Merkato Liga Superiore

Diskutoni rreth ecurise , rezultateve , etj. të Kampionatit Shqiptar

Moderators: GOLDIAN, vllaznia1919

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Merkato Liga Superiore

Post by vllaznia1919 » Fri, 05 Aug 2005 , 18:28

Që nga dita e djeshme, Albert Duro është përforcimi i radhës te Dinamo. Ashtu siç kishim paralajmëruar përpara 4 ditësh, ish-mbrojtësi i Tiranës në sezonin e kaluar ka pranuar të veshë uniformën blu, duke u bërë kështu një forcë më shumë në repartin e mbrojtjes. Ky është një rikthim për Duron në kampin dinamovit, sepse mbrojtësi 27-vjeçar ka qenë pjesë e asaj skuadre që u shpall kampione 3 vjet më parë. Asokohe, mbrojtësi me origjinë elbasanase nuk ishte pjesë e 11-shes bazë së drejtuar nga Faruk Sejdini, megjithatë, në ato takime që u aktivizua, dha kontributin e tij për të rikthyer titullin kampion në klubin blu. Së bashku me Klodian Asllanin, por edhe me Fjodor Xhafën, të tre këta futbollistë janë tri nga blerjet më të fundit të presidentit Sulaj.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Fri, 05 Aug 2005 , 18:29

Paraditen e djeshme, në mjediset e klubit të futbollit "Elbasani", është bërë prezantimi zyrtar i trajnerit të ri të verdhebluve, Ilir Daja. Ceremonia e zyrtarizimit të tij në krye të stolit elbasanas është ndjekur me interes të madh nga mediat dhe tifozët vendës. Ndërkohë, në këtë ceremoni ka rënë në sy mungesa e presidencës së Elbasanit dhe ajo e drejtuesve të pushtetit vendor. Kështu, prezantimin e trajnerit të ri e ka bërë drejtori teknik, Artin Kovaçi, i cili u shpreh se drejtimi i skuadrës i është besuar një trajneri serioz dhe mjaft ambicioz. Bëhet e ditur se caktimi i Ilir Dajës në këtë detyrë erdhi pas seleksionimit të kryer midis shumë kandidaturave serioze.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Fri, 05 Aug 2005 , 18:31

"Djemtë e lagunës", nën drejtimin e trajnerit të përhershëm të emergjencës, Llazar Dushi, vazhdojnë normalisht stërvitjen me kapacitet të plotë në bregdetin e Divjakës. Trajneri Dushi po aplikon dy seanca stërvitore në ditë me ekipin, ku paraditën e zhvillohet buzë detit, kurse në seancën e pasdites ai ka preferuar aerobi me distanca 1000 dhe 2000m. në pyllin me pisha të Divjakës. Pas largimit të trajnerit vlonjat, Leonidha Çurri, pikërisht ditën kur ekipi do të nisej për në Divjakë, kryesia e klubit verdhëjeshil po mendon për vendin e mbetur bosh të trajnerit, ku më i përfolur për këtë post është emri i shkodranit, Hysen Dedja, i cili e ka drejtuar edhe disa vite më parë Lushnjen. Gjithesesi, sipas burimeve brenda klubit lushnjar, trajnerit të mirënjohur shkodran i është bërë oferta dhe pritet dhënia e përgjigjes nga ky i fundit. Ndërkohë, ditën e mërkurë mbasdite kanë arritur në Divjakë dy futbollistë vlonjatë, Diamanti dhe Idrizi, të cilët të enjten në mëngjes i janë bashkangjitur ekipit në stërvitje, duke rikonfirmuar përfundimisht se në këtë sezon do të jenë pjesë e Lushnjes.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Sat, 06 Aug 2005 , 14:40

Klodian Arbri vesh fanellën e Skënderbeut

Pasi kishte firmosur disa ditë më parë kontratën me Skënderbeun, sulmuesi beratas Klodian Arbri ka filluar edhe stërvitjen me këtë ekip. Blerja e fundit e korçarëve është vënë dje nën urdhrat e trajnerit Mirel Josa, ndërkohë që pritet të mësohet se cili do të jetë partneri i tij në sulm, ku kandidatura më e mundshme është ajo e Memellit. Sulmuesi beratas ka mbërritur në Korçë qysh të enjten në mbrëmje, por dje ka zhvilluar stërvitjen e parë. Arbri njihet mirë nga trajneri Josa, i cili e ka pasur në skuadër gjatë sezonit të fundit, kur drejtonte Lushnjën. Beratasi është shprehur i kënaqur për zgjedhjen që ka bërë dhe shpreson që të jetë i suksesshëm me Skënderbeun në superligë. "Duke parë që Skënderbeu ka pretendime serioze për sezonin e ri, vendosa të zgjedh atë, aq më tepër që edhe kushtet financiare janë tepër të kënaqshme. Më vjen mirë që jam pjesë e Skënderbeut dhe shpresoj se me këtë ekip do të shënoj sa më shumë, për të treguar edhe vlerat e mia," - ka thënë Arbri pas mbërritjes në Korçë.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Sat, 06 Aug 2005 , 14:40

Sot në Korçë priten kamerunasit

Afrikanët e shumëpërfolur si përforcime të Skënderbeut pritet të mbërrijnë sot në Korçë. Bëhet fjalë për dy futbollistë nga Kameruni, por me nënshtetësi franceze, të cilët janë piketuar nga drejtuesit korçarë. Ata duhet të kenë mbërritur në aeroportin "Nënë Tereza" mbrëmë vonë dhe sot, bashkë me menaxherin e tyre, duhet të jenë në Korçë. Këtë lajm e konfirmojnë edhe anëtarët e kryesisë së klubit, të cilët janë shprehur të bindur për ardhjen e afrikanëve, por gjithçka do të mësohet më saktësisht sot. Kamerunasit do të hyjnë në bisedime me presidentin e Skënderbeut, Spiro Bardhi, dhe më pas do të vendosin për të qëndruar apo jo në qytetin juglindor. Ndërkohë bëhet e ditur se së shpejti në Korçë do të mbërrijnë edhe dy futbollistët kosovarë, që u provuan në Maqedoni gjatë miqësores me Pobedën. Njëri prej tyre u paraqit mirë në atë ndeshje. Dhe së fundi, pritet të vijë edhe futbollisti Brahja, i cili në sezonin e fundit luajti për ngjyrat e Teutës. Lojtari në fjalë do të mbërrijë për të biseduar nesër në Korçë.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Sun, 07 Aug 2005 , 19:29

Në stërvitjen e djeshme të bluve, ra në sy prania e dy futbollistëve të rinj në moshë, të cilët u vunë në dispozicion të trajnerit Bonaçiç. Bëhet fjalë për ish-sulmuesin e Tiranës, Pema, dhe ish-mbrojtësin e Partizanit, Doku. Sipas drejtuesve të skuadrës, të dy këta lojtarë të rinj në moshë do të jenë në provë për disa ditë dhe më pas do të jetë trajneri kroat ai që do të vendosë nëse do të qëndrojnë ose jo. Ndërkohë, për sa u takon largimeve, dje Bonaçiç i dha duart mbrojtësit të njohur të kampionatit shqiptar Albert Duro. Sipas trajnerit dinamovit, ish-mbrojtësi i Tiranës dhe i kombëtares nuk kishte përgatitjen e duhur për t'u bashkuar me skuadrën.

Amerikano-latinët, vetëm sot në kryeqytet
Huan Karlos Marinjo dhe Leandro Eskudero do të mbërrijnë sot në Tiranë. Sipas administratorit të klubit, Ismet Saliut, të dy amerikano-latinët, pritet të mbërrijnë paradite në aeroportin "Nënë Tereza" dhe më pas të sistemohen në hotelin e kompleksit. Gjithnjë sipas Saliut, së bashku me Marinjon dhe Eskudero, pritet të vijë edhe një qendërmbrojtës, emri i të cilit hëpërhë nuk bëhet i ditur, por që është përzgjedhur nga ana e drejtorit sportiv, Pedro Pablo Paskuli.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Sun, 07 Aug 2005 , 19:31

Reparti i mbrojtjes mund të konsiderohet reparti ku largimet në kampin e Teutës janë më evidente. Pas largimit të Tetovës, është Xhai që largohet nga Teuta. Po kështu, drejt largimit mund të konsiderohen dhe Brahja, Hasani apo dhe Sakaj. Në repartin e mesfushës është larguar Gjondeda, në një kohë që priten edhe largime të tjera nga ky repart. Në sulm është larguar Daniel Xhafa, në një kohë që nuk pritet ndonjë largim tjetër. Po kështu, nga Teuta është larguar trajneri Stavri Nica, për t'ia lënë vendin trajnerit Hasan Lika.

Merkatoja, drejt Kosovës dhe Maqedonisë
Pas afrimit të Xhihanit dhe Tikos, busulla e merkatos për Teutën tashmë është orientuar në drejtim të kampionatit të Kosovës dhe atij maqedonas. Burime të sigurta nga stafi i Teutës bëjnë të ditur se po shikohet me vëmendje paraqitja e disa futbollistëve shqiptarë që luajnë me Prishtinën apo dhe me ekipe të tjera, dy prej të cilëve do të provohen që ditën e hënë te Teuta. Stafi durrsak po shikon me vëmendje dhe lëvizje të tjera në kampionatin shqiptar, nëse krijohet ndonjë mundësi për të ndërhyrë. Hapësirat në kampionatin tonë duken disi të kufizuara, pasi një pjesë e futbollistëve cilësorë kanë lidhur tashmë kontratat me ekipet e reja. Nuk përjashtohet mundësia që stafi i Teutës të synojë afrimin e ndonjë futbollisti të huaj, që bën diferencë me futbollistët e kampionatit shqiptar. Ajo që dihet me siguri është fakti se do të jetë trajneri Lika ai që do të bëjë përzgjedhjen e futbollistëve, të cilët do të përbëjnë dhe grupin që do të përfaqësojë Teutën në sezonin e ri futbollistik.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Sun, 07 Aug 2005 , 19:32

Në përbërje të Elbasanit, aktualisht është vetëm një futbollist që nuk i përket kampionatit shqiptar, ndërkohë që pritet që më pas të vijnë edhe disa të tillë. Mesfushori me tipare sulmuese Fisnik Gashi ka ardhur te verdheblutë nga Kosova, pas një karriere mjaft të suksesshme në radhët e Besës së Pejës. Kosovari nuk arriti të federohej dot me Elbasanin për dy ndeshjet e Kupës UEFA, gjë që i ka mbetur peng dhe vetë futbollistit. Megjithatë, gjithçka ka përfunduar tashmë dhe Gashi shpreson ta meritojë vendin e titullarit me Elbasanin në ndeshjet e kampionatit. Futbollisti shtatlartë nuk i fsheh ambiciet e tij, duke deklaruar se këtë vit dëshiron të shpallet kampion i Shqipërisë me ekipin që do të akivizohet.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Sun, 07 Aug 2005 , 19:33

Tre futbollistët afrikanë që mbërritën në Shqipëri të premten vonë, për t'iua bashkuar dje Skënderbeut, do të qëndrojnë një javë në provë. Trajneri Josa do të ketë mundësi t'i shohë me kujdes këta futbollistë në çdo aspekt, për të nxjerrë më pas konkluzionet përkatëse. Futbollistët e ardhur janë qendërmbrojtësi 28-vjeçar Dider Movndi, mesfushori 26-vjeçar Pandone Roxher dhe sulmuesi
29-vjeçar Kamara Amara. Të tre këta futbollistë janë afrikanë, por me pasaportë franceze dhe vijnë me një CV të pasur te Skënderbeu. Ata kanë zhvilluar dje një senacë të reduktuar stërvitore dhe është krijuar menjëherë një mendim pozitiv për gjendjen e tyre.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Sun, 07 Aug 2005 , 19:34

Nuk kanë mbaruar këtu surprizat e drejtuesve të kuq në lidhje me afrimin e lojtarëve të tjerë cilësorë. Këtë herë bëhet fjalë për sulmuesin kosovar Erkand Sulejmani, i cili është aktivizuar në Turqi me njërën nga skuadrat e kategorisë së parë të këtij vendi. Sulejmani ka mbërritur dje në Strugë, aty ku po stërvitet skuadra e kuqe dhe i është bashkuar menjëherë grupit në stërvitjen e djeshme. Sulejmani do të qëndrojë për një periudhë të shkurtër kohe, gjatë së cilës ai duhet ta bindë Bajkon se është i vlefshëm për skuadrën. Kështu, numri i lojtarëve të kuq po shtohet dita-ditës me emra të rinj.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Sun, 07 Aug 2005 , 19:43

Mjaft i vendosur për të lënë Teutën, por krejt i pavendosur për të zgjedhur Tiranën, apo një skuadër të huaj. Dje sulmuesi shqiptar, Daniel Xhafa, është nisur për të dytën herë drejt Zvicrës për të biseduar në lidhje me një kontratë të mundshme me skuadrën zvicerane, Nojshataël Ksamaks. Kështu, Xhafa nuk u ka dhënë fund shpresave të tij për të luajtur këtë sezon me një ekip të huaj. Te Tirana ai bëri një seancë stërvitore, por pas ndeshjes së kthimit me CSKA-në, bardheblutë kanë vendosur të bëjnë disa ditë pushimi. Duke përfituar nga kjo situatë si dhe të një njoftimi që i kanë sjellë drejtuesit e Ksamaksit për të biseduar edhe një herë me të, dje Xhafa është nisur menjëherë drejt Zvicrës. Burime pranë lojtarit saktësojnë se kur ishte për herë të parë në Zvicër, drejtuesit e klubit ku luan edhe Agolli i afruan një kontratë që nuk e kënaqi shumë futbollistin shiptar. Bëhej fjalë për një kontratë, që flitej për kushte të përafërta financiare me ato që i kishte afruar më parë Tirana. Ndaj Xhafa u kthye dhe doli në stërvitje me bardheblutë, pasi me donatorët e Tiranës i kishte diskutuar të tëra kushtet dhe mbetej vetëm firma mbi kontratë. Por pas lajmërimit të dytë nga i njëjti klub në Zvicër, sulmuesi vlonjat është nisur sërish dhe sot do të vendosë nëse do të firmosë apo jo me Ksamaksin. Gjithçka varet nga oferta konkrete që do t'i bëjnë drejtuesit zviceranë. Sipas të njëjtit burim, vetëm nëse kushtet financiare do të jenë më të larta se ato të Tiranës dhe që ia vlen të sakrifikosh për të luajtur jashtë vendit, Xhafa nuk do të mendohet, por do të qëndrojë në Zvicër. Në të kundërt, lojtari do të kthehet për të vazhduar stërvitje me ekipin kampion, me të cilin ka arritur prej kohësh një marrëveshje paraprake.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Tue, 09 Aug 2005 , 13:29

Partizani në pritje të portierit polak

Përderisa ish-portieri i bardhebluve, Emanuel Egbo, mund të quhet tashmë një pistë e mbyllur, drejtuesit e kuq nuk kërkojnë të heqin dorë nga afrimi i një portieri tjetër cilësor. Ndonëse është folur shumë ditë më parë për afrimin e Norkos, portierit polak që luan në Greqi, ky i fundit ka premtuar se do të bashkohet me skuadrën gjatë zhvillimit të fazës përgatitore në Maqedoni. Nga burime pranë klubit të kuq mësohet se Norko pritet t'i bashkohet grupit këto ditë, duke mos e përcaktuar datën e saktë. Duket se vuajtjet e skuadrës së kuqe në lidhje me portën nuk kanë të sosur, kur afrimi i portierëve cilësorë, siç pretendojnë drejtuesit e Partizanit, është bërë një mision tepër i vështirë.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Tue, 09 Aug 2005 , 13:30

Doka lë Besën për skuadrën e Shkumbinit

Një nga futbollistët kavajas që i qëndroi besnik për vite me radhë Besës, për herë të parë e ka "tradhtuar" atë. Ai është qendërmbrojtësi Indrit Doka, i cili tashmë ka vendosur të mbrojë ngjyrat e Shkumbinit të Peqinit. Kujtojmë se Peqini ka qenë streha e disa futbollistëve kavajas. Vitet e fundit, për këtë ekip kanë kontribuar Kaja, Bubeqi dhe Bardhi, por mesfushori Kaja mbetet më i dashuri për peqinasit, pasi ishte shtylla e ekipit, krahas Maganit, Nexhës dhe Dervishit. Po çfarë e shtyu Dokën ta "tradhtonte" për herë të parë Besën? Këtë ai e zbulon në intervistën e tije.
- Doka, keni lënë Besën për Shkumbinin. Ndonjë motiv i fortë, apo thjesht rastësi?
- Ju e dini mirë që Besa është shtëpia ime, sepse jam kavajas dhe aty jam gatuar si futbollist. I jam mirënjohës Kavajës dhe krenohem me të. Fillimisht duhet të them se nuk jam unë ai që e "tradhtova" Besën, por drejtuesit e saj, që sollën largimin tim. Pas kaq vitesh kontributi personal, ata ma hoqën të drejtën për të veshur sërish fanellën e saj. Në futbollin e sotëm pakkush pyet nga je. Besën nuk do ta ndërroja me asnjë ekip në Shqipëri, por sot në kampionatin tonë vendosin të tjerët dhe jo dëshira apo forma sportive e një lojtari. Megjithatë, jam profesionist dhe nuk mund të ndahem nga futbolli kaq shpejt.
- Dhe zgjodhët Shkumbinin si strehën tuaj të re?
- Për të qenë i sinqertë, duhet të them se ishte dëshira ime, por edhe këmbëngulja e simbolit të futbollit peqinas, Gugash Maganit, më çuan te Shkumbini. Pas Besës, Shkumbini mbetet zgjedhja ime e parë për shumë arsye. Së pari, qytetarët peqinas i kanë mirëpritur të gjithë futbollistët kavajas që kanë luajtur atje. Para meje kanë luajtur Kaja, Bubeqi dhe Bardhi, të cilët janë ndier tepër të nderuar. Së dyti, Shkumbini është një ekip ku luhet pa hile, sepse të gjithë marrin atë që meritojnë. Pra, në Peqin besoj se do të ndihem si në Kavajë.
- A ju vjen keq që e latë Besën, pasi e ngjitët në superligë?
- Keq thatë? Patjetër që më vjen keq, sepse babai im është tifoz ultras i saj, i cili me "dhunë" më ka mbajtur te Besa edhe kur kam pasur oferta të tjera. Di që ai më ka marrë inat, por shpresoj të pajtohemi shpejt. Nuk më mbetet gjë tjetër, veçse t'i uroj Besës suksese në superligë, sepse ajo duhet t'i kënaqë tifozët e saj. Veçse jashtë dëshirës sime ajo do të më ketë kundërshtar në fushë.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Wed, 10 Aug 2005 , 13:43

Në stërvitjen e djeshme të bluve është vënë re prania e dy futbollistëve të rinj, të cilët janë vënë menjëherë nën urdhrat e trajnerit Bonaçiç. Bëhet fjalë për shqiptarin që jeton prej vitesh në Kroaci, Leonard Bisakun dhe kroatin Goran Vinçetiç, të cilët kanë luajtur më parë me Hajdukun e Splitit, aty ku janë njohur edhe me njëshin e stolit blu. Bisaku është një mesfushor qëndre, ndërkohë që Vinçetiç luan si mbrojtës krahu dhe mendohet se do të jenë dy përforcime të rëndësishme për Dinamon gjatë kësaj merkatoje vere. Pasi të kryejnë disa ditë stërvitje, të dy futbollistët pritet të nënshkruajnë kontratat e reja me presidentin Sulaj, sepse nuk është e nevojshme që ata të provohen nga trajneri Luka Bonaçiç.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Wed, 10 Aug 2005 , 13:43

Radhët e Elbasanit janë shtuar dje me futbollistë të njohur të superligës, nga të cilët mund të përmendim Edmond Dalipin, Julian Brahjen dhe Sokol Ishkën, ky i fundit një plan i hershëm i verdhebluve. Këta lojtarë janë aktivizuar përkatësisht me Lushnjën, Teutën dhe Besën. Për këta lojtarë, që preferuan t'i bashkohen ekipit nënkampion vetëm këtë fillimjavë, trajneri Daja tha se më parë duhet të tregojnë nëse e meritojnë fanellën e Elbasanit. Pra, të gjithë lojtarët që do të vijnë tek Elbasani, duhet të kalojnë testin e trajnerit Daja, i cili zgjat disa ditë. "Nuk kemi ndër mend të tolerojmë në këtë aspekt, sepse presidenca po investon dhe ka krijuar kushte të shkëlqyera pune. Përpara kemi një periudhë grumbullimi mjaft të rëndësishme, gjatë së cilës do të kemi mundësi të seleksionojmë edhe 16-shen e futbollistëve të nevojshëm për formacionin bazë dhe stolin. Kam bindjen se me këtë dyndje futbollistësh drejt Elbasanit i kemi të gjitha shanset për të ndërtuar një ekip pretendent për trofe. E rëndësishme është që këtë situatë ta menaxhojmë sa më mirë, për të marrë atë produkt që na nevojitet," - tha trajneri Daja.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Thu, 11 Aug 2005 , 13:29

Ahmataj: Te Dinamo, për titullin e dytë

Më në fund, është bërë realitet ardhja e Julian Ahmatajt, njërit prej katër të përjashtuarve nga ekipi i Tiranës. Nuk ka zgjatur më shumë se dy orë pa ekip mesfushori i njohur i kampionatit shqiptar, sepse menjëherë në numrin e tij të celularit do të ishin drejtuesit e Dinamos që do t'ia bënin të parët ftesën për t'u rikthyer aty ku edhe ka marrë emrin e mirë. Elbasanasi nuk është menduar dy herë dhe menjëherë e ka pranuar ofertën e presidentit Sulaj, i cili e ka një "kanakar" të vjetër që nga periudha kur drejtonte Bylisin. Menjëherë dje, Juliani ka firmosur një kontratë 2-vjeçare dhe i është bashkuar "armatës" së trajnerit Bonaçiç në stërvitje.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Thu, 11 Aug 2005 , 13:30

Ramadani firmos për një vit me blutë

Paraditen e djeshme, një tjetër që ka vënë firmën mbi kontratë, ka qenë mbrojtësi shqiptar nga Maqedonia, Zaharia Ramadani. Ai ka pranuar të firmosë një kontratë 1-vjeçare me presidentin Sulaj, me opsion për t'u larguar në janar nëse i vjen një ofertë nga jashtë. Një gjë të tillë qendërmbrojtësi e pranon edhe vetë për gazetën: "Po, dje firmosa për një vit për Dinamon. Jam shumë i kënaqur me kushtet e afruara nga ky klub dhe presidenti Sulaj. Tani më mbetet që të jap maksimumin në fushë për të justifikuar besimin e të gjithëve. Për sa i takon kontratës, në konsensus me presidentin rashë dakord që të më lejojë të largohem në janar, nëse më vjen oferta nga një ekip europian,"- bën të ditur Ramadani.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Thu, 11 Aug 2005 , 13:31

Ekipi i Besës në pritje të brazilianëve

Pas përfundimit të fazës përgatitore në Pogradec, kavajasit kanë filluar stërvitjen në qytetin e tyre. Gjatë stërvitjeve të dy ditëve të fundit ka rënë në sy mungesa e të huajve që kishin ardhur në ekip, me përjashtim të nigerianit Emanuel. Për këtë gjë, ndihmëstrajneri Daiu sqaron: "Të gjithë të huajt i kemi larguar, me përjashtim të sulmuesit Emanuel. Ata nuk na bindën dhe, nisur nga objektivi ynë, i propozuam presidentit të mos lidhte kontratë me ta. Besa tashmë ka nevojë për futbollistë të gatshëm, pasi kohë nuk ka më." Në fakt, kësaj ideje po i përgjigjet edhe presidenti Bizhdili, i cili bën të ditur se është në pritje të 5 lojtarëve cilësorë nga Brazili. Me ardhjen e tyre besohet se edhe merkatoja e Besës të quhet e mbyllur. Edhe për këtë çështje, Daiu shpreh mendimin e tij. "Presidenti na ka garantuar se brazilianët janë futbollistë ne aktivitet, që do të thotë se ata janë të gatshëm për lojë. Nëse rezulton kështu, atëherë mund të ndihemi më të qetë për forcën e grupit të futbollistëve. Kemi nevojë për përforcime në të tri repartet nëse duam ta arrijmë objektivin që i kemi vënë vetes. Prandaj na duhen lojtarë që bëjnë diferencën dhe brazilianët mund ta përmbushin kërkesën tonë." Shpresojmë të jetë vërtet kështu, sepse dihet që menaxherët e huaj kanë mashtruar me merkaton që servirin. Por duket se presidentët e klubeve shqiptare nuk pranojnë më që dikush t'ua hedhë aq lehtë.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Thu, 11 Aug 2005 , 13:33

Pas shumë hamendjesh dhe dilemash lidhur me atë që do të mbajë numrin 1 në skuadrën e re të Partizanit, duket se çështja ka marrë fund. Dilema e portës së kuqe është zgjidhur dje pasdite, kur drejtuesit e Partizanit kanë arritur një marrëveshje me portierin polak Norko. Norko do të mbrojë portën e kuqe për një vit, sipas marrëveshjes së arritur dje me drejtuesit e klubit kryeqytetas.
Kalvari i gjatë i gjetjes së mbrojtësit ekstrem për skuadrën e Partizanit dje ka njohur dhe fundin e tij. Pas shumë dilemash, konkaktesh, refuzimesh apo mospëlqimesh, drejtuesit e Partizanit kanë sigluar një marrëveshje njëvjeçare me portierin polak Norko. Në fakt, ëndrra e drejtuesve të kuq ka qenë ish-portieri i Tiranës, Emanuel Egbo, por me këtë të fundit duket se marrdhëniet ngrinë përfundimisht pak ditë më parë, kur pas konfirmimit të tij, Egbo nuk paraqitet në klub. Megjithatë, drejtuesit e kuq po punonin në disa fronte njëkohësisht dhe njëra pistë ishte edhe polaku Norko.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Thu, 11 Aug 2005 , 13:35

Bardheblutë do të drejtohen në edicionin e ri nga një trajner i huaj. Përveç ekipit tonë kombëtar që ka në krye të stolit trajnerin gjerman, Hans Peter Brigel, një tjetër bashkëkombas i tij, momentalisht ndihmësi i "timonierit" kuqezi, pritet të marrë në dorë fatet e skuadrës më të mirë të vendit. Gjermani Aksel Ros e ka pranuar ofertën e donatorëve të Tiranës. Për momentin, Rosin e ndan vetëm një hap, firma e fundit me kampionët e Shqipërisë. Ish-futbollisti i shquar i Kaizerslauternit pritet të zyrtarizohet trajner i Tiranës ditën e diel. Ndihmësi i Brigelit në fakt ka planifikuar të vijë që të shtunën në Tiranë, për të biseduar rreth disa kushteve të tjera, në lidhje me kontratën e re. Ndërsa të dielën i ka të tëra gjasat që të firmosë atë që do t'i afrojnë donatorët, sepse bëhet e ditur se ofertën financiare e ka pritur mjaft mirë. Në vazhdën e ngjarjeve, gjermani i ka gjasat të dalë një ditë më pas me tuta në fushë, për të drejtuar 22 herë kampionët e Shqipërisë. Një fakt të tillë e bën tashmë zyrtarisht të ditur një nga donatorët bardheblu, Agron Papuli, i cili komentoi në lidhje me këtë çështje: "Ne si donatorë kemi biseduar me Rosin nëpërmjet telefonit. Deri më sot (dje) mund të them se pas bisedave që kemi pasur, kemi rënë paraprakisht dakord me të. Rosi na ka njoftuar se do të vijë të shtunën në Tiranë, kurse të dielën pritet të firmosë kontratën e re. Përderisa kemi arritur një marrëveshje paraprake, presim që në fundjavë ajo të bëhet konkrete," - shprehet ndër të tjera në fjalën e tij donatori Papuli.

Post Reply