Rakipi: Elbasani tentoi ta blinte ndeshjen

Ketu ndodhet te gjithe ato tema, te cilat jane te vjetra apo ne te cilat nuk diskutohet.
Post Reply
vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Rakipi: Elbasani tentoi ta blinte ndeshjen

Post by vllaznia1919 » Mon, 14 Mar 2005 , 14:30

"Presidenti i Elbasanit, Arben Laze, ka kërkuar ta fitojë ndeshjen jo në fushë, por me forma të tjera, duke e blerë atë." Kjo është deklarata bombë që vjen nga kampi bardhekaltër, e bërë publike pas ndeshjes me Elbasanin. Ky pazar i parealizuar, për meritë të drejtuseve të Shkumbinit, sqaron shumë edhe shkakun e acarimit më tej të derbit, sidomos në shkallët e stadiumit midis tifozërisë. Elbasani doli i humbur në lojë dhe rezultat, ndryshe nga çfarë priste. Rezultati i padëshiruar u bë shkak për të reaguar jo mirë midis dy tifozërive, për të shkëmbyer fyerje dhe sharje. Më të theksuara u bënë replikat, kur miqtë, nëpërmjet "Radio +2", morën njoftimin për humbjen e Tiranës përballë Dinamos në "Qemal Stafa". Elbasani me drejtuesit e saj të dëshpëruar nga humbja dhe "prerja në besë" e fqinjve nuk lanë gjë pa bërë për të shfryrë inatin. Presidenti i Shkumbinit, Fatmir Rakipi, si dhe drejtuesit e klubit distancohen nga ato që ndodhen në shkallët e stadiumit, duke i quajtur veprime të individëve të veçantë, nga të dyja palët. Ishin pikërisht këta individë që sollën edhe incidentin me gjyqtarin anësor. Presidenti Rakipi i dënon këto veprime, por shpreh edhe revoltën e tij me deklaratën emocionale të homologut të tij, i cili kërkon të mbulojë veprimet e tij për trukun e rezultatit, duke hedhur "bomba tymuese" për të gjetur justifikimin e humbjes së pësuar. Sipas Rakipit, ka qenë vetë Laze bashkë me stafin e klubit që ia ka kërkuar ndeshjen atij dhe veteranit të klubit, për të realizuar synimet që ka me ekipin e vet. Gjatë gjithë javës Laze ka kërkuar që t'ia linin ndeshjen Elbasanit, që ekipi i tij të realizonte synimet. Një gjë të tillë bënë drejtuesit elbasanas edhe me sekretarin e klubit, kur "emisarë" të posaçëm kanë kërkuar të bëjnë pazare. "Sigurisht, unë nuk kisha si ta pranoja një gjë të tillë. Kjo patjetër nuk i pëlqeu dhe Laze me të vetët gjeti rrugën duke i motivuar sportdashësit dhe ekipin të reagonin, duke bërë rolin e më të fortit dhe të ekipit më të madh. Gabimi ynë i vetëm është që nuk i hapëm rrugë Elbasanit, duke luajtur me ndershmëri. Ky gabim i revoltoi drejtuesit e futbollit dhe sportdashësit elbasanas," - deklaron presidenti Rakipi, ndër më korrektët drejtues të futbollit tonë. Duke reaguar ndaj deklaratës së Lazes, presidenti bardhekaltër nuk mund të qëndrojë indiferent për atë që u zhvillua në fushën e lojës, prandaj ai shton: "Deklaroj me bindje të plotë dhe këtë e pranojnë të gjithë, përfshi edhe futbollistët me sportdashësit objektivë elbasanas, se ka qenë një ndeshje e fortë derbi, shpesh dhe me nerva, por që gjithçka është zhvilluar tepër korrekte dhe brenda të gjitha rregolloreve, ku ekipet në fund u shpërblyen për atë që dhanë në fushë. Sa për gjykimin, na takon neve të ankohemi, sepse na mohoi padrejtësisht një 11-metërsh flagrant, kur Bardhi u pengua në zonë, ku duhej të jepte edhe karton. Në fund fitoi ekipi që e pati vlerësuar më mirë takimin dhe jo Elbasani që e priste fitoren nga faktorë të tjerë." Duke iu kthyer veprimeve jo të hijshme të tifozëve dhe acarimit të tyre, në shkallët e stadiumit, Rakipi tregon edhe një shkak tjetër më të vjetër, por që mundohej se ishte harruar në Peqin. Fjala është për pritjen aspak miqësore që iu rezervua sportdashësve peqinas në Elbasan për ndeshjen e fazës së dytë, kur me orë të tëra pas ndeshjes ata në mënyrë të organizuar janë fyer e poshtëruar në Elbasan. Ka mjaftuar një festë në qytet dhe ekipi e tifozëria peqinase të fyej. Disa sportdashës elbasanas kërkuan të vazhdojnë historinë e ndeshjes së fundit, kur në Elbasan fituan me ndihmën e gjyqtarit. "Në atë ndeshje nuk mjaftoi vetëm loja, duke tentuar të poshtërojnë ekipin dhe sportdashësit tanë, por festa vazhdoi për disa orë në sheshin e qytetit, ku nuk munguan as parrullat raciste. Një e tillë u tentua prej vendasve të vendosej në stadium, por ajo qëndroi vetëm për pak çaste. Unë isha i pari që reagova, duke kërkuar që të hiqej dhe ashtu u bë, sepse këto nuk i shërbejnë futbollit e traditës së dy qyteteve," - përfundon presidenti i Shkumbinit, Fatmir Rakipi.

Admin
Webmaster
Webmaster
Posts: 5601
Joined: Wed, 24 Nov 2004 , 03:41
Skuadra: Vllaznia
Location: Loro Boriçi
Contact:

Post by Admin » Tue, 15 Mar 2005 , 12:21

Presidenti i Elbasanit, Arben Laze, duket i vendosur në rrugën e bojkotit, si formë presioni ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit, për marrjen e tri pikëve në tavolinë për ndeshjen e humbur 0-1 të shtunën në Peqin. Presidenti i Elbasanit ka akuzuar tifozët pritës për ushtrim dhune në ndeshjen ku u godit gjyqtari anësor dhe menjëherë kërcënoi me bojkot se skuadra e tij do të braktiste veprmitaritë nëse FSHF nuk merrte masa të menjëhershme. Homologu i tij te Shkumbini, Fatmir Rakipi, është përgjigjur duke thënë se Laze donte të blinte ndeshjen dhe ky është shkaku i zemërimit, gjë që Laze e ka hedhur poshtë dje. "Po të ishin të ndershëm në lojë, mund ta bënin këtë akuzë që atë ditë dhe jo sot", u shpreh dje Laze. Presidenti i Elbasanit është i vetëdijshëm se një bojkoti mund të jetë fatal për skuadrën e tij, nëse FSHF vendos të mos tolerojë përballë kërcënimit. "E di që FSHF mund edhe ta dënojë klubin tonë në rast se bojkotojmë, por jemi të vendosur të rrezikojmë, me qëllim që këto gjëra të marrin fund një herë e mirë. Prandaj edhe do të bojkotojmë duke nisur që nga ndeshja kundër Teutës, të mërkurën". Nesër Elbasani duhet të luajë në "Niko Dovana" të Durrësit për Kupën e Shqipërisë, por Laze po programon një tjetër takim. "Të mërkurën ne do të zhvillojmë një ndeshje miqësore, jashtë organizmit të Federatës. Shpresojmë që të gjejmë një treshe gjyqtaresh femra, për t'u treguar gjithë gjyqtarëve të paaftë se si mund të gjykohet ndershmërisht dhe burrërisht një ndeshje futbolli", shprehet me ironi Laze. Sipas tij, parulla e vendosur në stadiumin e Peqinit, ku fyhej tifozeria elbasanase me fjalët "Mirësevini në Peqin geit e Elbasanit" përveçse fyese ishte edhe tepër e rrezikshme, sepse mund të krijonte një konflikt të paprecedent. Për këto arsye, Laze nuk heq dorë nga bojkoti dhe kërkon me këmbëngulje një zgjidhje pozitive të problemit nga ana e Federatës deri të mërkurën paradite.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Thu, 17 Mar 2005 , 14:02

Komisioni i disiplinës përkëdhel Shkumbinin

Komisioni i disiplinës, i mbledhur dje në federatë, pasi shqyrtoi materialet e paraqitura nga sektori i garave për javën e 27-të të kampionatit kombëtar të futbollit në kategorinë superiore, javën e 14?të në kategorinë e parë, të dytë dhe në kampionatin e të rinjve, mori vendimet përkatëse. Kështu, për takimin e shumëpërfolur Shkumbini-Elbasani, ku u godit me një send të fortë gjyqtari anësor Denis Rexha, komisioni i disiplinës ka marrë një vendim jo shumë të rreptë për klubin pritës. Nëse elbasanasit shpresonin tek ndonjë 3-pikësh në tavolinë, nuk ka qenë i këtij mendimi komisioni i disiplinës. Sipas tij, peqinasit duhet të luajnë dy ndeshje jashtë stadiumit të tyre dhe të paguajnë një gjobë të majme. Për sa i përket goditjes së gjyqtarit, disiplinori është shprehur se në këtë takim nuk ka pasur premisa që ndeshja të jepej në tavolinë, pasi anësori Rexha ka qenë në gjendje ta vazhdonte gjykimin e ndeshjes në fjalë pas goditjes. Vendime të rënda ka pasur edhe për takimin Pogradeci-Apolonia, ku futbollisti Çekiçi është dënuar një vit. Dënimet e Disiplinës 1. KF "Shkumbini", për parullat fyese të afishuara në ambientet e fushës së lojës, për hedhjen e gurëve në fushë, që kanë sjellë si pasojë edhe dëmtimin fizik të gjyqtarit, por jo në atë masë që të mos gjykonte më tej ndeshjen në bazë të rregulloreve të aktivitetit, si dhe duke vlerësuar si raste të përsëritura problemet disiplinore të kësaj natyre të shkaktuara nga tifozët e Shkumbinit, dënohet me pezullim të fushës për dy ndeshje, duke i zhvilluar ndeshjet e javës në fusha asnjanëse, si dhe gjobitet me shumën prej 200.000 lekësh. 2. Futbollisti i Elbasanit, Julian Ahmataj, për fyerje dhe protesta ndaj gjyqtarit pezullohet katër ndeshje nga aktiviteti dhe dënohet me 20.000 lekë gjobë. 3. KF "Lushnja", për vonesat gjatë ndeshjes për futjen e topave në lojë, në bazë të rregullores dënohet me 20.000 lekë gjobë. 4. Futbollisti Ylli Çekiçi, për goditje me grusht dhe fyerje të gjyqtarit në ndeshjen Pogradeci-Apolonia, dënohet me një vit pezullim dhe 200.000 lekë gjobë. 5. KF "Pogradeci", për hedhje gurësh dhe sende të forta në fushën e lojës, dënohet me 100.000 lekë gjobë. 6. Futbollisti Erion Çela i Bylisit, për goditje me grusht të kundërshtarit, dënohet me tetë ndeshje pezullim. 7. Ekipi i Tërbunit të Pukës, për mosparaqitje në javën e kaluar të kampionatit, e humbet ndeshjen me Kukësin me rezultatin 2-0. 8. Për sa i përket ndeshjes Memaliaj-Maliqi, pas plotësimit të informacionit nga sektori i garave për ushtrim të dhunës fizike nga publiku dhe futbollistët e Memaliajt ndaj gjyqtarëve dhe futbollistëve kundërshtarë, veprime të cilat nuk kanë lejuar zhvillim normal të ndeshjes, ekipi i Memaliajt humbet ndeshjen 2-0 dhe gjobitet me 100.000 lekë. 9. Futbollisti i ekipit U-17 të Besës Ridvan Topojani, për ofendim të gjyqtarit, pezullohet dy ndeshje nga aktiviteti. Për të njëjtin shkak, futbollistët e Dinamos U-19 Marian Ziu dhe Kreshnik Sinani pezullohen nga dy ndeshje secili. 10. Lojtarët Gëzim Haja i Besës dhe Bledar Qordja i Dajtit U-19, për goditje me grushte të kundërshtarit dënohen me tetë ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Post Reply