Lajmet per skuadren e Vllaznise

Lajme te fundit nga Vllaznia

Moderators: GOLDIAN, Miri, vllaznia1919

Post Reply
vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Tue, 01 Mar 2005 , 14:35

Kuqeblutë, nata sërish pranë bregdetit

Ekipi shkodran, ashtu si edhe të enjten e kaluar në prag të ndeshjes me Shkumbinin për kampionat, edhe këtë herë do ta kalojë natën në bregdetin durrsak. Më konkretisht, Vllaznia, pasi të niset nga Shkodra sot pasdite në orën 16:30, do të sistemohet në hotelin "Dyrrah", rezidencë kjo e njohur edhe për kombëtaren shqiptare. Këtu ata do të qëndrojnë deri afër drekës së nesërme, për t'u nisur pastaj drejt Peqinit për ndeshjen e kupës me vendësit. Vetë sistemimi i shkodranëve në kushte të tilla është një tregues i seriozitetit që drejtuesit e saj tregojnë për plotësimin e të gjitha kushteve lojtarëve kuqeblu.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Fri, 04 Mar 2005 , 14:45

Vllaznia drejt realizimit të objektivave

Ekipi i Vllaznisë, nga ndeshja në ndeshje, është më pranë realizimit të objektivave, sigurisht të atyre objektivave që u vunë pas gjysmës së dytë të kampionatit, pasi u pa që titulli i kampionit në këtë sezon ishte i paarritshëm. Natyrisht, jo gjithçka ka vajtur vaj për shkodranët, por ata janë më mirë se më parë dhe tani jo më me deklarata, por me rezultate. Janë shumë pranë kalimit në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë dhe shtatë pikë larg vendit të dytë, një diferencë që mund të ngushtohet akoma më shumë kësaj jave, duke parë që Vllaznia do të ndeshet me Laçin, ndërsa rivalët elbasanas do të kenë përballë Tiranën, e cila do të kërkojë të rehabilitohet pas dy ndeshjeve jo të mira që ka bërë kohët e fundit. Por kuqeblutë pak shohin se çfarë bëjnë rivalët, ata shohin takimin e radhës, fitojnë, pastaj presin çfarë do të ndodhë në kampet e tjera. Kështu bënë me Shkumbinin javën e kaluar dhe kështu do të bëjnë edhe me modestët laçianë. Shkodranët, më shumë e kanë mendjen te ndeshja e një jave më pas me Lushnjën, që konsiderohet shumë e vështirë, për vetë faktin e rritjes në nivelin e lojës të "lagunarëve". Por deri atëherë ka kohë. Ajo çfarë është më e rëndësishme në kampin shkodran është stabilizimi i lojës dhe i formacionit. Gjithnjë e më shumë po bëhen pak lëvizje në fushë, ose edhe ato që bëhen janë të detyruara nga dëmtimet apo mungesat për shkak të kartonëve. Mund të thuash pa frikë që Vllaznia, gjatë gjysmës së parë të kampionatit, ka qenë skuadra më e pastabilizuar për sa i përket formacionit bazë dhe kjo ka ndikuar jo pak në rezultate. Nuk kishte ndeshje që trajneri Bici të mos kishte të dëmtuar apo të skualifikuar. Për pasojë, ai ishte i detyruar të bënte shumë modifikime. Lëvizjet e shpeshta, ndërrimi i roleve gati për çdo ndeshje, natyrisht që nuk mund të sillte shumë gjëra pozitive. Gjithsesi, Vllaznia tani është stabilizuar dhe duket shumë në formë. Kuptohet, objektivi primar për kuqeblutë mbetet kupa, pasi kjo do t'u jepte edhe pjesëmarrjen e sigurt në kupat europiane, i vetmi objektiv që u ka mbetur që nga fillimi i sezonit, mosarritja e të cilit konsiderohet fatale. Tani gjërat duken në rrugë të mbarë. Vllaznia është ndër të paktat ekipe që nuk e ka ndërruar trajnerin, pasi presidenca shkodrane e ka parë që ecuria jo e mirë përpara nuk ka ardhur vetëm për faj të trajnerit. Me siguri që sezonin tjetër Vllaznia do të përforcohet edhe më shumë dhe do të konkurrojë më denjësisht, si në kampionat dhe në kupë.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Sat, 05 Mar 2005 , 11:56

Sinani, nga stadiumi te kostumi i dhëndrit

Ka ardhur radha edhe Vioresin Sinanit të djegë shaminë e beqarit. Sulmuesi i njohur shkodran, pikërisht nesër do të vërë kurorë dhe ndeshja e sotme me Laçin do të jetë mundësia e tij më e mirë për të festuar këtë moment të rëndësishmë të jetës së tij me një gol. Ata ndoshta mund të jenë disa, por Viori një sot e ka shumë merak. Ndonëse sonte në mbrëmje do të bëhet dhëndër në shtëpinë e nuses së tij, Sinani nuk ka preferuar të jetë larg ekipit këto ditë, ndonëse është një pragndeshje relativisht e lehtë ajo me Laçin. Sulmuesi i njohur i Vllaznisë ka qenë edhe dje në stërvitje si një profesionist i vërtetë dhe sot njëkohësisht do të jetë i gatshëm për trajnerin Bici për t'u aktivizuar ndaj Laçit. Pas saj, Viorit i duhet të vrapojë për të veshur kostumin e dhëndrit. Ndërkohë, ceremonia e dasmës në shtëpinë e tij do të zhvillohet nesër. Me këtë rast, te gjithe tifozat shkodrane i urojne jetë të gjatë bashkëshortore bomberit te tyre Vioresin Sinanit.

Admin
Webmaster
Webmaster
Posts: 5601
Joined: Wed, 24 Nov 2004 , 03:41
Skuadra: Vllaznia
Location: Loro Boriçi
Contact:

Post by Admin » Tue, 08 Mar 2005 , 12:11

Rikthehet bora, probleme për kuqeblutë


Krejt papritur, mëngjesin e djeshëm, Shkodra është zgjuar me borë. Një shtresë e vogël kishte pushtuar gjithë qytetin verior gjatë gjithë ditës. Një gjë e tillë ka prishur pa dyshim edhe planet e stërvitjes së ekipit të Vllaznisë. Trajneri Bici, për të mos e lënë pushim skuadrën, ka vendosur që ajo të bëjë një kros në rrugën nacionale të Murriqanit. Në stërvitjen e djeshme kanë marrë pjesë të gjithë futbollistët, me përjashtim të 5 lojtarëve të grumbulluar me kombëtaren B dhe ekipin Shpresa. Ndërkohë, ajo që i shqetëson drejtuesit e Vllaznisë është përmirësimi apo jo i kushteve të motit. Nëse vazhdon e njëjta gjendje, problemet do të jenë të mëdha, aq më tepër kur në prag është një ndeshje shumë e vështirë si ajo me Lushnjën.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Wed, 09 Mar 2005 , 14:02

Vllaznia, morali më lart se kurrë

Rezultatet e Vllaznisë në javët e fundit kanë qenë vërtet për t'u pasur në konsideratë. Pas humbjes me Tiranën në "Loro Boriçi", kuqeblutë duket se "i kanë thirrur mendjes" dhe u janë rikthyer momenteve të mira të tyre. Që prej asaj ndeshjeje me bardheblutë, shkodranët nuk kanë humbur më dhe kjo gjë u ka dhënë më tepër mundësi për të forcuar pozitat në renditje. Por mbi të gjitha, siç thotë edhe trajneri i kësaj skuadre, Vasil Bici, te lojtarët është krijuar besimi se mund të bëjnë gjëra edhe më të mira sesa janë duke bërë. Pikërisht ky besim i rritur dhe fiksimi i idesë se skuadrat nuk kanë shumë diferenca me njëra?tjetrën, ka sjellë edhe 4 fitoret e fundit radhazi. Në Shkodër, tifozëria është e bindur se tashmë Vllaznia i ka të gjitha shanset për të pretenduar edhe vendin e dytë në renditje, çka automatikisht do të thoshte pastaj një vend i sigurt në Europë. Përveç ngrohtësisë që po i jep publiku, për mirë në rezultatet e fundit të skuadrës duhet thënë që ka ndikuar edhe mbështetja që presidenca e klubit po u jep sportistëve. Kjo jo vetëm në aspektin moral, por edhe në atë financiar, pasi në të gjitha ndeshjet e fundit për fitoret ka pasur premio. Në këtë prizëm, shanset janë që Vllaznia t'i bëjë një mbyllje të mirë këtij sezoni. Forma shumë e mirë që po kalojnë lojtarë të tillë, si Abilio, Lici, Belisha, Shehi e Teli është shoqëruar me një rritje të dukshme të lojës nga lojtarë të tjerë të rinj, si Doçi, Kraja, Ahi, Beqiri e Hoti. Pa harruar që është rikthyer në formën e tij më të mirë ndoshta Vioresin Sinani, i cili ka një rol determinant në lojën dhe ecurinë e këtij ekipi. Nga ana tjetër, ndonëse nuk doli ai lojtar që pritej të ishte, sërish braziliani Junior është duke e bërë mjaft mirë detyrën e tij, atë për të cilën Bici e vendos në fushë. Në pamje të parë nuk duket se kjo skuadër ka ndonjë gjë të veçantë, megjithatë mbetet Vllaznia dhe si rrjedhojë ajo ka autoritetin e vet. Përveç kampionatit, kjo skuadër më shumë se gjithçka tjetër dëshiron të sjellë në Shkodër kupën pas 18 vjetësh. Në të vërtetë, nuk është ëndërr, pasi duke e menduar të kaluar Shkumbinin, nga trofeu e ndajnë vetëm 3 ndeshje. Tri finale që, po të interpretohen mirë, natyrisht që do të sjellin edhe gëzimin e duhur. Presidenti Çela, në çdo deklaratë të tij ka shprehur hapur dëshirën dhe njëkohësisht entuziazmin për t'iu gëzuar një ditë një trofeu. Ata vërtet kanë vetëm dy vjet në krye të kësaj skuadre, por Vllaznia si emër është shumë e vjetër. Me të kanë gëzuar më parë shumë e shumë njerëz dhe tashmë është momenti të gëzojë dikush tjetër. Por që të ndodhë kjo, përveç fatit, mosndëshkimit nga gjyqtarët, duhet patjetër edhe shumë sakrificë dhe djersë.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Thu, 10 Mar 2005 , 15:00

Abilio rikthehet në stërvitje

Nuk ka zgjatur shumë mungesa e Abilios te Vllaznia. Pas dy ditë mungese në stërvitje, braziliani dje pasdite është bashkuar me shokët e tjerë të skuadrës, duke u vënë nën urdhrat e trajnerit Bici. Siç dihet, braziliani, që prej së dielës ka qenë duke kaluar një gjendje gripale dhe si rrjedhojë nuk ka mundur të stërvitet. Megjithatë, pas dy ditësh pushim, dje ai ka qenë më fushën stërvitore, duke filluar të mendojë që tani edhe ai për ndeshjen e së shtunës kundër Lushnjës. Gjendja e tij shëndetësore nuk është më e mira, megjithatë me shumë të ngjarë Abilio do të jetë në fushë të shtunën.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Fri, 11 Mar 2005 , 14:32

Kuqeblutë, natën e sotme në Durrës

Itinerari i ekipit shkodran në rrugën e tij të trasfertave do të jetë sërish i njëjtë edhe këtë javë. Ashtu siç vepron çdo herë tjetër, ekipi i Vllaznisë do të lërë Shkodrën një ditë përpara zhvillimit të ndeshjes së radhës. Kuqeblutë do të lënë qytetin e tyre në orën 16:30 të pasdites. Pas kësaj, udhëtimi i tyre do të ketë si destinacion Durrësin, ku dhe do të kalojën natën e sotme. Hotel "Dyrrahu" ka sjellë fat për shkodranët kohët e fundit dhe prandaj skuadra e Bicit nuk do të ndërrojë hotel as kësaj radhe. Këtu ata do të qëndrojnë deri nesër afër drekës, kur dhe do të marrin rrugën drejt Lushnjës, për të zhvilluar ndeshjen e radhës me vendësit. Formacioni, ende asnjë zgjidhje nga Bici Vllaznia ende nuk e ka deklaruar formacionin me të cilin do të luajë në ndeshjen e nesërme. Kjo edhe për faktin se këtë javë, për shumë arsye nuk është zhvilluar ndeshja e zakonshme e kontrollit, nga ku mund të dilte edhe 11-shja bazë. Arsyeja kryesore pse ka ndodhur kështu ka të bëjë edhe me gjendjen shëndetësore të disa prej futbollistëve të kësaj skuadre. Dyshimi më i madh është aktivizimi apo jo i Abilios. Braziliani është stërvitur me grupin dy ditët e fundit, por duket qartë që ende nuk e ka kaluar plotësisht gjendjen gripale që e pati pushtuar. Në këtë mënyrë, formacioni i kësaj radhe pritet të përcaktohet nga trajneri Bici vetëm në momentet e fundit përpara ndeshjes së nesërme me Lushnjën.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Mon, 14 Mar 2005 , 14:21

Vllaznia, humbja e paralajmëruar në Lushnjë

kishim parashikuar se Vllaznia nuk do të ishte ajo skuadër që duhej të ishte dhe në të vërtetë ashtu ndodhi. Shkodranët kanë zhgënjyer të shtunën edhe njëherë tjetër këtë sezon, duke bërë që në "Roza Haxhiu" fitorja e tyre të ishte një "mëkat" që nuk mund të ndodhte. Vetëm dy raste në 90 minuta lojë janë shumë pak për një skuadër elitare siç është Vllaznia. Një lojë e përgjumur a thua se kuqeblutë i kishte çuar kush me zor në Myzeqe. Duke qenë kështu, humbja e saj këtë javë ishte e merituar. Kështu kanë thënë të gjithë ata që e kanë parë këtë ndeshje me sytë e tyre. Kështu ka thënë edhe trajenri Bici pas ndeshjes. Por farë ngjau me Vllazninë që çoi dëm edhe atë moment të mirë që po kalonte javët e fundit. Ne e kishim paralajmëruar se kuqeblutë nuk e kishin shumë mendjen te ndeshja e kampionatit me Lushnjën. Ky paralajmërim vinte nga fakti që ishte e thjeshtë ta shikoje atë çmobilizim në radhët e kuqebluve në atë pragndeshje. E kur ke parasysh se ishte një ndeshje që duhej fituar, normalisht pikëpyetjet për atë shtohen. Gjatë gjithë javës punohet për të shkuar në Lushnjë për të fituar, por mesa u pa shkodranët se kishin menduar këtë gjë. Në mendjet e futbollistëve ekziston një teori që Elbasani nuk mund të kapet (kjo ide është deklaruar shpesh edhe nga drejtues të skuadrës shkodrane), prandaj dhe duhej menduar më tepër për ndeshjet e kupës. Djemtë e Bicit harruan se një fitore në "Roza Haxhiu" duhej të ishte detyrë për ta. Jo vetëm për luftën e vendit të dytë (Elbasani do të ishte dy pikë larg tani), por edhe për të prishur atë imazh të keq, të krijuar kohët e fundit për mosfuqinë e Vllaznisë për të fituar në Lushnjë. Nga kjo, jo më kot tifozët lagunarë jo pak raste të shtunën kanë brohoritur në stadium "Laçi, Laçi", si për t'u thënë kuqebluve se vërtet ata e mundin Laçin me 8 gola, por në Lushnjë është tjetër kush që vendos. Duke qenë kështu, shkodranët kanë ulur kokën për të disatën herë në këtë sezon. Kanë pranuar se në futboll nuk fitohet po nuk pate dëshirë dhe kësisoj kanë prishir edhe shumë gjëra sa u takon vetë atyre. Një vend i dytë në kampionat, ndoshta mund të kishte vlera të barabarta me fitimin e kupës, por këtë e kanë harruar ata. Sot në klubin Vllaznia mund të ketë ndonjë analizë. Kjo edhe mund të jetë e ashpër, por nuk pritet të ketë "koka të prera", as masa ndëshkimore apo gjëra të tjera. Nuk është as momneti dhe as koha e duhur. Tani është momenti për të qenë të mobilizuar në maksimum për të mos e lënë këtë sezon të shkojë dëm. Gabimet tani duhet të jenë me pikatore, ose të mungojnë fare dhe për këtë qëllim kërkohet karikim maksimal i skuadrës. Pa harruar që edhe presidenca e klubit duhet t'i kushtojë pak më tepër kohë në dispozicion Vllaznisë, nëse duan që ajo t'u japë gëzim këtë fund-sezoni.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Tue, 15 Mar 2005 , 14:54

Analiza, kuqeblutë pranojnë përgjegjësitë

Në analizën e djeshme, që stafi drejtues i Vllaznisë ka zhvilluar me lojtarët, është arritur në përfundimin se fajtorë për këtë humbje janë vetë ata. Analiza e bërë dje ka qenë e shkurtër, nuk ka zgjatur më shumë se 15 minuta. Ajo është zhvilluar përpara seancës së pasdites dhe trajneri Bici ka qenë ai që ka folur gjatë gjithë kohës. Në fjalët e tij, trajneri i Vllaznisë është munduar të vërë në sedër lojtarët e tij për atë lojë të dobët në Lushnjë, por nga ana tjetër ka kërkuar që të mërkurën të shohë në fushë një skuadër krejt tjetër. Vetë lojtarët e kanë pranuar që të shtunën kanë zhvilluar një nga lojërat e tyre më të dobëta, prandaj dhe kanë premtuar se ndaj Shkumbinit për kupë do të jetë krejt ndryshe.

User avatar
GoL
Tifoz
Tifoz
Posts: 92
Joined: Sun, 05 Dec 2004 , 15:11
Location: Shkoder
Contact:

Post by GoL » Thu, 17 Mar 2005 , 12:59

Kuqeblutë kalojnë në eufori në pjesën e dytë, megjithatë e shohin veten në gjysmëfinale të kupës 17-03-2005

Vllaznia, kualifikimi i vetërrezikuar

Gjergj Kola


Vllaznia është kualifikuar dje për në gjysmëfinale të kupës, megjithatë ndeshja me Shkumbinin ka treguar se për të nuk do të jetë e lehtë të pretendojë për fitimin e këtij trofeu. Skuadra shkodrane u vërtetua që ka shumë dobësi në radhët e saj, ku mbi të gjitha duhet evidentuar fakti që lojtarët e saj kënaqen me pak. Kjo u pa edhe në ndeshjen e kampionatit të shtunën në Lushnjë, kjo u vërejt edhe dje. Ndonëse në avantazh të një fitoreje të pastër nga ndeshja e parë, ndonëse 45 minutat e para të djeshme i mbyllën në avantazh të dy golave, kuqeblutë sërish kanë lëshuar, aq sa për pak peqinasit u kualifikuan, veçse edhe ata vetë e kuptuan që u zgjuan vonë. Takimi i luajtur dje pasdite në "Loro Boriçi" nuk ka pasur shumë emocione. Kjo edhe nga mungesa e ndjeshme e tifozëve, duke bërë që loja të ishte pa nerv. Dy golat e shënuar në pjesën e parë nga Vllaznia krijuan përshtypjen se çdo gjë mori fund. Por nga kjo u zgjuan miqtë. Trajneri Sejdini është kujtuar të fusë në lojë në pjesën e dytë edhe Begejën, i cili, falë edhe përvojës së tij, arriti që me golin e shënuar në minutën e 66?të t'u kujtojë shokëve të tij se asgjë nuk kishte përfunduar. Bici, ndërkohë, nga ana e tij, ka kryer shpejt tri zëvendësime për t'i lënë pak pushim Belishën, Telin dhe Gjokoviçin, por ata që u futën nuk e justifikuan aspak aktivizimin. Kalimi i minutave, dashje pa dashje, u shoqërua edhe me ndonjë tension të panevojshëm në radhët e lojtarëve të dy ekipeve dhe kjo shihet edhe te numri 7 i kartonëve të verdhë që gjyqtari Velçani nxori nga xhepi i tij. Ndërkohë, miqtë, të nxitur edhe nga shpërkujdesja e vendësve, kanë marrë zemër dhe me golin e dytë të Ivanajt kanë vënë në baraspeshë gjithçka. Por nuk pati më kohë. Vllaznia, edhe pse vazhdon të krijojë luhatje të mëdha në ecurinë e saj, vërtetoi atë që nuk është në momentin e saj më të mirë. Megjithatë, ky kualifikim për ta vlen, sepse në fund të fundit e merituan. Fitorja në ndeshjen e parë në Peqin ishte vendimtare, megjithatë Shkumbini ishte vetëm një hap i hedhur për ta. Rruga drejt fitimit të kupës natyrisht që do të jetë shumë më e vështirë dhe këtë do ta vërtetojnë ndeshjet e ardhshme. Për të kaluar në finale dhe për ta fituar këtë trofe shkodranëve u duhet shumë punë. Nëse ata do të luajnë si në ndeshjet e fundit, kot që pretendojnë për ta fituar kupën. Tani nuk ka më short të lehtë, pasi të tri ekipet që mund të bien në short janë të forta. Ndoshta shkodranët do të donin që vetëm me Tiranën të mos ndesheshin, pasi kampionët kanë fituar dy herë brenda në Shkodër dhe njëherë në Tiranë, duke ua marrë dorën kuqebluve. Gjithsesi, duhet më shumë mobilizim, më shumë grintë dhe lojë të mirë për shkuar më tej. Vllaznisë, kohët e fundit, i është shtuar edhe një problem, mungesa e tifozëve në stadium. Duke parë ecurinë jo të mirë dhe lojërat jo të mira që bëjnë idhujt e tyre, tifozët sa vijnë dhe pakësohen, madje disa prej tyre në stadium kontestojnë skuadrën e tyre dhe nuk janë aspak të kënaqur me rezultatet. Kuptohet që kjo është e përkohshme, por Vllaznia duhet të reagojë sa s'është vonë, pasi stadiumi "Loro Boriçi" është një nga stadiumet që popullohet më shumë. Por ama tifozët kuqeblu janë ndryshe nga të tjerët, pasi duan të shohin përherë spektakël, çka Vllaznia nuk ua ka dhënë shumë këtë sezon, madje i ka zhgënjyer disa herë. Për kuqeblutë pistat e Europës janë të hapura, jo vetëm në kupë, por edhe kampionat. Nëse merr maksimumin e mundshëm të pikëve në fazën e katërt, ata mund ta zënë dhe pse jo ta kalojnë Elbasanin e vendit të dytë, i cili dje i ka larë duart me kupën. Megjithatë, që të realizohet kjo, duhen bërë paraqitje dinjitoze dhe kërkohet përkushtim nga të gjithë lojtarët, gjë që s'e kanë treguar në shkallën e duhur dy ndeshjet e fundit. Deklarojnë: Vasil Bici, trajner i Vllaznisë: "Gjatë gjithë këtyre ditëve jemi munduar t'i mbajmë lojtarët të karikuar, duke u thënë se kualifikimi ende nuk ishte siguruar dhe, siç e patë, për pak vumë në rrezik gjithçka. Vinim nga një fitore në ndeshjen e parë, fituam 2?0 pjesën e parë sot dhe në të dytën nuk mund ta shpjegoj pse lojtarët e mi e lëshuan ashtu lojën. Fatmirësisht, u kualifikuam dhe jemi në gjysmëfinale, por e kemi të qartë se tani e tutje na presin sfida më të vështira. Do të jetë shumë e vështirë të fitojmë siç fituam në Peqin, por njëkohësisht nuk do të na falet nëse falim në Shkodër." Faruk Sejdini, trajner i Shkumbinit, u largua shpejt nga ambientet e stadiumit, duke mos u prononcuar për mediat. Të veçanta: - Shumë pak tifozë e kanë ndjekur takimin e djeshëm, vetëm 400?500 veta. Ndoshta është rekordi më negativ i shumë e shumë viteve për "Loro Boriçin". Dyert e stadiumit nuk janë hapur as pas pjesës së parë. - Fitorja e djeshme e Vllaznisë nuk ka kaluar pa u kontestuar edhe nga ata pak tifozë që ishin në stadium. Për ta, kuqeblutë, nisur edhe nga pretendimet që kanë, duhet të jenë shumë më ndryshe në fushën e lojës. - Shtatë kartonët e nxjerrë nga gjyqtari Velçani të krijojnë përshtypjen e një takimi "të nxehtë ", megjithatë krejt ndryshe ka qenë atmosfera në fushë. Vetëm në një apo dy raste ka pasur polemika në mes lojtarëve të dy ekipeve.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Sat, 19 Mar 2005 , 14:39

Vllaznia, gjoba për 4 lojtarë të saj

Në mbledhjen e fundit që presidenca e klubit ka zhvilluar me skuadrën është marrë masë ndëshkimore edhe për 4 nga futbollistët e Vllaznisë. Kjo masë është marrë kryesisht për shkaqe disiplinore dhe, sipas presidentit Çela, është marrë me qëllimin që disiplina te Vllaznia të jetë në shkallën më të lartë. Siç bëhet e ditur, lojtarët e gjobitur janë Alcani, Kraja, Ahi dhe Hoti. Të gjithë këta futbollistë, në një mënyrë apo në një tjetër, ditët e fundit me disa veprime të tyre kanë bërë që sponsorët e klubit të ndalen te veprimet e tyre dhe t'i penalizojnë ata financiarisht. Mësohet se masa e gjobës për secilin prej tyre të jetë nga 300 mijë lekë të vjetra. Kuqeblutë, me mungesa ndaj Teutës Trajneri Bici nuk do t'i ketë në dispozicion të gjithë futbollistët për ndeshjen e sotme kundër Teutës. Kështu, atij do t'i mungojë sot mesfushori Franc Ahi, që është i skualifikuar për arsye kartonësh, si dhe 17-vjeçari i talentuar Xhevahir Sukaj. Ky i fundit ka plasur kockën e këmbës së majtë në ndeshjen e fundit me ekipin e të rinjve dhe për rrjedhojë sezoni i tij i parë me Vllazninë mund të quhet i përfunduar. Buduçnost, kërkesë për miqësore në Shkodër Ky është lajmi më i fundit që merret vesh në zyrat e klubit shkodran. Klubi i njohur malazez i ka kërkuar Vllaznisë të zhvillojë një miqësore me të në ditët e ardhshme. Malazezët madje kanë përcaktuar edhe datën kur mund të luhet kjo miqësore, pikërisht të shtunën e ardhshme, kur kampionati ynë është pushim për shkak të ndeshjeve të kombëtares sonë. Drejtuesit e Buduçnostit madje janë shprehur të gatshëm edhe për të ardhur në Shkodër për ta zhvilluar këtë miqësore. Ndonëse përgjigjja e drejtuesve të Vllaznisë ende nuk është dhënë, me shumë të ngjarë kjo miqësore do të luhet.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Wed, 23 Mar 2005 , 14:35

Një kosovar në stërvitje me Vllazninë

Ardhja e trajnerit të ri te Vllaznia është shoqëruar edhe me atë të një lojtari kosovar. Ai quhet Meriton Spahiu dhe vjen nga futbolli zviceran. Kështu të paktën ka deklaruar ai për gazetën "Sporti shqiptar" dje paradreke, kur ka zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore me kuqeblutë. Lojtari shtatshkurtër është 19 vjeç dhe luan në rolin e sulmuesit. I sapoardhuri është shprehur që do të qëndrojë disa ditë në Shkodër, ku dhe do të testohet nga stafi drejtues i saj. Presidenca kërkon disiplinë te kuqeblutë Gjatë prezantimit të djeshëm të trajnerit të ri Agim Medja përpara skuadrës, drejtues të presidencës së Vllaznisë u kanë kujtuar futbollistëve se ata duhet të respektojnë në maksimum trajnerët, vetveten dhe ata që u japin lekët. Zëvendëspresidenti Amuli, duke folur para skuadrës, u ka kujtuar njëkohësisht lojtarëve edhe masat ndëshkimore që mund të pësojnë nëse arrijnë të bëhen objekt i të tilla shkeljeve të disiplinës në ekip. Të njëjtën gjë ka kërkuar edhe zëvendëspresidenti tjetër, Fushaj, i cili, përveçse ka uruar Medjan për detyrën e re, u ka kujtuar sportistëve se objektivat e klubit janë ende në lojë dhe duhet bërë maksimumi për t'i arritur ato.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Sat, 26 Mar 2005 , 14:36

"Zhduket" kosovari që u stërvit me Vllazninë

Vetëm një ditë është stërvitur me Vllazninë kosovari 19-vjeçar, Meriton Spahiu. Ai pasi ka zhvilluar dy seanca me këtë ekip të martën, ditën e mërkurë nuk është dukur më në stërvitje. I sugjeruar nga nuk dihet se kush për të ardhur në Shkdoër, sulmuesi që tha se kishte luajtur në Zvicër, është larguar shpejt nga Shkodra. Të pyetur në lidhje me këtë fakt, drejtuesit e Vllaznisë janë shprehur të çuditur me mënyrën si ai erdhi në ekip dhe po ashtu edhe me atë se si iku. Ndoshta fakti që tani në këtë moment nuk mund të luante me kuqeblutë e ka trembur kosovarin që iku shpejt, pa treguar se çfarë ishte në gjendje të bënte.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Sat, 26 Mar 2005 , 14:36

Kuqeblutë, sot test të rinjve

Ndryshe nga sa ishte planifikuar, miqësorja me malazezët e Buduçnostit nuk do të zhvillohet. Fqinjët kishin bërë kontaktet me ish-trajnerin e Vllaznisë, Vasil Bici, por në fillim të kësaj jave kur prisnin përgjigje, ai nuk e kishte më mendjen te skuadra. Për rrjedhojë, mundësia për ta luajtur këtë miqësore ka rënë poshtë. Duke qenë kështu, trajneri i sapoemëruar në krye të kuqebluve, Agim Medja, ka patur dëshirën të zhvillojë një tjetër test kontrolli për të parë më nga afër gjendjen e ekipit, aq më tepër që bëhet fjalë për një përgatitje para një ndeshje të rëndësishme, siç është ajo ndaj Dinamos. Duke qenë kështu, sot Vllaznia do të zhvillojë një test kontrolli. Para saj, kur pritej që të ishte Ada e Velipojës, do të jetë njëri prej ekipeve të të rinjve të klubit shkodran.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Sat, 26 Mar 2005 , 14:37

Vllaznia, skuadra e mbushur me "gradime"

Në ecurinë e kuqebluve kanë qenë të shumta edhe lëvizjet jo vetëm të lojtarëve por edhe të stafit drejtues. Shembujt më të fundit e vërtetojnë më së miri këtë gjë, por në fakt ajo që duhet evidentuar është qetësia me të cilën punon presidenca. Kjo e fundit, ashtu si edhe vitin e kaluar, edhe këtë vit duket shumë e vendosur për t'i dhënë votëbesimin maksimal të përzgjedhurve të saj. Një gjë e tillë vërtetohet nga lëvizjet që bëhen. Të tilla ishin edhe këto të fundit. Vasil Bici vërtet u largua dhe presidenca nuk e parapëlqeu një vendim të tillë të këtij trajneri, por në fund e "dorëzuar" përballë këmbënguljes së tij, është detyruar të mendojë për pasardhësin. Por pavarësisht se Bici u largua, shumë e veçantë ishte deklarata e sponsorëve të klubit për t'ia njohur kontratën atij. Në të vërtetë nuk kishte arsye pse të ndodhte kështu. Në Shqipëri të paktën kontratat me trajnerët as që nuk bëhet fjalë për t'u respektuar, aq më tepër për të marrë edhe ndonjë lekë nga ato që mbeten pas. Në rastin "Bici" gjërat janë vërtet për t'u çuditur. Në radhë të parë, kur trajneri largohet vetë, nuk bëhet fjalë për të kërkuar respektimin e kontratës, sepse nuk ka qenë klubi ai që e ka prishur atë. E dyta, presidenca shkodrane i bëri thirrje sërish këtij trajneri për të vazhduar punën me ekipin, por Bici nuk luajti nga vendimi i tij. Atëherë u gjet zgjidhja, Bici emërohet konsulent teknik. Megjithatë, të gjithë e kanë të qartë se ai nuk do të duket më në Shkodër, pavarësisht se presidenti deklaroi se ai do të jetë pranë skuadrës, si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje. Por kjo me shumë të ngjarë do të jetë një gjë sa për t'u thënë. Ai vështirë të duket më në qytetin verior. Bashkë me Bicin është larguar edhe ndihmësi i tij Mustafaraj. Largimi i tij, përveçse për arsye të ndërrimit të trajnerëve, ka pasur brenda edhe një qejfmbetje. Të hënën pasdite ai konsiderohej trajner i parë pas largimit të Bicit, ndërsa në mbrëmje krejt papritur presidenca është kujtuar për trajner tjetër. Megjithatë, edhe pse nuk pranoi të punonte si zëvendëstrajner, Mustafaraj e kishte gati vendin e punës, atë të drejtorit teknik të klubit Vllaznia, pozicion në të cilin merr prej dy vitesh edhe rrogën. Nga ana tjetër, me këtë emërim të ri të njeriut që punoi me skuadrën dilte tepër Paulin Ndoja. Figura e madhe e portës shkodrane dhe asaj shqiptare deri të mërkurën mbante detyrën e drejtorit teknik të Vllaznisë. Më pas ka ndodhur rrokada me Mustafarajn dhe Ndoja emërohet ndihmës i Medjes. Ajo që të bën përshtypje në këtë lëvizje është fakti që Ndoja nuk është njeriu që stërvit portierët (ky është pozicioni i tij i preferuar), por krahu i djathtë i trajnerit të parë. Këto lëvizje dikujt i kanë pëlqyer dikujt jo, por ajo që na diktoi këto radhë ishte qetësia me të cilën kryhen. Mbi të gjitha nuk ka largime me të keq. Kështu ndodhi një vit e gjysëm më parë edhe Agim Medjes, kur, pas shkarkimit nga pozicioni i sekretarit të klubit, e patën përzgjedhur si zëvendëspresident. Sot ndërkohë Medja është në "timonin" e Vllaznisë, fakte që vërtet të krijojnë një ndjesi disi të çuditshme.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Sun, 27 Mar 2005 , 15:22

Mbyllet java e parë nën drejtimin e Medjes

Dje paradite kuqeblutë kanë zhvilluar seancën e fundit stërvitore të javës, e cila ishte njëkohësisht e para për trajnerin e ri të Vllaznisë, Agim Medja. Ky i fundit për herë të parë drejton si trajner i parë një ekip të rriturish dhe këto 5 ditë i kanë mjaftuar atij të njihet me ekipin, të shohë më nga afër veçoritë dhe karakteristikat e secilit lojtar. Dje paradreke ekipi ka zhvilluar një ndeshje kontrolli. Ndryshe nga sa pritej, përballë kuqebluve nuk ka qenë ekipi i të rinjve, por janë përballur formacioni i parë me atë të dytë. Normalisht, periudha në të cilën ai e ka marrë drejtimin e kuqebluve nuk ka qenë ajo idealja për një trajner. Megjithatë Medja ka guxuar. Njëfarë favori për të ishte kjo javë pushimi, pasi gjatë saj ka pasë mundësi të rregullojë disa gjëra që nuk shkonin siç duhet në ekip. E nëse java e parë nën drejtimin e Agim Medjes tashmë është mbyllur, e rëndësishme për të do të jetë kjo e dyta, kur do të përballet me një sfidë të rëndësishme, siç është ajo me Dinamon.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Thu, 31 Mar 2005 , 21:04

Medja, skema të reja për Vllazninë

Ardhja e trajnerit të ri në krye të Vllaznisë do të sjellë rrjedhimisht edhe ndryshime në formacionin dhe skemat e lojës së kuqebluve. Ai më i rëndësishmi duket se do të ndodhë në repartin e sulmit. Agim Medja ka vendosur "të prishë" dyshen sulmuese Abilio-Sinani. Kjo jo për qëllime negative, përkundrazi. Ajo çfarë konstatohet në vendosjen e re të ekipit shkodran është një kalim përpara për në vijën e parë të mesfushorit me tipare sulmuese Franc Ahi. Ky lojtar, në periudhën e drejtimit të ekipit nga Vasil Bici është vendosur prej tij në rolin e mesfushorit të krahut. Por pavarësisht aftësive të mira fizike të këtij 23-vjeçari, ai në asnjë moment nuk arriti të bindë plotësisht. Një gjë e tillë vinte nga fakti që Ahi, duke mos luajtur asnjëherë prapa, kishte shumë vështirësi në lojën mbrojtëse të skuadrës, ku shpeshherë kanë ardhur edhe gabime që kanë kushtuar shumë. Duke qenë kështu, trajneri i ri Medja ka vendosur ta fitojë këtë sportist. Dhe "arma" me të cilën ka kërkuar ta bëjë është pikërisht vendosja në pozicionin e tij të preferuar, atë të sulmuesit. Një lëvizje e tillë natyrisht që do të kishte edhe koston e vet. Siç e përmendëm më lart, vendimi për të ndarë dyshen Abilio-Sinani nuk ka qenë i lehtë. Megjithatë, trajneri Medja ka përfituar nga një fakt: braziliani luan mjaft mirë edhe në pozicionin pas dy sulmuesve, aty ku deri para pak kohësh te Vllaznia luante Salihi. Vetë trajneri shkodran e komenton në këtë mënyrë këtë zgjedhje të tij: "Ne jemi duke e menduar një zgjidhje të tillë dhe, meqë nuk kemi ku të marrim lojtarë të tjerë, jemi duke u munduar që të marrim më të mirën nga lojtarët që aktualisht janë kontigjent i ekipit. Një rast i tillë është edhe ai i Ahit. Duke i njohur aftësitë e shkëlqyera fizike të këtij lojtari, mendova që ai të provohet në vijën e parë të sulmit, ku mund t'i shprehë më mirë vlerat e tij. Njëkohësisht, me kalimin e Ahit në sulm do të ketë edhe një spostim më prapa të Abilios. Nga ana tjetër, edhe vetë Ahi ndihet i kënaqur që më në fund do të luajë në vendin e tij të preferuar. Në të vërtetë, si sulmues, shtatlarti 23-vjeçar ka luajtur para dy vitesh në radhët e Veleçikut në kategorinë e parë, apo edhe vitin e kaluar në disa ndeshje nga ana e trajnerit Haxhiosmanoviç. "Te Vllaznia kam luajtur në disa pozicione, por natyrisht që si sulmues ndihem mjaft mirë dhe mund të jap maksimumin tim. Duke qenë se trajneri Medja do të më japë këtë mundësi për të luajtur si sulmues, natyrisht që do të mundohem ta justifikoj më së miri këtë besim që po tregon ndaj meje,"shprehet Ahi. Në këtë mënyrë, starti i trajnerit të ri te Vllaznia do të nisë edhe me ndryshime të reja. Ndryshime këto që pritet të konstatohen edhe në repartet e tjera të skuadrës shkodrane.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Thu, 31 Mar 2005 , 21:05

Sekretari Hoxha në Greqi për kombëtaren

Interesi për ndeshjen e kombëtares sonë me Greqinë natyrisht që ka përfshirë njerëz të të gjitha fushave, duke përfshirë këtu mbi të gjitha ata që kanë lidhje me futbollin. Një i tillë ka qenë edhe sekretari i klubit të Vllaznisë, i cili këto ditë, pasi është pajisur me vizë greke, ka udhëtuar drejt vendit fqinj për të parë ndeshjen mes dy ekipeve tona. Natyrisht, një udhëtim i tillë ka pasur brenda edhe interesimin për ndjekjen e tre futbollistëve të Vllaznisë të grumbulluar në ekipet tona kombëtare për këto ndeshje nga trajnerët Brigel e Lika.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Fri, 01 Apr 2005 , 13:27

Vllaznia, pa shpërblime me blutë

Pavarësisht se kundërshtari i radhës i kuqebluve e ka bërë publike shumën e shpërblimit në rast fitoreje në Shkodër, vendësit, përkundrazi, çdo gjë janë duke e pritur në heshtje për sa i takon këtij problemi. Askush nga presidenca nuk ka pasur kontakt me ekipin gjatë këtyre ditëve për këtë çështje, prandaj nuk mund të thuhet me saktësi se çfarë do të ngjasë. Dinamo, siç është bërë e ditur, ka vënë në dispozicion të futbollistëve të saj një shumë nga 1000-1500 dollarë për secilin, në rast fitoreje ndaj djemve të Agim Medjes. Megjithatë, fitorja për futbollistët e Vllanisë, më tepër se për arsye të përfitimit të shpërblimit, është detyrë. Vendi i tretë është një kusht që u është vënë atyre nga presidenca e klubit dhe, për më tepër, luhet në Shkodër, ku tifozeria vendëse nuk do pajtohet me rezultat tjetër. Shkodra, krenare për kuqezinjtë e saj Në dy ndeshjet e ekipeve tona kombëtare me Greqinë, për shkodranët me interes ka qenë edhe ndjekja e dy djemve të saj, Krajës dhe Licit. I pari ka bërë një figurë mjaft të mirë në ndeshjen e Shpresave, duke treguar se e meriton një vend stabël në formacionin e saj. Po ashtu, edhe Lici ka treguar edhe një herë se është në gjendje të japë më të mirën e tij sa herë që Brigeli i beson atij. Paraqitja e këtyre dy lojtarëve dhe, për më tepër, mospësimi i ndonjë traume në këto ndeshje nga Kraja e Lici, i ka qetësuar edhe drejtuesit e Vllaznisë.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Sat, 02 Apr 2005 , 14:10

Vllaznia-Dinamos: Harroje vendin e tretë!

Emocionet e pragndeshjes Vllaznia-Dinamo duket se kanë përfshirë tashmë jo vetëm tifozëritë e të dyja skuadrave, por edhe vetë pjesëtarët e tyre. Deklaratat sa nga njëri kamp, aq edhe nga tjetri, vijnë me optimizëm të theksuar të palëve respektive për një fitore sot në "Loro Boriçi". Ajo që do të vendosë në këtë mes natyrisht që do të jetë fusha e lojës. Nga kampi i bluve vjen mesazhi që Dinamo do të fitojë në këtë ndeshje të rëndësishme, ashtu siç ka bërë tre vjet më parë po në këtë stadium, ku dhe u shpall kampione e vendit. Rëndësia duket e njëjtë për ta, ndoshta jo për nga trofeu, por nga fakti që edhe sot djemve të Agim Canajt u duhet medoemos fitorja nëse duan të sigurojnë kupat e Europës. Parë kështu, takimi i sotëm duket më i rëndësishëm për miqtë, por nuk është krejt kështu. Presioni mbi vendësit është shumë i madh. Presidenca e klubit kërkon me çdo kusht fitoren për të siguruar vendin e tretë, që do të thotë të paktën një Kupë Intertoto. Sulmuesi i Vllaznisë, Vioresin Sinani, në një prononcim të tij do të shprehej me nota optimiste për paraqitjen e skuadrës së tij në ndeshjen me Dinamon. "Kjo ndeshje është shumë e vështirë, sepse të dy ekipet kanë një objektiv të vetëm, fitoren. Dinamo është një skuadër me një përbërje të mirë dhe do të bëjë çmos që të fitojë në Shkodër, sepse kjo është rruga e vetme e saj për të pretenduar në Europë. Megjithatë, të njëjtin objektiv kemi edhe ne. Luajmë në fushën tonë dhe e dimë se me një fitore sigurojmë përfundimisht vendin e tretë, prandaj duhet të luajmë fort për ta arritur. Unë e kam theksuar shpesh se vendi i tretë është vendi i merituar për Vllazninë në këtë kampionat, nisur nga paraqitjet që ajo ka bërë," - thotë sulmuesi shkodran. Takimi i sotëm është njëkohësisht edhe debutimi i Agim Medjes në stolin e kuqebluve. Një start të tillë natyrisht që e dëshiron me fitore, aq më tepër që vendi i tretë mund të quhet gjysma e suksesit për të në këtë periudhë, kur ka marrë drejtimin e ekipit shkodran. Duke qenë kështu, më shumë se ai, fitoren në këtë ndeshje nuk e dëshiron askush tjetër në Shkodër. "Dëshira është e madhe që puna ime të nisë me fitore, pasi ajo do të ndihmonte që të punonim, ashtu si unë edhe skuadra, të qetë për arritjen e objektivave që klubi ka. Megjithatë, ndeshjen me Dinamon e parashikoj të fortë, por jo të pakalueshme. Luajmë në fushën tonë dhe, për më tepër, para publikut tonë të zjarrtë, prandaj nuk ka arsye pse të mos mendojmë fitoren në këtë ndeshje," - shprehet trajneri që do të bëjë debutimin e tij sot në stolin e Vllaznisë. Në këtë mënyrë shihet qartë që shkodranët do të jenë shumë "të uritur" sot edhe nga fakti që shanset për të fituar kupën tashmë janë jo të mëdha. Të paktën me vendin e tretë në kampionat një vend në Europë është i sigurt.

Post Reply