Ish lojtaret e kombetares

Diskutoni rreth ekipit tone Kombetares ,futbollisteve te saj , etj.

Moderator: GOLDIAN

Post Reply
vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Ish lojtaret e kombetares

Post by vllaznia1919 » Thu, 03 Mar 2005 , 14:39

Bledar Kola: Kombëtarja të luajë ndryshe

Edhe pse ka kaluar rreth një muaj nga ndeshja e kombëtares sonë me Ukrainën, prapëseprapë ajo vazhdon të jetë në qendër të opinionit sportiv. Humbjen më shumë duket se e ndiejnë ata që janë rritur e i kanë dhënë gjithçka kësaj kombëtareje. Këtë e ndien tek bisedon me një nga më të mirët e saj ndër vite, Bledar Kolën. Kola, tani flet në pozitat e një trajneri, por edhe të një ish-futbollisti, që e di mirë se nga vuan ajo. Ish-numri 9 i kombëtares sonë thotë se "thembra e Akilit" e skuadrës kuqezi është mbrojtja. "Kombëtarja, - nënvizon në fillim ai, - duhet të luajë ndryshe. Kërkohet një koncept më i drejtë për mbrojtjen. Ekipet fillojnë nga mbrojtja." Sipas tij, koncepti i të gjithëve duhet të jetë se mbrojtja është shumë më e rëndësishme se sulmi. Dhe sjell si shembull përfaqësuesen e Greqisë. Ai shton se vetëm duke pasur një koncept të qartë për lojën mbrojtëse, nuk do të kënaqemi vetëm me lojëra të bukura, të cilat na kanë kushtuar gjithnjë shtrenjtë. Bledar Kola nuk është dakord me thënien e Briegelit se ne "do të shkojmë në eliminatoret e kampionatit botëror". "Nuk është serioze të flasësh kështu," - thotë asi shqiptar, që kulmin e karrierës së tij e ka shënuar me ekipet më të njohura të Greqisë, si Panathinaikos, AEK etj. "Gjithashtu, - shton Kola, - nuk jam dakord me thënien se Shqipëria nuk ka talente." Për këtë ai sjell shembullin e futbollistit të ri Hamdi Salihi. "Më ka mahnitur, kur e kam parë Salihin të luaj me Panioniosin." Njëherazi, Kola vlerëson lart punën e trajnerëve shqiptarë, si të Rrelit, Birçes, Bajkos, por sidomos të Hafizit e të Zhegës. Por njëkohësisht ai nuk mohon Brigelin, duke thënë për të se nuk është ai fajtori, por ata, që e kanë caktuar dhe që nuk i kërkojnë llogari për punën që bën. "Eshtë absurde, - thotë Kola, - që asnjë trajner shqiptar nuk punon në stafin e kombëtares. Kjo më duket tepër e habitshme," - shprehet në intervistë një nga trajnerët më të rinj, Bledar Kola. - Bledi, po bëhet gati një muaj nga ndeshja e kombëtares sonë me Ukrainën. Cili është mendimi juaj për lojën e saj? - Ajo që më bëri përshtypje është se të dy golat i pësuam nga gabimet në mbrojtje. Unë them se nuk luajtëm keq në përgjithësi, por u ndëshkuam, si gjithmonë, nga gabimet fatale dhe elementare në prapavijë. - Nuk luajtëm keq, por pësuam dy gola... - Eshtë një fakt interesant. Kështu ka ndodhur shpesh me ne. Ekipi luan mirë, por humbet. - Përse ndodh kjo, sipas jush? - Ajo që mendoj unë është se nuk dimë të mbrohemi. Kemi një koncept të gabuar në lojë. Ekipet fillojnë nga mbrojtja dhe, për mendimin tim, një mbrojtje e mirë është edhe një sulm i mirë. - Eshtë ky konkluzioni juaji apo një mendim i përgjithshëm? - Jo, ky është konkluzioni im. Për këtë dua të marr si shembull kombëtaren greke, e cila u shpall pak kohë më parë kampione e Europës. - Brigel dhe Rehagel, dy trajnerët e kombëtareve të Shqipërisë dhe të Greqisë, janë gjermanë. Ku ndryshojnë ata nga njëri-tjetri? - Gjithnjë nisem nga mendimi im personal. Në ndryshim me Brigelin, Rehageli i dha kombëtares së Greqisë një koncept mbrojtjeje, pra forcoi mendimin se më parë duhet të mbrohesh e pastaj të sulmosh, nëse kërkon të arrish diçka pozitive. Këtë koncept mbrojtjeje nuk e ka Brigeli. - Sa e rëndësishme është për futbollistët një atmosferë optimiste para ndeshjes? - Kjo është shumë e domosdoshme, por nuk duhet kaluar në eufori, sepse ka efekt të kundërt. - Nga se niseni kur e thoni këtë? - Para ndeshjes me Ukrainën lexova në një nga faqet e internetit pyetjen se "Sa ka mundësi Shqipëria të kualifikohet?" Unë u përgjigja: "Eshtë diçka shumë e vështirë." Por u befasova kur shumë prej atyre që i përgjigjeshin pyetjes për kualifikim, thoshin po, do të kualifikohemi. - A mendoni se kjo ka të bëjë me atë ndjenjë euforie që thatë më parë? - Po, kështu mendoj. Jemi shumë entuziastë, edhe pse një gjë e tillë është gati e pamundur. - A mendoni se kjo eufori e ka edhe një bazë? - Mos doni të thoni se këtë atmosferë e krijoi Brigeli, kur tha në fillim se Shqipëria do të kualifikohet në finalet e botërorit? Ndoshta, por, për mendimin tim, që të realizohet ky objektiv është shumë e vështirë. Një deklaratë të tillë nuk do ta bënte as Rehageli sot për Greqinë, i cili të paktën e bëri skuadrën greke kampione të Europës. Ndaj deklarata e Brigelit më duket e gabuar. - Mos ka ardhur koha për të ndryshuar diçka nga kjo kombëtare? - Unë nuk ndryshoj asgjë nga mendimi im, që kam thënë edhe më parë. Ndryshimi duhet bërë, por ai duhet bërë gradual. Eksperienca e të rriturve duhet gërshetuar gjithnjë me vrullin e dinamizmin e më të rinjve. - Ju flisni për ndryshim, por në fakt kombëtaren e përbëjnë thuajse ata futbollistë me të cilët keni luajtur edhe ju... - Sigurisht që duhet ndryshuar, por gjithnjë i qëndroj mendimit se duhen thirrur në kombëtare ata futbollistë që aktualisht gëzojnë formën më të mirë. - E pra, tek ne nuk ka ndodhur kështu... - Seriozisht më vjen keq që nuk ka ndodhur pikërisht kështu. Më vjen keq që nuk është thirrur Fatmir Vata, i cili gëzon një formë jashtëzakonisht të mirë. Unë e njoh nga afër Fatmirin dhe njoh dëshirën e tij për t'i shërbyer kombëtares, ashtu siç njoh edhe Bogdanin. Kështu më ka ndodhur dikur edhe mua. Një gjë e tillë nuk ndodh kurrsesi në asnjë ekip apo kombëtare të botës. Duhet të luajë më i miri. Kjo s'do mend për t'u kuptuar dhe vënë në jetë nga çdo trajner. - Pra, jeni i mendimit se në kombëtare duhet të luajë ai që e meriton? - Patjetër, unë i qëndroj këtij mendimi edhe tani. Mund të bëjnë përjashtim një ose dy futbollistë, që trajneri i shikon si baza e ekipit. Unë them që stoli nuk e dëmton futbollistin. Kur në kombëtare thirren më të mirët, pra ata që e meritojnë, nuk do të ketë kritika as nga shtypi. Kështu trajneri duhet të jetë i drejtë, i saktë. - A keni ju ndonjë mendim për formacionin? - Jo, nuk më takon mua të flas për këtë, por them se nuk bëhet gjë për t'i dhënë një mundësi Fatmir Vatës për të luajtur 90 minuta. Nuk bëhet gjë për t'i dhënë më shumë hapësira aktivizimi Bogdanit. - Më shkoqur, sipas jush, nga se erdhi humbja e ekipit tonë me Ukrainën? - Unë e njoh trajnerin e Ukrainës. Bllohinin e kam pasur trajner. Ai e lexoi lojën e ekipit tonë, ndaj dhe fitoi pa shumë mund. Në futboll nuk mund të jesh i sigurt se çfarë mund të ndodhë. Ne jemi Shqipëria dhe jo Anglia. - A mund ta drejtojë një ekip kombëtar një trajner që nuk ka njohje të plotë të futbollistëve që drejton? - Kurrsesi jo. Për mendimin tim, trajneri i kombëtares nuk ka si qëllim të stërvitë futbollistët ato 3-4 ditë para ndeshjeve, sepse ata stërviten në klubet e tyre, atje ku luajnë. Trajneri i kombëtares ka për detyrë t'i vëzhgojë kandidatët e ekipit kombëtar kudo ku luajnë, edhe në Australi, në qoftë se luajnë, jo më në Europë. Në qoftë se ai nuk e bën këtë, pra nuk vjen në Greqi, Turqi, Itali, Gjermani apo kudo ku luajnë lojtarët shqiptarë, duhet ta lërë këtë punë dhe në krye të saj të vihen ata njerëz, që e bëjnë mirë detyrën e trajnerit të ekipit kombëtar. - Cili është mendimi i Kolës për trajnerët shqiptarë? - Gjatë karrierës sime sportive kam pasur të bëj me shumë trajnerë të njohur, madje me mjaft emër, duke përfshirë këtu edhe Bllohinin. Megjithatë, e them me bindje se trajnerët tanë janë shumë të përgatitur. Kur them kështu kam parasysh trajnerë si Shyqyri Rreli, Bejkush Birçe apo Neptun Bajko, që kanë drejtuar më parë kombëtaren. Sigurisht, vlerësoj lart edhe punën e trajnerëve Astrit Hafizi dhe Medin Zhega. Trajnerët shqiptarë janë shumë të mirë, veçse ata duhen trajtuar siç trajtohen trajnerët e huaj. - Ka një mendim se kampionati shqiptar është i dobët dhe për rrjedhojë nuk ka futbollistë për ekipin kombëtar. Cili është mendimi i Bledar Kolës për këtë problem? - Shqipërisë nuk i kanë munguar kurrë talentet sportive. Mua më ka bërë shumë përshtypje Hamdi Salihi. Ai më ka mahnitur me lojën e tij për skuadrën e Panioniosit. E pra, ky Salih vjen nga kampionati shqiptar. - Në fund çfarë do të thoni? - Dua të përsëris edhe një herë mendimin që kam shprehur në fillim të këtij bashkëbisedimi, se kombëtarja jonë duhet të ndërrojë mënyrën e lojës. Ajo duhet t'i kushtojë më shumë rëndësi mbrojtjes, sepse një mbrojtje e mirë është edhe një sulm i mirë. Këtë gjë kombëtarja duhet ta bëjë në mënyrë urgjente. - Në prag është takimi me Greqinë. Çfarë mendoni për të? - Të mos nxitohemi. Para se të vijë në Greqi, kombëtarja jonë ka një provë të fortë në Turqi.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Tue, 23 Aug 2005 , 13:10

Lamtumira e Strakoshës, në dhe të huaj

Pasaporta
Emri: Foto
Mbiemri: Strakosha
Ditelindja: 29.3.1965
Vendlindja: Tepelenë
Shtatlartësia: 1.89 m
Roli: Portier
Skuadrat ku ka luajtur: Dinamo, Pas Janina, Ethnikos i Pireut, Olimpiakos, Panionios, Jonikos, Kalithea, Ethnikos Asteras, Prodheftiqi.
Titujt me klubet: Kampion i Shqipërisë me Dinamon '90, Fitues i Kupës të Shqipërisë me Dinamon '89, '90, Fitues i Superkupës së Shqipërisë me Dinamon '90, Kampion i Greqisë me Olimpiakosin '97, Fitues i Kupës të Greqisë me Panionios '98.
Ndeshjet me kombëtaren: 73

Ishim të paktë ne shqiptarët në "Nea Zmirni", por tifozët e Strakoshës ishin të shumtë. Madje, të gjithë ata që kishin ardhur në stadiumin e Panioniosit, ishin tifozët e portierit legjendar të kombëtares shqiptare. Ishte një festë enkas për një nga idhujt e tifozëve grekë të "Nea Zmirnit". Nga një qendër zëri, fjalët "thurnin" historinë e shkëlqyer të portierit, që edhe pse kishte mbushur 40 vjeç, kishte mbetur përsëri i tillë. Portieri ynë ka dalë në fushën e blertë i shoqëruar me dy djemtë e tij Dhimitrin dhe Thomain, ndërsa presidenti i klubit, këngëtari i famshëm Lefteris Pantazis, i dhuron Strakoshës një kornizë të gjamtë të përmasave të mëdha, brenda së cilës është fanela me numrin 12, që portieri ynë ka mbajtur gjatë kohës që ka luajtur tek Panionios. Pastaj një kupë e veçantë nga drejtuesi i klubit kuqeblu, Arqilea Bea, dhe një kupë tjetër nga tifozët e shumtë grekë. Emocionet e portierit tonë janë të mëdha, ndoshta më të mëdha sesa kur ka pasur fare pranë tij sulmuesit e mëdhenj, Vieri, Ouen, Salas, Figo, Klinsman, Bekham e të tjerë. "Sado bukur që të flas, - thotë Strakosha, - prap se prap nuk do të mund ta shpreh atë që ndjej tani". Fjalët e tij prekëse elektrizojnë stadiumin. Ndarja kësisoj nuk ka qenë edhe aq e lehtë. 14.5 vjet në fushat greke, ai ka kaluar pjesën më të bukur të karrierës së tij të gjatë sportive, duke mbetur në mendjet e secilit si njeri shembullor, si sportist i shkëlqyer. Respekti për të nuk ka kufij shtetesh. Ndaj ishte mjaft domethënës titulli i një prej gazetave më të mëdha greke, tek shkruante me germa të dukshme, "Adioja" e një zotërie".
40 vjeçari shqiptar u bë simbol i asaj, që në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, i themi shembull. Menjëherë pas ndeshjes Panionios Ergotelis, Strakosha deklaroi për mediat vendase se "kampionati mbaroi dhe mbas 14.5 vjetësh përfundoi edhe karriera ime futbollistike. Nëqoftëse do të rrimë ta analizojmë se çfarë u bë në këto vite, do të duhen orë të tëra. Dua t'i falënderoj të gjithë ata me të cilët kam bashkëpunuar, me të mirat dhe të këqiat, nga të cilat çdonjeri zhvillohet edhe si njeri. Falënderoj edhe Panioniosin, që më dha rastin ta mbyll karrierën time në një skuadër që dashurova. Në gjithë këto vite jetova edhe gëzime, edhe hidhërime..."
Të gjitha këto m'u kujtuan këto ditë në stadiumin e "Nea Zmirnit", ndërsa Foto Strakosha përshëndeste me dorë tifozë e tij. Natyrisht nuk janë grekët vetëm ata që e kanë ndjekur portierin e tyre, por edhe shqiptarët. Strakosha ishte lojtari potent, që në vitin 1998 i dha Panioniosit kupën e Greqisë. Pastaj në stadiumin e "Nea Zmirnit" ai është kthyer në një hero. Kam jetuar me shqetësimin e Strakoshës, kur ai në një ndeshje ndaj Prodheftiqisë u detyrua për herë të parë në jetën e tij sportive, t'u kthejë tifozëve të irrituar vendas "monedhën", që ata kërkonin.
Jam ndier krenarë me Strakoshën, kur portieri ynë i shpëtoi jetën futbollistit grek Aleksis dhe u vu në qendër të medias vendase për vlerat e veta si njeri me vlera të mëdha humane. Kam jetuar me shqetësimin e madh të Strakoshës sa herë që luanin Shqipëria dhe Greqia. Kam jetuar me shqetësimin e tij edhe atëherë kur dikush i afroi një shumë të madhe parash, që të mos luante kundër Greqisë. Por ai kurrë nuk bëri pazare të tilla. Strakosha më ka bërë krenar, jo vetëm mua, por qindra e mijëra bashkadhetarët e tij, kur si rrallë kush në kanalet më prestigjooze greke ka deklaruar disa herë se "është krenar që vesh fanellën e ekipit kombëtar të Shqipërisë". Të gjitha këto më kujtohen tani, kur Foto Strakosha përshëndet fansat e tij në një ceremoni emocionuese në stadiumin e Panioniosit, në një ceremoni lamtumire për të mos veshur më dorezat e portierit. Në sezonin e kaluar ai luajti vetëm 5 ndeshje, 5 ndeshjet e fundit të kampionatit 2004-2005. Luajti plot 450 minuta, por loja e tij ishte e shkëlqyer. Ishte një shkëlqim në një moshë 40-vjeçare. Gazeta greke "Goal news", duke shkruar për fenomenin Strakosha, thoshte: "Do të mund të shpallej lojtar nderi, pasi ndeshja e së mërkurës ishte e fundit për karrierën e shkëlqyer të tij. Dhe nuk ishte vetëm për këtë, pasi "i moshuari" tregoi se mund të jetë "plakur", por forma e tij ia kalon edhe një të riu më të mirë. Kjo tregoi se ndoshta Strakosha nuk e ka këtu fundin e një karriere...".
Përmes emocioneve të mëdha portieri legjendar thotë : "Do të doja që këtë ceremoni ta bëja në Shqipëri, por...?" Këtu ai e ndërpret bisedën, sepse në këtë ditë ka dëshirë të flasë vetëm mirë. Megjithatë, ai shton për lexuesit e shumtë të gazetës "Sporti shqiptar", që janë njëkohësisht edhe tifozë të tij: "Falënderoj publikun e shkëlqyer shqiptar, gjithë trajnerët që kanë bashkëpunuar me mua gjatë karrierës sime sportive dhe gjithë kolegët e mi futbollistë, me të cilët kemi ndarë së bashku gjithçka, të mirën dhe të keqën, gëzimet dhe hidhërimet".
Ky pra është Foto Strakosha. Ai u bë i madh, edhe pse nuk lindi pranë stadiumeve të mëdhenj. Ai u bë një sportist i shkëlqyer edhe pse babai i tij ishte një shofer i mirë. Ai e vazhdoi sportin deri në këtë moshë, që përbën një gjë të veçantë edhe pse kur ishte i vogël, nuk e linin të luante me top. Ai nuk ishte portieri i futur me mik, por portieri, që gjithçka e ka fituar me djersë dhe stërvitje të mëdha. Ai nuk ishte njeriu i akademive të mëdha, por është njeriu pasionant, që edhe në këtë moshë nuk i ndahet shkollës. Ai, si pakkush, edhe pse ka vite në Greqi, edhe pse ka tashmë pasaportë greke, kurrë nuk e ka mohuar se nga vinte. Madje e ka quajtur krenari fanellën kuqezi, që e ka veshur më shumë se askush. Strakosha, si asnjë sportist tjetër, është njeriu që është shpallur nga dy qytete shqiptare, qytetar nderi i tyre. Strakosha është bashkëshorti i shkëlqyer dhe prindi shembullor. Dy djemtë e tij, Dhimitri dhe Thomai, tek stërviten çdo ditë, ëndërrojnë t'i ngjajnë babait.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Tue, 29 Nov 2005 , 14:50

Dy ish futbollistët e Kombëtares shqiptare ishin pjesëmarrës në Festën e Flamurit organizuar nga Ambasada Shqiptare në Athinë


Speciale për Albaniasoccer.com nga bashkëpunëtori ynë në Athinë, z. Erald Martiko

Në festën e Flamurit të organizuar nga ambasada shqiptare në Athinë mbrëmjen e ditës së dielë, spikatën me praninë e tyre dy emra të njohur të futbollit shqiptar si Arjan Beqaj dhe Bledar Kola. Portieri kosovar mbërriti menjëherë pas suksesit të skuadrës së tij Ionikos pak orë më parë në fitoren e arritur me rezultatin 3-1 ndaj Atromitos dhe për të nuk munguan përgëzimet. Ndërsa trajneri i skuadrës U-17 të AEKut të Athinës dhe ish kapiteni i kombëtares, Bledar Kola, foli me shumë gazetarë të pranishëm në një festë të bukur dhe tregoi pa hezitim kënaqësinë dhe përkrahjen që ka gjetur nga drejtuesit në klubin kryeqytetas. “Jemi duke punuar intensivisht në këtë periudhë me grumbullimet e talenteve dhe midis tyre kemi edhe shumë djem të rinj shqiptarë që jetojnë në Greqi”, theksoi Kola. “Bordi i ri drejtues i AEKut po bën një punë mjaft të mirë dhe besoj se për pak kohë do të dalin në pah edhe frytet e kësaj pune”.

Admin
Webmaster
Webmaster
Posts: 5601
Joined: Wed, 24 Nov 2004 , 03:41
Skuadra: Vllaznia
Location: Loro Boriçi
Contact:

Re: Ish lojtaret e kombetares

Post by Admin » Tue, 28 Jul 2009 , 20:12

Historia e portierit legjendar, të ashtuquajturit “macja e zezë”, Qemal Vogli

Image

Profil sportiv. Ishte vetëm 17-vjeç kur debutoi për herë të parë në Kombëtaren Shqiptare. Qemal Vogli, portieri shqiptar i adhuruar nga gjermanet. Pas ofertës së Gjermanëve ai persekutohet dhe futet në burgjet e kohës. Emri i Qemal Voglit mund të quhet padyshim një nga emrat e sportistëve që do të mbetet një nga legjendat e pashuara të portës shqiptare. Përveçse një portier i mirë ai do të ishte edhe një njeri me vlera të rralla njerëzore. Talenti i tij do të spikatse që në moshe të re dhe do të zhvillohej duke u kthyer në një nga sportistët më të dashur për ata që mundën të shihin dhe të adhuronin lojën e tij. Por fundi i tij nuk do të ishte ashtu siç do ta meritonte. Për shkak të xhelosisë, ndaj talentit të tij, ai do të diskriminohej dhe do të persekutohej, duke e detyruar që të hiqte dorrë përfundimisht nga futbolli i luajtur edhe pse ai ishte vetë jeta e tij. Qemal Vogli lindi më 29 shtator të vitit 1929, në qytetin e vogël dhe futbolldashës të Kavajës. Ai do rritej shumë shpejt me sportin e futbollit, sport në të cilin do të behej një sportis madh. Pas skuadrës së Besës ku Qemali filloi karrierën e tij futbollstike, ai kaloi te Lokomotiva e Durrësit. Në vitet 1950 kur u krijua klubi Dinamo, ai u thirr dhe u bë pjesë e këtij ekipi, duke qenë një nga të parët, që arriti të fitonte shumë trofe. Që i vogël ai mbrojti për 2 kampionate portën e Besës. Pastaj për 3 vjet, atë të Yllit të Kuq të Durrësit. Por Vogli, në kontrast me mbiemrin e tij u bë shpejt i madh. Ai bëhet pronë e Dinamos, që në lindje të saj, duke fituar 6 herë titullin kampion dhe 5 herë Kupën e Shqipërisë. Titullar i padiskutueshëm në kombëtare, ku debutoi që në moshën 17-vjeçare dhe shumë përfaqësime dinjitoze në arenën ndërkombëtare. Vogli nuk ka pësuar gol për 840 minuta, prej periudhës 21 janar 1952 deri më 23 mars 1952. Me kombëtaren zhvilloi vetëm 11 ndeshje, ku ka meritë të veçantë në fitoren që kombëtarja jonë arriti ndaj Çekosllovakisë. Ndërsa karreiar e tij ai do të ishte shumë herë shpëtimtar me pritje deçizive, elegancë në fushën e blertë dhe siguri në dalje. Ishin disa sskpekte të cilët e bëjnë këtë portier një nga më të mirët të gjitha kohërave në vendin tonë. Në atë kohë Vogli mund të krahasohej edhe me portierët më të mirë të evropës, pasi talenti i tij ishte vërtetë i madh. Elozhet edhe në atë kohë nuk do të mungonin në drejtim të portierit shqiptar. Lev Jashin , portieri i madh rus, për portierin e shquar shqiptar ka bërë disa vlerësime maksimale. “Kur e kam parë në Moskë Qemalin kam mbetur i mahnitur. Ishte një portier madhështor. Trim dhe shumë i guximshëm. Me krahë si të shqiponjës. Ishte i aftë të reagonte në mënyrë të përsosur. Kishte reflekse jashtëzakonisht shumë të zhvilluara. Ishte shumë energjik dhe kishte shumë talent si sportist” është shprehur Jashvin. Por sukseset e Voglit nuk do të ishin të rastësishme. To erdhën si pasojë e një dëhsire të madhe për futbollin, e kombinuar me dëshirën dhe vullnetin e madh të punuar. Aftësia e ti shkonte dri aty, sa të drejtonte ekipin që nga porta, duke u bërë edhe një udheheqës i mirë i të gjithë skuadrës. Në kulmin e karrierës më 1956, ndërsa Dinamo zhvillonte disa takime ndërkombëtare në Gjermaninë Lindore, Vogli spikati për talentin dhe aftësitë e ralla. Ai ishte ndër sportistët më të mirë të turneut dhe u lavdërua shumë nga media gjermane e asaj kohe, që e ngriti në piedestal, duke e quajtur edhe “Tigri i zi”. Agjentë gjermanë donin dhe e kërkuan që të luante në futbollin profesionist evropian, pasi ai ishte një sportist i kalibrit të tillë. Në këtë moment, do të vinte edhe “rënia” e tij. Udhëheqja shqiptare e kohës u xhelozua dhe jo vetëm që nuk e lejoi që të ikte jashtë shtetit, por mbi portierin e famshëm shqiptar filloi persekutimi i tmerrshëm, burgosja, denigrimi dhe shkatërrimi i pafund. Ai u cilësua armik e tradhtar i partisë dhe pushtetit popullor. Ai shihej vazhdimisht si njeri i rrezikshëm dhe me sy të keq. Vogli u gjykua me dënimin më të rëndë për një sportist, të mos luante më kurrë në jetën e tij futboll. Çdo përpjekje e dëshirë që të merrej me sport ndalohej, ende pa filluar. Qemal Vogli do të mbetet një prej futbollistëve më të mëdhenj shqiptarë, një legjendë e gjallë e portës shqiptare. Me vlerat që e karakterizuan në sport dhe në jetë, ai gjithmonë do të mbetet një njeri dhe sportist i madh. Edhe pse jeta e tij është një kalvar i vërtetë, Qemal Vogli do të përkujtohet gjithmonë si një ndër njerëzit me vlera të ralla në sport dhe me kontribute të jashtëzakonshme.

Dënimi: Të mos luajë më asnjëherë futboll. Interesimi i madh që kanë pasur kryesisht skuadra Gjrmena epër portierin e talentuar shqiptar, bënë që ai të m0s shihej me sy të mirë nga sistemi i asaj kohe në vendin tonë. Agjentët e huaj ishin ata që kanë shrehur herë pas here interesimin për të dhe kanë bërë që ai të humbte gjënë më të shtrenjtë në jetën e tij, futbollin. Sistemi i asaj kohe mori vendimin e prerë që legjenda portës së Kombëtares dhe Dinamos, të mos luante më ansjëherë futboll. Kjo ishte një “vrasje”, për Voglin, të cilit i’u ndërpre një pjesë e jetës s ëitj shumë shpejt. Pasi doli nga burgu, ai filloi të bënte punë të ndryshme gjatë jetës së mbetuer, sigurisht me pengun e madh për të luajtur futboll. Derisa sa vdiq ai nuk arriti të ishte më në fushën e blertë si një portier me shumë vlera, por nuk i’u dha mundësia as të përgatiste brezin e ri.

Kolegu. Stërvitja me legjendën e portës Ruse, Lev Jashvin. Vogli do të tërhiqte vëmendjen e një prej portierëve më të mirë të koës, pikërisht portierit të Dinamos së Moskës, Lev Jashvin. Jahsvin i mrekulluar nga forma e mirë që kishte paraqitur portieri shqiptar e ftoi atë të bënin një stërtije së bashku, gjatë një turneu, ku Vogli u cilësua si një nga futbollistët më të mirë të tij. Stërvitja me Jashvin i dha një tjetër stimul portierit shqiptar i cili tashmë kishte filluar të ëndërronte. Pak porierë të tjerë mund ta kishin mundësinë që të bënin një strëvitje me Jashvin i cili ishte ndër më të dëgjuarit e kohës. Por vendi dhe sistemi në të cilin u rrit dhe bënte pjesë, nuk e lejuan atë që të bentë realitet ëndrrën e tij më të madhe, të luante për një skuadër të huaj. Për më tepër sistemi u tregua shumë i reptë duke i hequr atij të drejtën për të luajtur futboll në vendin e tij.

Vdekja. Në momentet e fundit të jetës, i veshur me bluzën e Kombëtares. Por jeta e Qemal Voglit pavarësisht të gjitha vështirësive nuk do të mbyllej në atë sistem i cili nuk i dha mundësine të vazhdonte futbollin. Vogli vdiq në demokraci dhe në momentet e fundit, ishte i rrethuar nga miq dhe të afërm. Ai kishte të veshtur bluzën e Kombëtares me numrin 75-të që ksihte të bënte edhe me përvjtorin e tij. Bluza kishte emrin e një tjetër portieri të stampuar, që ishte Foto Strakosha. Ai u nderua me një sërë titujsh duke si “Mjeshtër i Merituar i Sportit” dhe “Nderi i Sportit Shqiptar”. Por këto tituj ishin pak për të përkujtuar figurën e madhe që ksihte krijuar. Sportistë të tillë janë një dhuratë e cila vjen shumë rallë dhe për Voglin, talenti ishte një dhuratë, por që nuk mundi ta dhuronte për publikun e gjerë.

Flet e shoqja, Liri Vogli

Në Shqipëri sapo kishin mbaruar legjendat për “qilimin fluturues” dhe “kalin fluturues”, kur papritur në Kavajë u përhap e vërteta për “portjerin fluturues”, i cili më vonë mori trajtat e legjendës. Ishte pikërisht i madhi i të mëdhenjve, i cili kishte mbiemrin “Vogli”. Qemali atëherë ishte 15 vjeç dhe luante me Kavajën, por pak muaj më vonë kaloi me Durrësin dhe menjëherë u thirr në ekipin e Dinamos, për ta shpallur atë 5 herë kampione të Shqipërisë. Dhe në moshën 17-vjeçare “macja e zezë” u thirr në ekipin Kombëtar, ku zhvilloi 11 ndeshje zyrtare, ndërkohë që gjithsej luajti 60 ndeshje ndërkombëtare. Por, pas vitit 1956, atë e ndoqi persekutimi dhe qelia e burgut, pikërisht në vendin e tij, ku njeriu ndalohej të ëndërronte. Dhe, duke folur kështu për portjerin e madh shqiptar, të cilin Lev Jashini (portjeri më i mirë i botës) e cilësoi si “tigri i zi shqiptar”, gati duket i pabesueshëm fakti se ai qysh prej 62 orësh nuk jeton më. Dje, në orën 10.00 të mëngjesit, arkivoli me trupin e Qemal Voglit u përcoll nga mijëra të afërm e dashamirës për në varrezat e Sharrës, ku ai e kishte lënë me gojë që të varrosej në një varr me nënën. Nëpër proces-verbalet spitalore diagnoza përfundimtare e Qemal Voglit u përcaktua si “diabet shumë i fortë” dhe “bllokim veshkash”, megjithëse vetë gjeniu i portës nuk kishte vuajtur kurrë më parë nga këto sëmundje. Qemal Vogli dha shpirt ditën e dielë rreth orës 9.15 të mëngjesit, por problemet e shëndetit të tij kishin filluar të shtoheshin sidomos një muaj më parë, kur në fillim të qershorit një makinë e aksidentoi rëndë, duke i krijuar shembje në gjymtyrë. Menjëherë e dërguan në Spitalin Ushtarak, ku u konsiderua një krisje. Por Qemali nuk e pranonte dot robërinë e krevatit dhe filloi të ecte me paterica. Kështu, një mesnatë u rrëzua dhe, pasi e çuan në Spitalin Ushtarak, mjekët menduan për një operacion ose për 6 javë regjim shtrati. Megjithatë, ditën e shtunë në spital nuk ka folur më dhe të dielën në mëngjes, legjenda e futbollit shqiptar ka mbyllur sytë përgjithmonë. Gjatë gjithë kësaj periudhe Qemali ka qenë i veshur me uniformën e Strakoshës, ndërsa amaneti dhe dëshira e tij e fundit kishte lidhje me futbollin. Dhe letra e fundit që ka shkruar nga spitali i është drejtuar Presidentit të Futbollit, Armando Duka, ku i kërkon takim për të biseduar për futbollin. “Te mua kanë ardhur për vizitë treçereku i qytetarëve të Tiranës, por unë ju pres edhe ju”, shkruhet midis të tjerave në letrën e tij të fundit. Të gjitha këto i mësuam dje nga bashkëshortja e tij, Liri Vogli, e cila, duke mbajtur me zor lotët e pikëllimit, megjithatë ka pranuar me shumë qytetari të rrëfejë të fshehtat dhe pjesën e panjohur të gjeniut të futbollit shqiptar, me të cilin jetoi dhjetëra vite.

Kur filloi keqësimi i gjendjes shëndetësore të Qemal Voglit?

Ishte fillimi i muajit qershor, kur Qemali pësoi një aksident. E përplasi një makinë dhe pati një shembje. Por, megjithë goditjen që pati, pas konsultave mjekësore, ai qëndroi në shtëpi dhe filloi të lëvizte me paterica. Por një natë, (ishte ora rreth 12.00 e natës) Qemali u rrëzua dhe e çuam urgjent në Spitalin Ushtarak në Laprakë. Atje mjekët bënë analizat dhe radioskopitë dhe në fund thanë se kishte krisje dhe duhej operuar. Meqenëse mosha e Qemalit nuk mbante operacion, atëherë mjekët thanë se duhet të qëndronte në shtëpi me 6 javë regjim shtrati. E morëm në shtëpi, por Qemali nuk pranonte kurrë që të rrinte i palëvizur, sepse ishte mësuar gjithmonë me shokë dhe me lëvizje. Kështu që, kur ishte mirë, ngrihej. Por ne i rrinim te koka gjithmonë, se e shihnim që ishte e pamundur. Por një ditë morëm mjekun e familjes, i cili na dha shumë shpresë. “Jam optimist që do të jetojë”, na tha ai. Gjatë atyre ditëve herë bëhej më mirë dhe herë keqësohej. Por të shtunën e kaluar, u bë shumë keq. Kujtuam se na iku. Megjithatë, e çuam në spital dhe, pas disa serumeve, u përmirësua disi. Më vonë na thanë që të bënte disa analiza të tjera në spitalin 5, te neurologu dhe papritur mjekët u shqetësuan. Na thanë që nuk ishte për në atë spital, por sidoqoftë, pas analizave, thanë se kishte diabet të lartë dhe bllokim veshkash. Të premten ishte mirë, por përsëri këtë të shtunë u përkeqësua. Ndërsa ditën e dielë, rreth orës 9.20, dha frymën e fundit.

A është e vërtetë se në çastet e fundit kishte veshur bluzën e Kombëtares?

Po. Ishte një bluzë që ia dhuruan drejtuesit e Federatës me rastin e 75-vjetorit, që ia festuan më 15 mars të këtij viti te “Loro Boriçi”. Aty i dhanë bluzën e Kombëtares shqiptare me emrin e Strakoshës. Këtë bluzë ai e veshi për herë të parë kur organizoi fëmijët e lagjes te fusha “Studenti”. Ishte krenar dhe i lumtur për Kombëtaren tonë dhe për respektin e Federatës ndaj tij.

A kishte shumë pjesëmarrës në varrimin e tij?

Megjithëse Qemali vdiq të dielën dhe shumë veta nuk e morën vesh, përsëri pjesëmarrja ishte e madhe. Por gjatë këtyre orëve kemi pasur edhe shumë vizita nga njerëz që sapo e kanë marrë. Por Qemalin e donin të gjithë në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë, sepse edhe ai i donte të gjithë.

Çfarë i mbeti peng Qemalit?

Qemalin e vlerësuan të gjithë kryeministrat dhe partitë politike që erdhën në pushtet pas vitit 1990. Duke filluar nga Aleksandër Meksi e deri te Fatos Nano, ai pati vlerësimet që meritonte. Kështu u bë Mjeshtër Sporti dhe Mjeshtër i Merituar i Sportit. U bë Qytetar Nderi i Tiranës dhe mori shumë dekorata. Përfitoi edhe shpërblimin e veçantë, por dihet që e mira nuk ka fund. Por unë nuk dua të flas si e pakënaqur, sepse nuk jam e tillë. Por, meqë ju më pyetët se çfarë i mbeti peng, unë u them se i mbeti peng që nuk luajti më pasi doli nga burgu. Jo vetëm nëpër stadiume, por edhe në një ndeshje midis ndërmarrjeve nuk e lejuan. Këtë e tregon edhe zoti Ismet Bellova, se kur luante Parku Automobilistik i Tiranës, (ku punonte Qemali) atë nuk e lejuan. Dhe në një rast kur u hap nami se Qemali do të luante pranë Ekspozitës “Shqipëria Sot”, aty u mblodhën mijëra njerëz nga e gjithë Tirana. Por edhe atë ditë, në minutat e fundit, e ndaluan që të futej në ndeshje.

Çfarë thoshte Qemali për jetën e burgut?

Ai u dënua në vitin 1957. Dënimi i tij i padrejtë ishte një periudhë prej 7 vite e 4 muaj, që ai nuk donte ta kujtonte. I vinte keq vetëm se nuk kishte mundësi, ngaqë nuk e lejonin që të luante për ngjyrat e Shqipërisë. Por ai punoi shumë me portierët e Shqipërisë. Kështu Jani Kaçi, Perlat Musta e shumë portierë të tjerë janë shprehur me shumë respekt e dashuri për bashkëpunimin me Qemalin. Po kështu edhe Foto Strakosha, me të cilin Qemali kishte shumë miqësi dhe bashkëpunim për rolin e portierit.

Kë vlerësonte më shumë nga portierët e kohës sonë?

Vlerësonte Strakoshën. Por nuk harronte asnjëherë Mustën dhe Kaçin. Fliste me respekt edhe për një portier tjetër që ka luajtuar me Tiranën, por tani s’po më vjen ndër mend
emri i tij.

Çfarë tregonte për vitin 1956, kur skuadrat gjermane e kërkuan në gjirin e tyre?

Nuk fliste gjatë. Nuk kishte qejf të përmendeshin këto gjëra. Edhe kur jepte intervista nuk donte të zgjatej me këtë temë.

Po për arratisjen?

Ne nuk e ngacmonim dhe ai nuk fliste për këto gjëra. Të mira apo të këqija, ia kishte lënë kohës që t’i gjykonte. Por sidomos ai nuk donte që të politizoheshin këto gjëra. Thoshte shpesh “kështu ishte koha” dhe “ata që mund të jenë fajtorë le t’i vrasë më mirë ndërgjegjja e tyre”.

Çfarë thoshte për vlerësimet e të huajve mbi talentin e tij?

I kishte mbetur sidomos në mendje vlerësimi i portierit Lev Jashin, i cili e kishte quajtur “tigri i zi shqiptar”. Thoshte shpesh se Lev Jashini ishte më i madhi i portierëve të asaj kohe dhe kur të vlerësonte ai, domethënë, kishe bërë përshtypje të vërtetë.

Cila ndeshje i kishte mbetur më shumë ndër mend?

Ndeshjet në Bashkimin Sovjetik, në Çeki dhe sidomos në Gjermaninë Demokratike. Edhe të tjerët e përmendnin shpesh se kishte bërë pritje të mrekullueshme në këto stadiume. Thonin me të drejtë se tifozët e huaj e kishin duartrokitur.

A mendoi ndonjëherë të largohej nga Shqipëria pas ’90-s?

Qemali e donte Shqipërinë dhe nuk e ndërronte me asnjë vend të botës. As ka menduar kurrë për të ikur. Pastaj do të them se edhe Shqipëria e donte dhe e respektonte me gjithë shpirt Qemalin. Dhe ai ishte i gëzuar për këtë.

Me çfarë u mor Qemali pasi doli nga burgu?

Punoi në Parkun Automobilistik, por zemrën e kishte te futbolli. Kështu që, kur erdhi koha, filloi të stërviste ekipe dhe portierë në zona të ndryshme të Tiranës. Të gjitha punët i bënte me pasion dhe me sakrificë. Por në mënyrë të veçantë interesohej për futbollin nëpër klube dhe skuadrën e Kombëtares. Gëzohej shumë për fitoret ose barazimet e ekipit Kombëtar dhe mërzitej e hidhërohej për humbjet. Ai u lind për futbollin dhe atij ia kushtoi jetën.

Çfarë sadisfaksionesh provoi Qemal Vogli gjatë viteve të fundit?

U kënaq shumë nga titujt e nderit që i dhanë dhe nga festimi i 75 vjetorit të ditëlindjes, ku u ftuan figurat më të shquara të futbollit shqiptar.

A ishte i kënaqur ai nga tre fëmijët e tij?

Po. Ishte i kënaqur dhe i lumtur. Edhe ata gjithmonë kanë qenë krenarë për babanë e tyre, i cili respektohej nga të gjitha anët.

Si e kalonte ditën Qemali?

Qemali rrinte shumë me shokët e tij të sportit. Ai ishte i ikur gjithë ditën dhe shpesh na thoshte se më shumë qëndronte pranë stadiumit te “Loro Boriçi”. Bisedonte shumë për sportin dhe gëzohej sidomos për talentet e reja. I ndihmonte ata me gjithë shpirt. Ndërsa për ndonjë që shquhej për prirje të veçanta bënte çmos që ai të ecte përpara e të mos pengohej.

Cili ishte amaneti i tij?

Ai e la me gojë që të varrosej në një vend me nënën e vet. Ndërsa letra e fundit që shkroi i drejtohej Presidentit të Futbollit, Armando Dukës. I shkruante se e priste që t’i shkonte për vizitë në spital. Megjithëse e kuptonte edhe vetë që Armando ishte shumë i zënë me punët dhe problemet e përditshme që kishte.

Çfarë do të thoshit tjetër për të?

Do të them se jam shumë e tronditur dhe e dëshpëruar që do të jetoj pa të. Por do t’ia bëj respektet deri në fund, ashtu siç e meritonte. Do të them se jam krenare që isha në krahun e tij gjatë jetës sime dhe që i qëndrova pranë edhe në ditët më të vështira. Por, me këtë rast dua t’i falënderoj edhe të gjithë miqtë e shokët e tij, që ia bënë respektin deri në fund, duke e nderuar atë ashtu si e nderonin gjithmonë edhe kur ishte gjallë


Sporti Shqiptar
Vllaznit Ultras

Image

Miri
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 6241
Joined: Wed, 20 Jun 2007 , 17:44
Skuadra: Vllaznia
Location: Postribe
Contact:

Re: Ish lojtaret e kombetares

Post by Miri » Sun, 16 Aug 2009 , 08:20

Nje foto e futbollistit te kombetares Ermal Tahiri

Image

Post Reply