojë kjo klimë. Duhet të jemi gjithnjë sportivë. Unë them gjithnjë: luani një ndeshje të madhe. Pastaj, pas fishkëllimës së fundit, gjithçka mbaron". Kapelo do të ritakojë Zofin, një mik i vjetër i tij: "Dinoja është një mik, takoheshim shpesh në Romë, - komenton Kapelo. - Tani shihemi më pak, për shkak të largësisë. Por ai është një pjesë e historisë së futbollit italian, ka fituar gjithçka dhe ka fituar edhe si lojtar, edhe si trajner". Duke u rikthyer te klima e ndeshjes, mos ndoshta do të ishte e drejtë të prisnit nga publiku një sjellje ndryshe pas shembullit të madh të Papës? Apo tifozët e kanë kujtesën të shkurtër? "Do të ishte e bukur, - përgjigjet Kapelo. - Por ndoshta tifozë të tillë e kanë kujtesën të shkurtër. Unë them vetëm që duhet të japim një mesazh pozitiv, si ne në fushë, si protagonistë, ashtu edhe publiku."

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Sat, 09 Apr 2005 , 11:19

Trajneri milanist flet për ndeshjen e sotme në kampionat dhe çerekfinalen e kthimit në Champions ndaj zikaltërve

Ançeloti: Breshia, ndeshje delikate




Milan - Breshia Formacionet e mundshme Milan: Dida, Kafu, Nesta, Maldini, Serzhinjo, Gatuzo, Pirlo, Sedorf, Rui Kosta, Shevçenko, Krespo. Tr: Ançeloti. Breshia: Kastelaci, Zoboli, Di Biaxhio, Domizi, Zambeli, Bereta, Milaneto, Uome, Dalamano, Del Nero, Karaçiolo. Tr: Kavazin. Gjyqtar: Rodomonti. Në prag të ndeshjes ndaj Breshias, Karlo Ançeloti shpreh njëfarë shqetësimi: "Nuk kemi shumë kohë për t'i mbledhur forcat, - tha ai. - Do të jetë një ndeshje delikate." Lidhur me gjendjen e të dëmtuarve: "Nesta të enjten ishte më mirë, të shohim se si do të ecë. Nëse do të jetë i gatshëm, do të luajë. Kalaxen duhet ta vlerësojmë me kujdes. Adriano? Prania e tij e mundshme nuk do ta ndryshojë qëndrimin tonë." Nuk ka kohë as për t'iu gëzuar fitores tepër të rëndësishme në Champions ndaj Interit, pasi mendja rikthehet te kampionati. Sot në orën 18.00, kuqezinjtë presin Breshian në "San Siro". Në letër duket një ndeshje e lehtë, por në këtë pikë të sezonit, këmbët bëhen më të rënda. Dhe më pas ka dëmtime e pezullime. Me pak fjalë, është një tjetër finale: "S'kemi shumë kohë për t'u menduar, do të jetë medoemos një takim delikat, - vijoi Ançeloti. - Vlerësimet e formacionit do të jenë të lidhura me gjendjen e formës së atyre që kanë luajtur. Stam dhe Kaka, të pezulluarit tanë, do të zëvendësohen, përsa u takon të tjerëve, nuk bëj llogari në kuadër të ndeshjes së të martës." Të mërkurën, në mbrëmjen fitimtare të Championsit, Milani rigjeti dy yje të domosdoshëm për 11-shen e tij: Nestën në mbrojtje dhe Shevçenkon në sulm. I pari, që doli për t'u ruajtur në ndeshjen e dytë të euroderbit, është drejt shërimit të plotë dhe sot mund të aktivizohet që nga minuta e parë: "Nesta të enjten ishte më mirë, po ashtu edhe dje. Nëse do të jetë i gatshëm, do të luajë." Po Inzagi? Për të është ende herët: "Inzagi ka puanuar veçmas dhe do të vazhdojë në këtë mënyrë deri nesër, besoj se do t'i bashkohet grupit të hënën". Mbetet ende një nyje për t'u zgjidhur në formacionin e sotëm. Dhe kjo ka të bëjë me repartin e mbrojtjes: "Kalaxe ka pësuar një goditje në këmbë dhe duhet ta vlerësojmë me kujdes gjendjen e tij. Gjithsesi, nëse s'ia del mbanë, në të majtë kemi të gatshëm alternativa si Pankaro e Serzhinjo." Pasi mbyllet argumenti i kampionatit, mendimi kthehet te ndeshja e kthimit ndaj Interit në Ligën e Kampioneve: "S'kemi si të mos e mendojmë, por kemi shumë arsye për të menduar për Breshian dhe kampionatin, - tha trajneri. - Nuk duhet të luajmë të kushtëzuar nga ndeshja e ardhshme, në këtë moment duhet të jemi të përqendruar vetëm te ndeshja që do të luajmë." Më pas, Ançeloti kthehet të analizojë fitoren e së mërkurës mbrëma: "Sulmi u paraqit dobët në pjesën e parë, mund të kishte bërë diçka më shumë në finalizim. Në pjesën e dytë vepruam me më shumë efikasitet. Kishte disa çaste kur sulmuesit tanë niseshin shumë më përpara se aksioni të merrte formë." Në ndeshjen e kthimit, të martën mbrëma, trajneri kuqezi mund të ketë një problem më shumë, Adrianon. Prania e tij e mundshme nuk është ende diçka e sigurt: "Prania e Adrianos s'do ta ndryshojë qëndrimin tonë psikologjik. Nuk e di cila është gjendja e tij, por di se është një lojtar i zoti. Dhe di edhe se Interi s'do ta rrezikojë nëse s'është mirë..."

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Sat, 09 Apr 2005 , 11:36

Papa, një minutë zi në të gjitha fushat




Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Franko Karraro ka vendosur që në të gjitha fushat e lojës, me rastin e zhvillimit të turit të ardhshëm të kampionatit, duke filluar nga nesër e deri të hënën, do të mbahet një minutë heshtje për të kujtuar shuarjen e Papa Gjon Palit II. Dhe një vendim i tillë vlen për të gjitha kampionatet e federatës italiane, që nga Seria A e deri te ndeshjet e Ligës së Diletantëve, duke përfshirë dhe sektorin e të rinjve

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Tue, 12 Apr 2005 , 11:55

Pas ndeshjes ndaj Livornos, kapiteni i Lacios dyshohet të ketë përsëritur gjestin fashist

Përshëndetje romane, Di Kanio në hetim




Paolo Di Kanio në hetim. Në mbarim të ndeshjes kundër Livornos (e fituar 3-1), sulmuesi i Lacios ka përshëndetur tifozët, duke përsëritur përshëndetjen romane, që pas derbit i kishte kushtuar 10.000 euro gjobë. Laciali ka treguar edhe disa gjeste të tjera aspak të hijshme kundër tifozëve të Livornos. Çështja në stadiumin "Olimpiko" ka qenë politika nëpër pankarta, ku shkruhej ("Roma fashiste") dhe një hap më pranë Duçes. Një ndeshje e konsideruar e rrezikshme nga forcat e policisë, që në fund fatmirësisht na sjellin një bilanc përgjithësisht të pranueshëm: "Vetëm" gjashtë të arrestuar dhe 248 denoncime të bëra gjatë natës, duke përfshirë këtu dhe disa incidente të vogla që ndodhën para se ndeshja të fillonte. Kulmi i ndeshjes mes Lacios dhe Livornos u konsumua në stadiumin "Olimpiko", me tifozerinë laciale të lidhur pas Duçes, me kore që dëgjoheshin fuqimisht dhe me mbishkrime fashiste. Shkëndija që ndezi gjithçka, erdhi prej tribunës jugore, aty ku e pati nismën dhe "flamuri i kuq". Në të gjithë harkun kohor të ndeshjes ishte momenti i brohoritjes së vazhdueshme të të gjithë tifozëve: "Roma fashiste", - shkruhej në pankartën e vendosur në tribunën e fundit. 15 minuta para ndeshjes, në "Olimpiko" mbërrin Klaudio Lotito. Presidenti i Lacios u vërshëllye nga tifozët gjithashtu, të cilët i drejtoheshin me thirrjet "Duçe, Duçe", pa marrë fare parasysh meritën e shpëtimit të skuadrës nfa falimentimi. Pastaj ndeshja mbaroi me fitoren e Lacios dhe Di Kanio, që me disa shokë shkoi për të festuar, i përshëndeti tifozët e tribunës së veriut, me një dorë të ngritur lart. Një tjetër përshëndetje romane si ajo pas derbit dhe gjoba po mbërrin. Presidenti i Livornos, Spineli, ka reaguar ashpër përsa i përket asaj që ndodhi: "Nuk mund të vazhdohet kështu. Të tilla ngjarje duhet të mbeten përgjithnjë jashtë stadiumeve, sepse janë gjeste absurde". Klaudio Lotito mbron tifozët bardhekaltër, duke u distancuar nga çdo përgjejësi politike. "Mbroj Lacion dhe tifozët e saj, - u shpreh presidenti i Lacios, - nga akuzat e koreve, pankartat apo simbolet me një domethënie të pastër politike, që kërkojnë të prishin klimën e bukur të kësaj të diele dhe të kësaj Lacioje. Të jesh i akuzuar në këtë mënyrë, ku sipas tyre po sjellim politikën në futboll, është gjithçka e pavërtetë, sepse Lacio dhe tifozët e saj kanë ditur gjithnjë të qëndrojnë larg këtyre rasteve.

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Tue, 12 Apr 2005 , 12:08

Amerikanet do te blejne me dite oferten e Enrico Bondit comisarit te jashtezakonshem te Parmalat.


Parma:Duket shpresa ne horizont.

Maksimumi 10 dite.Eshte ky harku kohor ne te cilin pritet te vije edhe oferta nga bleresit e Parmes,ose me mire nga njerezite e fondit aksionar amerikan te derguar ne seline ducale nga nje grup afaristash toskane dhe emiliane.
Ja pra qe ne fundin e javes qe vjen mund te shohim konkretizimin e propozimeve te para qe do ti hapin rrugen disa trataktivave te verteta qe do te drejtohen nga komisari i jashtezakonshem Enrico Bondi dhe krahu i djathte i tij Guido Angiolini(presidenti aktual i FcParma.)

Perqindjet e nje arritjeje te mundshme?Jemi 50 perqind me 50 perqind edhe pse hapa te tjere perpara ne kampionat dhe ne Uefa(te enjten ndeshja e kthimit me Austrine e Vienes dhe Gilardino do te jete ne fushe qe nga fillimi)mund te rrisin mundesite e nje arritjeje.

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Wed, 13 Apr 2005 , 16:46

Drejtori i ardhshëm teknik i verdhekuqve mund të shfrytëzojë miqësinë me Karleton, por Milani duhet ta lirojë



Konti, objektivi quhet Ançeloti




Trajneri i ri do të zgjidhet nga Bruno Konti, të paktën siç është deklaruar nga administratorja e deleguar e Romës, Rosela Sensi. Dhe Bruno Konti duket se ka zgjedhur Karleto Ançelotin, mikun e tij të ngushtë kur luanin te verdhekuqtë, me të cilin ka ndarë dhomën për tetë-nëntë vjet. Mision i pamundur për ta sjellë në Romë trajnerin e Romës? I vështirë, por jo i pamundur. Roma ka pasur takime (në mënyrë indirekte) me Ançelotin, sipas të cilave është mësuar se po të ishte për të (Karleton), nuk do të kishte asnjë lloj problemi. Vetëm se duke pasur një kontratë deri më 2007-n, e ardhmja e tij varet nga Milani. Pra, nëse Milani do ta lërë të lirë, ai do të jetë i detyruar të qëndrojë në Milano. Por nëse Galiani do ta lëshojë nga "zinxhirët" kuqezi, ai mund të vijë në Trigoria pas dy vjetësh, pra pas skadimit të kontratës me "Djallin". Roma është duke punuar çdo ditë për Ançelotin, me përqendrim maksimal, por edhe me vendosmëri të madhe. Por gjithnjë pa u nxituar. Konti, siç dihet, është mik për "kokë" i trajnerit milanist. Nëse do të vinte Ançeloti, Brunoja do ta merrte përsipër pa problem rolin e drejtorit teknik. Një dyshe Konti-Ançeloti do të gjente konsensus edhe në familjen Sensi, që parapëlqen të ulë në stolin e Romës një teknik të vlerësuar edhe nga "Pallati". Nëse do të bëhej një parashikim i mundshëm për të ardhmen, organika e re e drejtimit teknik të verdhekuqve do të kishte Bruno Kontin si drejtor teknik, Daniele Praden si drejtor të përgjithshëm, Pietro Leonardin (i çmuar nga Konti) si drejtor sportiv dhe Karlo Ançelotin, pa dyshim, si trajner i skuadrës së parë. Megjithatë nuk është e thënë se edhe pa "magji" mund të arrihet te një objektiv i tillë. Në këtë rast shtrohet pyetja: Pse duhet të largohet Ançeloti nga bota e famshme e Milanit për të zbritur në Romë? Për një zgjedhje profesionale të jetës. Të punosh në një mjedis më pak stresues si Roma, ndoshta pas trysnisë së kohëve të fundit në Milanelo, është një hipotezë që i pëlqen. Përkundrazi, është një objektiv që vazhdon. Ndër të tjera, te Milani e paskan zgjedhur trajnerin pas Ançelotit, Mauro Tasoti. Duke parë se misioni, nëse nuk është i pamundur, duket i vështirë, Roma po ndjek edhe pista të tjera. Janë dy trajnerët pak a shumë të zyrtarizuar nën vëzhgim të rreptë si rezerva, si Zemani dhe Spaleti. Bohemi, i shkarkuar në verën e '99-s nga familja Sensi, vlerësohet shumë në mjedisin e brendshëm nga tifozeria dhe pak nga pronarët aktualë, për shembull nga Rosela Sensi. Spaleti i bën të luajnë mirë skuadrat që drejton, por duket disi si një teknik i stilit "Del Neri", pra i aftë në provincë dhe i thjeshtë për t'u verifikuar në një mjedis të madh.

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Wed, 13 Apr 2005 , 16:47

Portieri i Udinezes, që kërkohet nga Arsenali dhe Mançesteri, nuk e fsheh një aventurë jashtë



Morgan De Sanktis, drejt Anglisë



E ardhmja e Morgan De Sanktisit mund të jetë jashtë Italisë. Është vetë portieri i Udinezes dhe i kombëtares që e pranon: "Arsenali apo Mançester Junajtid? Nuk do të bëhej fjalë për të bërë një zgjedhje mes Italisë dhe jashtë saj, por synoj të shkoj te një skuadër me vlera absolute, që synon të fitojë Ligën e Kampioneve dhe kampionatin, - tha De Sanktisi. - Kësisoj, nëse do të ikja jashtë Italisë, nuk do të ishte një problem. Megjithatë është e qartë që duhen krijuar kushtet për mënyrën e kërkesës nga këto klube dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse Udineze konfirmohet në nivele të mëdha rendimenti". Për numrin një friulan është edhe Roma, por pista verdhekuqe duket e vështirë për t'u përshkruar: "Unë jam i ndërgjegjshëm nga fakti që Udineze nuk i shet lehtë lojtarët e saj, - pranon De Sanktisi. - Në këto momente janë vetëm tri skuadra në Itali në gjendje për të bërë oferta të rëndësishme. Të dielën pashë Kurçin nga afër dhe la përshtypje të mirë. Besoj se mund ta përfaqësojë mirë edhe në të ardhmen Romën, sepse zotëron cilësi të pabesueshme dhe në këto javët e fundit e ka shpëtuar skuadrën". Por nga ana tjetër, portieri nuk e përjashton mundësinë e qëndrimit në Friuli: "Është shumë e vështirë që të gjithë lojtarët më të njohur, të largohen menjëherë nga Udineze, nga fakti se mund të arrihet objektivi i Championsit. Këtë të shtunë do të shkojmë në Mesinë, një fushë e vështirë. Është e qartë se nëse fitojmë, mund të shfrytëzojmë takimin direkt mes Sampdorias e Palermos, për t'u renditur më mirë në tabelë. E jona është një "luftë" që do të mbyllet pas tetë "betejave" të fundit. Ne dhe blukaltrit jemi më përpara, por Palermoja ka një kalendar të favorizuar". Portieri friulan jep mendimin për kolegët e tij, Bufon dhe Dida: "Janë të jashtëzakonshëm në interpretime. Në momentin që njëri prej tyre bën ndonjë pritje të madhe, thuhet se është më i miri, po kështu edhe për tjetrin. Sipas meje, "lundrojnë" në të njëjtin nivel. Dida përfaqëson më shumë efikasitet, Bufoni është efikas, por edhe spektakolar në të njëjtën kohë".

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Wed, 13 Apr 2005 , 16:48

Presidenti i Fiorentinës, "i galvanizuar" nga barazimi me Juven, kujton vështirësitë e së shkuarës



Dela Vale: Të shpëtojmë, pastaj të shohim




Ekziston mundësia që të shuhet entuziazmi dhe të qëndrosh i përqendruar për të arritur shpëtimin. Por emocionet e lidhura me ndeshjen me Juventusin, janë akoma të gjalla në të gjithë ambientin e Fiorentinës, duke filluar që nga presidenti Andrea Dela Vale. "Kam shumë shpresa që ne do të arrijmë të shpëtojmë, por më mirë të përpiqemi që ta shmangim një rënie të mundshme dhe të mos mendojmë për të ardhmen", - ka thënë presidenti i vjollcëve. Një barazim 3-3 i mrekullueshëm, por është i pashmangshëm dhe mendimi për të kaluarën e largët. "Jam i lumtur nëse do të mendoj që më pak se dy vjet më parë, ne s'kishim as zyra, - vazhdoi Dela Vale. - Por kështu bëhet akoma më i bukur udhëtimi nga C2 te Juvja, ishte entuziazmuese, kështu që si unë, ashtu edhe im vëlla (Diegoja, pronari) rindërtuam pothuajse çdo gjë. Me vendosmëri dhe grintë për pak kohë mundëm të ktheheshim në Serinë A". Për Dela Valen, ide të qarta dhe projekte për të ardhmen ka shumë: "Nuk mund të ndeshemi me "kolosët" Juve, Milan dhe Inter. Janë shumë më të larta hyrjet e tyre po t'i krahasosh me tonat, edhe pse gjendja jonë s'është e një skuadre të mbaruar. Objektivi ynë është që në në të ardhmen të vetëfinancohemi. Gjithashtu jemi ambiciozë dhe me meritë e me pak fat shpresojmë që në këto dy ose tre vjet të luftojmë për një vend në Kupën Uefa". Fiorentina ka nevojë kështu për një dorë në nivelin teknik. Përsa i përket mundësisë së ardhjes së Prandelit në pankinë dhe të Korvinos (drejtorit sportiv të Leçes), Dela Vale nuk lëkundet: "Stafi ynë është i gjithi i palëvizshëm deri në korrik, më pas do të shohim ç'do të bëjmë. Pastaj, Zofi ka cilësi të mëdha, si njerëzore ashtu edhe teknike, dhe është e mundur që figura e tij të konsiderohet e qëndrueshme në të ardhmen e Fiorentinës". Për skuadrën e së ardhmes, më shumë ngulmohet nga të gjithë se do të jetë një përbërje të rinjsh me eksperiencë. "Ndonjë gabim si skuadër e sapongjitur në Serinë A e kemi bërë, por është e drejtë t'u drejtohemi të rinjve dhe ideja është që të kemi një pjesë të madhe nga ky grup i përzgjedhur në ekip. Po portieri? Çejasi erdhi dhe na kërkoi të falur, ishte i pafatë me Juven, por vitin që shkoi, ishte merita e tij që ne erdhëm në Serinë A. Dhe të mos të harrojmë paraqitjen e dobët në fillim të kampionatit të Lupatelit

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Wed, 13 Apr 2005 , 16:49

Ndërsa kapiteni Di Kanio kërkon paqe dhe qetësi, gjykatësi sportiv vendos 25 mijë euro për koret fashiste




Lacio i shpëton pezullimit, por gjobitet




Gjykatësi sportiv ka komunikuar dje masat disiplinore për ndeshjen e fundjavës së kaluar. Ekipi i Lacios, që rrezikonte dënimin e fushës pas atyre pankartave dhe koreve të mëdha të lidhura me fashizmin (gjatë ndeshjes ndaj Livornos), është gjobitur me 25.000 euro gjobë. Ndërsa romanisti Leandro Damian Kufre është pezulluar për dy ndeshje, përsa i përket atij gjesti jo të hijshëm futbollistik në "Friuli", duke qëlluar me grusht Di Mikelen, lojtarin e Udinezes. Lacio tani mund të luajë rregullisht në "Olimpiko" sfidën kundër Juventusit. Sjellja e tifozëve në ndeshjen kundër Livornos i ka kushtuar ekipit bardhekaltër 25.000 euro. Gjykatësi sportiv ka gjobitur klubin bardhekaltër, për arsye se tifozët "kanë shfaqur dhe valëvitur pankarta me përmbajtje simbolesh që e mbështesin nazizmin, kanë qenë nxitës të dhunës dhe diskriminimit racial". Nuk ka qenë e lehtë për ta hedhur pas shpine dhe për ta harruar gjestin e tij Leandro Kufre. Mbrojtësi i Romës është pezulluar për dy ndeshje, provë kjo e faktuar nga pamjet televizive, për grushtin e dhënë ndaj Di Mikeles, në minutën e 10-të të pjesës së dytë, në takimin Udineze-Roma 3-3. E tillë skenë i ka shpëtuar dhe vëmendjes së arbitrit Bertini. "Imazhet dokumentojnë në mënyrë të qartë, - lexohet në vendim, - që goditja e shkaktuar nga Kufre është një gjest absolutisht jo i lidhur me zhvillimin e aksionit. Topi në fakt ende nuk ishte goditur drejt zonës së rreptësisë". Ndërkohë, Di Kanio dhe K.Lukareli e mohojnë nxitjen e tifozerive përkatëse për hedhje parullash gjatë ndeshjes Lacio-Livorno. "Ato fjalë të famshme të fundit". Mund të përshkruhet kështu dueti midis Di Kanios dhe Lukarelit. Dy simbole të Lacios dhe Livornos, simbole që shkojnë më shumë larg kufirit të futbollit, por që nënkuptojnë më shumë "lacialitetin" dhe "livornitetin". Pasi kanë kërkuar qetësi për ditë me radhë përpara sfidës delikate të "Olimpikos", të dy futbollistët më pas i kanë mbaruar me fakte fjalët. Di Kanio është shfaqur në një përshëndetje tjetër dhe të diskutueshme romane, ndërsa Lukareli madje ka paguar udhëtimin e kthimit nga Roma të tifozëve që gjenden ende nëpër rajonet e policisë së kryeqytetit, për shkak të parregullsive të ndodhura në stacionin e Shën Pjetrit. Ata do të kthehen me autobusët e paguar nga Lukareli, pasi të kenë larë hesapet me kuesturën e Romës. Dhe në lidhje me simbolet fashiste dhe naziste, vetë Di Kanio i është kthyer ngjarjes që ndodhi në sfidën me Livornon. "Nuk duhet të ekzistojë në 2005-n një simbol që masakrohet si shembull djalli apo ndonjë simbolizmi tjetër i quajtur mbase i drejtë, sepse s'është normale, - është shprehur Di Kanio. - Atëherë them të hiqet çdo simbol, përndryshe nuk mund të jem më dakord me të tillë fakt. Ai që gjen forcën për të vendosur, duhet ta bëjë në një mënyrë të drejtë, sepse në të kaluarën shpesh nuk ka qenë një gjë e tillë. Kështu nuk provokohet një reagim instiktiv, për t'u treguar me dhunë njerëzve se ç'duhet të bëjnë, sepse do të shkaktohet një padrejtësi e madhe. Dua të shoh një stadium me flamuj dhe shirita shumëngjyrësh, pa asnjë simbol politik", - përfundon Di Kanio.

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Thu, 14 Apr 2005 , 14:28

Trajneri kuqezi: "U penalizua qyteti i Milanos". Mançini: "Na vjen keq, ndeshjet s'duhet të mbarojnë kështu"



Ançeloti: Duhet të ndryshojmë kulturë!




Në mjediset e "San Siros" kishte pak dëshirë për t'i komentuar incidentet, edhe pse askush s'është tërhequr pas atyre minutave të fundit të turpshme. Ndërkohë ka qenë unanim mendimi për paraqitjen madhështore të Didës. "Duhet të flasim për atë që mundemi, pra për futboll, për të mos e tensionuar situatën. Reagimi i tifozëve të Interit ishte i paparashikuar dhe i papritur, nga kjo u penalizua mbi të gjitha qyteti i Milanos. Është edhe çështje kulture, në Itali flitet shumë për moviolat, penallti të dhëna e të padhëna, episode të dyshimta etj. Gjithsesi, ne luajtëm një ndeshje të shkëlqyer, sidomos në fazën mbrojtëse. Interi shtyu shumë, ndoshta në pjesën e dytë u çlodhëm më shumë se ç'duhej". Roberto Mançini: "Të gjithëve na vjen keq, por ndeshjet nuk duhet të përfundojnë kështu. Ndiejmë shumë hidhërim për atë që ndodhi, djemtë dhanë gjithçka, sikurse kanë bërë në të gjitha ndeshjet që kemi luajtur ndaj Milanit. Nuk kam asgjë për t'i qortuar skuadrës. Nuk e pashë përplasjen në rastin e golit që iu anulua Interit dhe e pyeta Merkun se ç'kishte parë. Adriano pati një problem në shpinë, por nuk jam penduar për zgjedhjet që bëra. E kishim ndërtuar lojën në një mënyrë të caktuar, duke u përpjekur të godisnim nga krahët, patëm dy raste përpara golit të tyre, që mbërriti që në rrezikun e parë. Dida u tregua i jashtëzakonshëm, me të vërtetë i pathyeshëm. Në të gjithë derbet ka bërë pritje vendimtare. Gjithsesi ishte një përballje mes dy skuadrash që luajtën një futboll të hapur dhe gjithçka u vendos nga episodet. Nuk doja t'i lija pika referimi, synonim t'i vinim më tepër në vështirësi, por episodet i ndryshojnë ndeshjet. Nuk ka pasur asnjë moment ku të kemi qenë inferiorë ndaj Milanit. Ne mendonim të shënonim menjëherë dhe më pas ta përmbysnim rezultatin. Diferenca ishte se Dida kreu një pritje të madhe dhe se Shevçenko në topin e parë që preku, shënoi një gol të madh." Havier Zaneti: "Kishim me të vërtetë shumë besim se mund ta kalonim turin, por në të gjitha ndeshjet me Milanin kemi gjetur gjithnjë përballë një portier të jashtëzakonshëm si Dida. E të mendosh që në minutat e para nuk u lejuam asgjë. Më pas erdhi ai gol i Shevës. Më vjen keq, më vjen keq për të gjithë atë që ndodhi, por duhet të ecim përpara duke e nderuar këtë fanellë dhe në fund do të bëjmë një bilanc. Mançini? Nuk është trajneri problemi ynë". Ivan Kordoba: "Inati i tifozëve është i kuptueshëm për një gol të rregullt që anulohet, pasi pakënaqësia shtrihet te të gjithë dhe ndaj u shfaq ajo lloj proteste. Natyrisht, s'është diçka e mirë, por s'mund t'u them asgjë njerëzve, janë përpjekur gjithnjë të na ndihmojnë, edhe pse nuk arritëm t'i gëzonim. Shkuam të pyesnim Merkun përse e anuloi golin dhe as vetë ai s'e dinte arsyen, kur gjyqtari të jep një përgjigje të tillë, reagimet mund të jenë nga më të ndryshmet, unë arrita të përmbahesha, duke e duartrokitur me ironi." Alesandro Nesta: "Interi ishte një kundërshtar i vështirë, besoj se në dy ndeshje, skuadra zikaltër është paraqitur mirë. Por mendoj gjithashtu se fitoi skuadra më e fortë dhe tani të ecim përpara. Më vjen keq për minutat e fundit, sepse nuk arritëm të festonim me tifozët tanë, por rëndësi ka që arritëm ta kalonim turin."

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Thu, 14 Apr 2005 , 14:33

Nga largimi i mundshëm i Moratit, te pezullimi i mundshëm në Champions


Inter, e ardhmja, një enigmë e madhe




Tifozët e Interit janë në ankth. Eliminimi ndaj Milanit në Ligën e Kampioneve dhe kundërshtimi i ashpër nga ana e disa qindra tifozëve, e mbushin plot me re të ardhmen administrative të klubit dhe atë sportive. "Shiu" me tymues do t'i kushtojë të paktën 3 ndeshje pezullim fushës, çka do të ishte një plagë e thellë në kuadër të Ligës së ardhshme të Kampioneve. Ndërkohë, Masimo Morati mund ta shesë klubin. Tani për Interin dhe tifozët e tij hapen skenarë shqetësues, si nga pikëpamja sportive, ashtu edhe nga ajo menaxheriale apo drejtuese. Faktet e rënda të së martës mbrëma ndodhën përpara syve të të gjithëve. Derbi spektakolar i Milanos u shkatërrua nga një grup tifozësh, të cilët e mbushën me tymues zonën e Milanit, duke goditur edhe portierin Dida. Një ngjarje aspak njerëzore, që rrezikon t'i kushtojë shumë skuadrës së Mançinit. Edhe me një ndëshkim minimal, ecuria në Ligën e ardhshme të Kampioneve mund të jetë plotësisht në malore. Kapitulli Masimo Morati. Pronari i Interit ka mbetur i shtangur përbri sjelljes së tifozëve ultras, pasi bëhet fjalë për një gjest ndaj tij, i cili thuhet se ishte i organizuar. Ai nuk e sheh më veten në një futboll të tillë dhe dëshira për të lënë gjithçka, kësaj here mund të dalë mbi dashurinë për skuadrën, për një klub në të cilin ka investuar miliona euro, por që i ka dhuruar më shumë dhimbje sesa gëzime. Ndoshta mund të ketë edhe ai fajet e tij në këto 10 vjet drejtim, por askush s'mund t'ia heqë meritën që bleu një klub, të cilin, kur Ernesto Pelegrini vendosi ta shiste, nuk e donte askush.

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Thu, 14 Apr 2005 , 14:33

Ndërkohë, trajneri Kapelo ka zgjedhur Mozartin për mesfushën e ardhshme

Juvja sfidon Milanin për Xhilardinon




Moxhi do ta bëjë të tijën. Sikurse dihet, për mbretin e merkatos nuk ka misione të pamundura, por kësaj here "big" Luçiano ka gjetur një objektiv tepër të vështirë për t'u goditur në shenjë: të sfidojë Milanin për kartonin e Xhilardinos. Golashënuesi i Parmës ka disa muaj që ka arritur një marrëveshje me klubin e Silvio Berlukonit. Marrëveshja mes klubit dhe lojtarit parashikon një maksi-kontratë prej pesë vjetësh. Problemi mbetet Parma, që do të donte të përfitonte 20 milionë euro nga kjo shitje. Shifra që s'i përkasin më ditëve tona dhe që Moxhi është i binudr se mund t'i ulë, ndoshta duke ofruar ndonjë lojtar tjetër në këmbim. Sa për të bindur Xhilën, s'do të ishte edhe aq e vështirë, duke qenë se është pikërisht "Zonja" skuadra e zemrës së këtij të fundit: "Vetëm se tani duhet të veproj si profesionist, - ka qenë qëndrimi i mbajtur nga "pyka", - pra të mendoj vetëm për Parmën. Në fund të sezonit të shohim se ç'do të ndodhë". Juvja e ka gati që tani blerjen për sezonin e ardhshëm. Bëhet fjalë për organizatorin e mesfushës së Rexhinës, Mozarti, një zbulim i vërtetë i kampionatit të sivjetshëm. Kapelo ka mbetur pa mend nga braziliani nga Kuritiba, i datëlindjes '79, të cilin dëshiron ta vendosë përkrah Emersonit, për të ndërtuar një mesfushë plotësisht amerikano-jugore, me më shumë muskuj dhe cilësi njëkohësisht. Në fakt, lojtari i Rexhinës është edhe pretendent për të veshur fanellën e kombëtares "karioka". Bisedimet ndodhen në një pikë të mirë, kontaktet mes Moxhit dhe presidentit Foti janë të shpeshta. Çështja vërtitet rreth 8 milionë eurove, por duke pasur parasysh marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy klubeve, bardhezinjtë synojnë ta mbyllin për 4 milionë, duke përfshirë në bisedime të rinjtë e talentuar, Zeitulaev dhe Boudianski, që tani janë në bashkëpronësi me kalabrezët.

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Thu, 14 Apr 2005 , 14:39

Veron: I kuptoj tifozët



Huan Sebastian Veron, pas pezullimit të sfidës Inter-Milan, shpjegoi: "Ajo që bënë tifozët, nuk është e justifikueshme, por unë i kuptoj. Nuk e di se ç'pa arbitri, sepse për mua ishte gol, por ai paska arritur të shohë diçka që ne s'arritëm ta shihnim." Më pas, argjentinasi i bëri një kritikë skuadrës: "Milani është një skuadër e madhe, kurse Interi nuk është bërë ende e tillë". Edhe Marko Materaci u ka dalë në krah tifozëve: "I njoh drejtuesit e ultrasëve, janë njerëz të zgjuar, të cilët nuk donin që ajo të ndodhte. Më vjen keq, sepse disa gjëra të caktuara s'duhet të ndodhin, por i kuptoj tifozët tanë."





Maldini: Humbjet të pranohen më qetësisht



Paolo Maldini i ka ende në mendje pamjet e Nelson Didës që goditet nga tymuesi. Për fat të mirë, për portierin nuk bëhet fjalë për ndonjë gjë të rëndë. Milani, pavarësisht nga gjithçka, mund të festojë kualifikimin në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Kapiteni kuqezi foli për mbrëmjen e së martës: "Ishte një mëkat i vërtetë ajo që ndodhi. Një mëkat, sepse sapo kishim thënë se në derbet e Milanos ka pasur gjithnjë shumë korrektesë. Nga ana jonë mbetet gjithsesi një gëzim i madh për arritjen e një objektivi të rëndësishëm. Ka qenë ngjarja e parë e dhunshme që kam përjetuar në 20 vitet e karrierës sime nëpër derbe. Humbja duhet pranuar dhe duhet marrë më qetësisht".

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Wed, 20 Apr 2005 , 18:33

Emersoni do të luajë që nga minuta e parë ndaj Interit. Edhe drejtori Moxhi kërkon medoemos tripikëshin



Fabio Kapelo: Ta ruajmë kryesimin!




Derbi i Italisë është i frikshëm. Përplasja e sotme është një sfidë mes dy skuadrash që kanë shumë dëshirë ta rimarrin veten, pasi dolën me "kocka të thyera" nga Europa. Ai përjetohet gjithnjë me vëmendje shumë të madhe në kampin juventin. Fabio Kapelo kërkon nga skuadra e tij përqendrim maksimal në kuadër të një ndeshjeje, e cila mund të shndërrohet edhe në vendimtare. "Ndeshjet ndaj Interit janë gjithnjë të vështira. Është e vërtetë, renditja jonë do të na mundësojë të luajmë me më tepër qetësi, por synimi ynë është të ruajmë epërsinë që kemi hëpërhë në renditje", - ka theksuar trajneri i bardhezinjve. "Don Fabio" e di shumë mirë se rruga drejt titullit është ende e gjatë: "Unë jam gati të vë bast se do të shkojmë në ndeshjen direkte të "San Siros", në këto pozita që jemi tani. Mbeten ende edhe shtatë ndeshje për t'u luajtur, njëra më e vështirë se tjetra. Në fakt, të gjitha skuadrat janë në luftë për një objektiv, kush për t'i shpëtuar rënies nga kategoria, kush për të vajtur në UEFA e kush për të vajtur në Ligën e Kampioneve." Në të njëjtën rrymë mendimi ka qenë edhe drejtori i përgjithshëm i Juves, Luçiano Moxhi: "Tri pikë në këtë fazë të sezonit do të kishin shumë vlerë. Por duhet të tregohemi shumë të zotë që t'i ruajmë këto pikë avantazh që kemi për momentin." Në kampin bardhezi po bëhet gjithçka për ta mbajtur tensionin të lartë pas paraqitjes bindëse të së dielës ndaj Leçes. Sonte mbrëma, ndaj Interit, sytë e tifozëve juventinë do të janë të përqendruar kryesisht te Ibrahimoviçi. Zllatani ka shënuar pesë gola në dy ndeshjet e fundit (ndaj Leçes dhe Fiorentinës) dhe synon ta parakalojë edhe "Perandorin" Adriano. Ndërkohë, Emersoni është kthyer të stërvitet rregullisht dhe ndaj Interit nuk do të mungojë. Ndërkohë është në dyshim Pesoto: ish-futbollisti i kombëtares italiane është grumbulluar, por në dy stërvitjet e fundit nuk ka punuar në fushë. Trajneri Fabio Kapelo ka grumbulluar 19 lojtarë për sfidën e mbrëmjes së stome në "Delle Alpi" ndaj Interit. Pra, sikurse thamë, është për t'u shënuar rikthimi i Emersonit, ndërkohë që do të vazhdojnë të mungojnë Zebinaja dhe Trezegeja. Porta do të mbrohet si gjithnjë nga Xhixhi Bufon. Prapavija do të përbëhet nga katër lojtarë: Birindeli, Turami, Kanavaro dhe Zambrota. Në mesfushë, krahët do t'u besohen Kamoranezit në të djathtë dhe Nedvedit në të majtë, kurse në qendër do të vendosen Emersoni dhe Blazi. Në sulm do të veprojë dyshja Ibrahimoviç-Del Piero, me Zalajetën të gatshëm të hyjë në fushë, në rast se do të jetë e nevojshme.

Post Reply