Shkodra – Epiqendra E Rezistencës Antikomuniste Në Shqipëri
Nga Kolec Topalli
Shkodra, me një traditë të lashtë që arrin shekujt e parë të qytetërimit europian, me një kulturë që dallohej ndër të gjithë qytetet e tjera deri në Luftën e Dytë Botërore, qe njëkohësisht epiqendra e rezistencës antikomuniste në Shqipëri, sepse gjithçka që solli komunizmi, ishte në kontrast të plotë me zhvillimin e këtij qyteti, me mendësinë dhe jetën e popullsisë shkodrane.
Shkodra qe kështjella shqiptare që u rezistoi ushtrive otomane më gjatë se asnjë tjetër. Qe ajo që ngriti krye ndër të parat duke mos pranuar çdo gjë që u binte ndesh traditave të jetesës qytetare perëndimore. Shkodra është qyteti që dha kontribute të veçanta në lëvizjen për shpalljen e pavarësisë pas një sundimi 500-vjeçar. Mbështetja e fuqishme në Lidhjen e Prizrendit, mbrojtja e Hotit e Grudës, pjesëmarrja aktive në kryengritjet e viteve 1911-1912, ngritja e flamurit shqiptar në Hot e shumë ngjarje të tjera, dëshmuan se pushtuesit asnjëherë nuk e kanë pasur të lehtë të nënshtrojnë frymën e lirisë të kësaj treve.
Emrat e Ded Gjolulit, Mehmet Shpendit, Prel Tulit, Marash Delisë e shumë të tjerëve kanë vendin e tyre të merituar në histori. Ndërsa emrat e Oso Kukës, Marash Ucit, të Tringës e shumë të tjerëve u kthyen në legjendë nga poeti i madh kombëtar At Gjergj Fishta.
Kjo është arsyeja që edhe rezistenca antikomuniste nisi në Shkodër. Përpjekja e parë, e zhvilluar me armë në dorë, nisi në Malësi të Madhe. Asnjë prej vendeve të Europës Lindore duke përfshirë edhe vetë Rusinë, çerdhe e murtajës së kuqe, nuk e kanë dashur komunizmin, por Shqipëria ka qenë vendi i parë që nisi rezistencën kundër tij me armë në dorë. Dhe këtë e nisën burrat e Malësisë, të njohur edhe në raste të tjera për trimërinë e tyre. Për një muaj rresht vijoi beteja ndërmjet forcave të malësorëve të drejtuara nga Llesh Marashi dhe forcave të Brigadës I që mbillte terror anembanë malësisë. Lufta e Tamarës që u zhvillua në zemër të dimrit të ashpër të vitit ’45, ka mbetur e panjohur në historinë e këtij vendi, që mohoi gjithçka që kishte lidhje me lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Por ajo u ruajt në kujtesën e trimave të Malësisë, në familjet e persekutuara dhe në memorien e kombit.
Ata pak dëshmitarë që kanë mbetur gjallë nga burgjet e torturat komuniste, dëshmojnë se forcat komuniste kishin ardhë me një arkë të mbushur me pranga, që do t’i përdornin për të mbjellë terror. Prek Cali me 15 burra e vijuan rezistencën në shpellën që edhe sot mban emrin e luftëtarit trim. Komunistët e pabesë dogjën shtëpi edhe me luftëtarë brenda që nuk dorëzoheshin, pushkatuan pa gjyq para popullit luftarët trima, groposën të gjallë të tjerë, mbollën kudo tmerr e panik për të nënshtruar ata që nuk ishin nënshtruar prej shekujsh. Por shpirti kryengritës i Malësisë së Madhe nuk u mposht. Kuvendi i Maleve i mbledhur në janar të ’45 vendosi rifillimin e rezistencës. U mor Kopliku dhe u bënë përpjekje të shumta me forcat komuniste, ku mbeten shumë të vrarë; por më në fund forcat malësore u tërhoqën në male për të frenuar terrorin që kishte nisur. Gjyqet e hapura në Shkodër dënuan me vdekje shumë trima, të tjerë me shumë vite burg e internime. Shumë shtëpi u dogjën. Burgjet dhe kampet e internimit u mbushën si asnjëherë. Rezistenca u thye, por shpirti liridashës nuk u mposht. Ai u shfaq në një tjetër lëvizje antikomuniste një vit më vonë në kryengritjen e Postrribës.
Shkodra e Postrriba dëshmuan se nuk mposhten lehtë. Kështjella e Rozafës, dëshmi e qëndresës në shekuj, u dha kushtrimin kështjellave të tjera përreth saj. Përsëri Shkodra u bë qendra e rezistencës antikomuniste, se ajo nuk i besoi kurrë propagandës së shfrenuar komuniste. Ata premtuan barazi shoqërore, liri, lumturi, por Shkodra nuk e besoi, se pau veç mjerim, luftë me njëri-tjetrin, hakmarrje, pabesi e grabitje. Intelektualët më të mirë, burrat më të shquar, klerikët më të ditur, të rinj e pleq, studentë e gra, futeshin në listat e zeza të Sigurimit të Shtetit për t’u vrarë, për t’u masakruar, për t’u dënuar me gjyq e pa gjyq. Filloi vllavrasja, kontrollet, bastisjet, krimet mbi njerëz të pafajshëm. Në mëngjeset e zymta të atyre ditëve ëndrrat e trishta ndërpriteshin nga krismat e pushkëve, që binin mbi trupat e pafajshëm të atyre që pushkatoheshin në muret e varrezave të Rmajve.
Nisi plaçkitja e tregtarëve. Mallrat e konfiskuara me dhunë udhëtonin drejt Jugosllavisë, mike e komunistëve shqiptarë në grabitje. Një hije e zezë kishte rënë mbi qytetin e lashtë. Kjo ishte Shkodra e vitit ’45, e dëshpëruar, e vrarë, e shkretuar, e persekutuar. Kudo dëgjoheshin thirrjet histerike “hakmarrje”. Kuvende e shtëpi të sekuestruara ishin kthyer në burgje, ku gjithë ditën dëgjoheshin ulërimat e të torturuarve për vdekje. Në kushtet e terrorit të egër, kur çdo përpjekje për demokraci me rrugë paqësore ishte e pamundur, nuk mbetej rrugë tjetër veç përpjekjeve me armë. Prandaj, i zhgënjyer plotësisht nga klika sllavo-komuniste, që uzurpoi pushtetin pas Luftës së Dytë Botërore, i revoltuar nga masakrat dhe tmerret e komunizmit, populli i Shkodrës u ngrit përsëri kundër bishës komuniste, që po mbyste me gjak çdo përpjekje për liri e demokraci.
Lëvizja e Postrribës ishte përgjigja që i dha populli i Shkodrës qeverisë diktatoriale komuniste, që kishte shkelur me këmbë të gjitha të drejtat njerëzore dhe liritë demokratike duke vendosur një pushtet gjakatar, që në rend të ditës kishte shtypjen e çdo mendimi të lirë, eliminimin e të gjithë kundërshtarëve të regjimit, shpronësimin e qytetarëve, që me djersë e mund kishin vënë pasuri. Shkodra ishte kundër bashkëpunimit të hapur sllavo-komunist dhe nënshtrimit të vendit tonë ndaj klikës jugosllave. Kjo lëvizje dëshmonte se Shkodra nuk mposhtej lehtë, se pushteti që u mor me dhunë do të vijonte me dhunë të shtypte kundërshtarët e këtij regjimi. Kryengritja e Postrribës qe një lëvizje e organizuar për përmbysjen e diktaturës. Drejtohej nga burra që kishin dëshmuar se e donin Shqipërinë, e donin demokracinë, e donin lirinë dhe për të ishin gati të jipnin edhe jetën. Shumë pjesëmarrës në mbledhjet e organizuara në takime me çeta luftëtarësh deklaruan pa droje se kërkonin lirinë e shqiptarëve, për të cilën do të sakrifikonin gjithçka. Dhe shumë prej tyre u vranë në përpjekjet që u zhvilluan në pika të ndryshme të qytetit e në fshatrat përreth.
Dhe pushteti i dhunës mori masa të përgjakshme. Shtypja e kryengritjes së Postrribës u shoqërua me një terror të pashëmbullt. Shkodra dhe Postrriba edhe kësaj radhe ranë martire. E jo vetëm këto, por edhe shumë fshatra të tjerë u ndeshkuan me mënyrat më barbare. Ende nuk ishte shuar jehona e pushkëve dhe mitralozave, kur në Postrribë u duk tymi i shtëpive të fshatarëve që digjeshin nga forcat e Sigurimit. Raprezalja nisi që ditën e nesërme të kryengritjes, kur shumë burra u pushkatuan pa gjyq në sy të familjarëve e bashkëfshatarëve të mbledhur me dhunë. E trupat e tyre u lanë për dy ditë me radhë të pavarrosur për të mbjellë terror ndër familjarë. Listat e të arrestuarve u hartuan gjatë natës që pasoi kryengritjen. Pushkatimet me gjyq e pa gjyq, burgosjet e internimet, djegiet e shtëpive, rrahjet e burrave, torturat çnjerëzore u vunë në rend të ditës në krejt fshatrat që në një mënyrë a në një tjetër kishin përkrahur këtë kryengritje. Në qytet dhe në fshatrat përreth u vendosën qendra hetuesie e torture. U dogjën me dhjetra shtëpi. U plaçkitën të tjera. U rrëmbye bereqeti dhe pasuria tjetër. Shumë nga pjesëmarrësit në këtë lëvizje u arratisën maleve për të gjetur vdekjen të rrethuar në ndonjë shpellë ose në përpjekje me armë me forcat e sigurimit. Të tjerë u arrestuan dhe familjet e tyre u internuan. Kontrollet, bastisjet, spiunimet ishin në rend të ditës. Zalli i Kirit pas vorreve të Rmajve u bë dëshmitar i vrasjeve të njëpasnjëshme, të njerëzve të pafajshëm, që binin nën breshninë e plumbave të diktaturës. Dhe Shkodra zgjohej çdo ditë e tmerruar nga thirrjet e të pafajshmëve që binin në gropat e përbashkëta.
Me këtë mënyrë diktatura donte jo vetëm të shtypte me gjak kryengritjen antikomuniste, por edhe të vriste elitën intelektuale të qytetit verior, që me prirjet e saj perëndimore, ishte gjithmonë një rrezik potencial për komunizmin. Qindra familje jetonin me ankth në zemër kur trokiste dera dhe sigurimësat merrnin babanë a djalin për të mos i parë më kurrë, se shumë u pushkatuan, të tjerë vdiqën në tortura ose në burgjet e kampet e punës. Sa baballarë fëmijësh u zhdukën përgjithnjë nga faqja e dheut; sa fëmijë mbetën jetimë, Sa familje mbetën pa burra; sa gra mbetën të veja. Shkodra numëronte 11 burgje të krijuara për këtë rast. Me këtë terror diktatura donte të hakmerrej me Shkodrën për shpirtin e saj liridashës, për rezistencën që i kishte bërë komunizmit, për kulturën perëndimore, për frymën demokratike, për traditat patriotike, për krenarinë, elitarizmin, për fisnikërinë dhe historinë e saj.
Edhe pse kam qenë në moshën 9 vjeçare, kujtimet e hidhura nuk m’i ka zhdukur koha. Mbaj mend atë ditë të zymtë të shkurtit të vitit ’48 kur Shkodra u zgjua më shpejt se asnjëherë nga krismat e pushkëve e mitralozave, që lajmëronin kasaphanën e re të komunistëve prapa mureve të varrezës së Rmajve. Pas një hetuesie të stërzgjatur të shoqëruar me torturat më të tmerrshme dhe pas një gjyqi-farsë, listës së gjatë të të vrarëve pa gjyq iu shtuan edhe 5 të pafajshëm. Lajmi i zi pushtoi Shkodrën. Në shtëpinë e Serreqëve u hap vaji për vrasjen e Cinit, një vaj pa të vdekur, pa varr, që vazhdoi me ditë e me javë, se miqtë e familjes shtriheshin prej Vermoshit e deri në Breg të Matës. Qante nëna për birin e vrarë pa faj, gruaja për burrin që e la të vejë, dy fëmijët që mbetën jetimë, qante motra për vëllanë, farefisi, miqtë, të gjithë; ndërsa sigurimsat në rrugicë përgjonin hyrjet e daljet, se duheshin hapur dosje të tjera, se duhej derdhur përsëri gjak. Megjitëse nuk pati asnjë aktivitet dhe asnjë lidhje me lëvizjen e Postrribës, Cin Serreqi u vra se i përkiste një familjeje me emër në Shkodër, u vra pa asnjë faj, u vra për kulturën perëndimore, për antikomunizmin dhe qëndresën e tij. Ai nuk pranoi asnjë nga akuzat e rreme që ngriti për të Sigurimi, sepse ai nuk qe as organizator, as pjesëmarrës i Lëvizjes së Postrribës, e cila shërbeu vetëm si pretekst nga pushteti gjakatar për të zhdukur elitën shkodrane, intelektualët më të spikatur të qytetit verior. Dhe mënyrat më barbare me të cilat u torturuan dhe u vranë, janë dëshmi e pafajësisë së tyre. Cin Serreqi mbeti pa varr edhe sot e kësaj dite, se trupat e tyre u tretën në një varr të përbashkët, ndoshta për t’i marrë eshtrat e tyre rrjedha e Kirit për t’i bashkuar me ata të poetit kombëtar At Gjergj Fishta. Dhe familja e tij nisi kalvarin dhjetravjeçarë sa në Veri e në Jug, për të mos u kthyer kurrë më në qytetin e lindjes, aty ku nuk kishin as shtëpi, as punë dhe as varrin e babait për të vënë një lule.
Me shtypjen e kryengritjes së Postrribës terrori komunist vijoi për vite me radhë, në Shkodrën martire më shumë se në asnjë krahinë tjetër. Qyteti me më shumë burgje, me më shumë qendra hetuesie, qyteti me më shumë të vrarë, me më shumë të burgosur e të internuar, qyteti me më shumë xhelatë dhe ustallarë të dajakut të tipit të Zoj Themelit, Fadil Kapisyzit, Zoj Shkurtit, Dul Rrjollit, Nesti Kopalit, Dulaq Lekiqit, Elez Mesit, Xhemal Selimit, Smajl Lulos e sa të tjerë. Dhe nata e errët e robërisë komuniste vijoi gjatë, tepër gjatë, deri sa përsëri Shkodra dha e para kushtrimin kundër diktaturës në vitet ’90. Përsëri rrugët e Shkodrës u lanë me gjak të pafajshëm të 4 deshmorëve të demokracisë e të disa dhjetrave të tjerë, që guxuan ashtu si baballarët e tyre të kërkojnë liri, demokraci, jo më me armë, se armët i kishin ata, por me fjalën e lirë e me shpirtin demokrat. Dhe Shkodra, martirja e shekujve, mbetet edhe sot simbol i demokracisë shqiptare, e papajtueshme me çdo lloj dhune dhe armike e çdo diktature.
Anëtar i Bordit Ekzekutiv pranë Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit në Shqipëri
Shkodra – Epiqendra E Rezistencës Antikomuniste Në Shqipëri
-
- Administrator
- Posts: 4726
- Joined: Sun, 16 Dec 2007 , 20:09
- Location: ITALI