Intervista me pjestaret e kombetares

Diskutoni rreth ekipit tone Kombetares ,futbollisteve te saj , etj.

Moderator: GOLDIAN

Post Reply
vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Intervista me pjestaret e kombetares

Post by vllaznia1919 » Thu, 24 Mar 2005 , 14:48

Brigel: Shqiptarët, sa të paduruar!

Trajneri i kombëtares shqiptare, Hans Peter Brigel, e krahason Turqinë me Francën e viteve '90, për sa i përket ecurisë në futboll dy dekadat e fundit. Për një kohë të gjatë, sipas tij, Franca nuk arriti të kompaktësohej si skuadër dhe, pas një rënieje drastike në këtë sport, ajo u shpall kampione bote dhe Europe. "Turqia po kalon të njëjtin proces,"tha Brigeli për gazetën turke "Zaman".
Më tej, i pyetur për ndeshjen e 26 marsit, trajneri i kombëtares shqiptare tha se Turqia është favorite për të fituar për shumë arsye. Avantazhi i vetëm i Shqipërisë në këtë ndeshje, por edhe në tjetrën që e pason, me Greqinë në Athinë, është se s'ka çfarë të humbasë. Mes arsyeve se përse Shqipëria ndihet inferiore karshi këtyre dy kundërshtarëve të radhës, Brigeli përmend infrastrukturën sportive. "Deri në vitin 2000 nuk kishte fushë me bar dhe tani ka vetëm 15 fusha të tilla, ku mund të luhet futboll normalisht. Në këto kushte, me një shtet si Turqia, është e vështirë t'ia dalësh. Sidoqoftë, ne do të luajmë duke pasur parasysh forcat tona dhe gjendjen aktuale të futbollistëve,"nënvizoi Brigeli.
Zoti Brigel, a jeni gati për ndeshjen me Turqinë?
Kemi probleme në mbrojtje. Dy mbrojtës që kishim në ndeshjen e fundit me Ukrainën janë aq të dëmtuar, sa nuk dalin dot as në stërvitje. Këtë herë nuk kam marrë në 11-she njërin nga mbrojtësit që e kam marrë më përpara. Pra, kam 3 mungesa në mbrojtje. Këto mungesa u mundova t'i kompensoj nga ekipi Shpresa, por se me sa sukses do t'ia dalin, këtë do ta tregojë fusha e lojës.
Po në sulm a keni probleme?
Edhe në sulm kemi probleme, pavarësisht se ky repart nuk është i prekur nga dëmtimet. Them kemi probleme, sepse lojtarëve të sulmit u mungon finalizimi. Në 5 ndeshje, lojtarët e sulmit kanë shënuar vetëm 3 gola. Pika ku ne jemi të fortë është mesfusha. Në këtë repart kemi lojtarë luftarakë, shumë të shpejtë. Në ndeshjen me Turqinë, detyra kryesore do t'u bjerë atyre. Njëri prej futbollistëve, tek i cili besoj shumë në këtë ndeshje, është Skela, që luan në Gjermani.
- Këtu në Turqi njihet Bushi...
- Gjendja e Bushit ende nuk është e saktësuar, pasi ka kaluar një dëmtim së fundi. Nuk e di nëse do të luajë apo jo. Ende s'kam vendosur.
Vini nga një ndeshje e humbur brenda në shtëpi me Ukrainën. Si është morali i skuadrës suaj?
Normal, edhe pse humbja me Ukrainën na ka djegur shumë. Para ndeshjes me Ukrainën arrita të bëj një grumbullim stërvitor prej 6 ditësh vetëm me futbollistët që luajnë në kampionatin shqiptar. Fatkeqësisht, nuk arrita të bëj një grumbullim të tillë edhe me futbollistët që luajnë jashtë, për arsye se në shtetet ku luanin dikush kishte ndeshje të rëndësishme për titullin kampion, dikush për të qendruar në kategori.
Ç'mund të na thoni për shqiptarët?
Shqiptarët janë pak njerëz të paduruar. Në 10 vitet e fundit kombëtarja shqiptare ka fituar vetëm 5 ndeshje. Me mua, ajo, në dy vitet e fundit ka fituar 5 ndeshje. Personalisht jam i kënaqur nga interesi dhe respekti që shqiptarët tregojnë karshi meje.
Pas 2002-shit, thonë se futbolli turk po ecën mbrapsht. Cili është mendimi juaj për këtë?
Këtë që po përjeton Turqia e ka kaluar edhe Franca para se të shpallej më 1998 kampione bote. Asokohe ekipi francez ishte përtokë. Për mendimin tim, në ekipet kombëtare suksesi është punë brezi futbollistësh. Sa i takon pyetjes suaj, nuk mund të them që futbolli turk ka ecur mbrapsht këto vitet e fundit.
Pas Ukrainës, që duket e kualifikuar në grup, cilin ekip kishit dëshirë ta shikonit në finalet e botërorit të vitit tjetër, Turqinë apo Greqinë?
Patjetër dua të shoh Turqinë. Turqia jeton në zemrën time. Veçanërisht nuk arrij të harroj ditët e mia te Beshiktashi. Në Gjermani ka miliona turq. Pjesëmarrja e Turqisë do t'u ndryshonte pamjen finaleve të Botërorit 2006.
Po futbolli gjerman a po mblidhet?
Edhe Gjermania, si ekip kombëtar, përjetoi një rënie. Por të mos harrojmë se më 2002 luajti në finale të botërorit, ndërsa më 1996 u shpall kampione Europe. Trajneri i ri, Klinsman, duket sikur po e mbledh skuadrën gjermane, duke ndërthurur mirë futbollistët me eksperiencë dhe të rinjtë.
A do ta marrë kupën e botës më 2006 Gjermania, si vend organizator?
Edhe po e mori, kjo nuk përbën ndonjë surprizë. Për një ekip kombëtar është shumë avantazh të luajë në fushën e tij. Gjermania po kërkon ta shfrytëzojë kohën e mbetur sa më mirë. Di që kanë sjellë një psikolog për kombëtaren nga Amerika. Edhe drejtuesit teknikë të skuadrës po punojnë me intensitet dhe kërkesë llogarie.
Cila ka qenë gjëja që ju ka mërzitur më tepër në Turqi?
Goli që pësoi portieri Fevzi te Beshiktashi, kur isha trajner i tij, në ndeshjen me Gallatasarain. Ky gol më ka mërzitur shumë. Ishim në avantazh 1-0. Luheshin minutat e fundit dhe portieri ynë doli huq, duke pësuar një gol të pafalshëm. Po të mos kishim pësuar atë gol, ndoshta do të ishim shpallur kampionë të Turqisë atë sezon, sepse ishim të shkëputur 4 pikë larg. Pengu i karrierës sime si trajner në Turqi mbetet pësimi i këtij goli.
A keni pasur ndonjë moment që keni gabuar, kur ishit trajner në Turqi?
Gabimi im më i madh ishte pranimi i ftesës për t'u bërë trajner i Trabzonsporit. Trajneri i këtij ekipi ishte larguar dhe nga unë u kërkua që ta ribëja atë. Por qe e pamundur, sepse ekipi e kishte humbur entuziazmin dhe atmosferën e duhur.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Sat, 08 Oct 2005 , 11:59

Murati: Vetëm për vete, s'ndihmojmë askënd

Të fitosh për vete apo t'u bësh nder të tjerëve? Edvin Murati, një nga emrat më të njohur të kombëtares sonë, tregon gjithçka në këtë intervistë.

Eliminatoret e Botërorit 2006 po shkojnë drejt fundit të tyre. Sfidat e mbetura, përveç rezultateve, objektivave, pikëve etj., fshehin edhe diçka tjetër, dëshirat. Sigurisht që nuk është fjala për ato dëshira që ka shfaqur trajneri i kombëtares sonë, Hans Peter Brigel, për t'i bërë nder ndonjë skuadre tjetër. Ndonëse në këtë drejtim fjalët nuk mungojnë. Dhe ku ka zë, thotë populli, nuk është pa gjë. Por edhe pse kështu, opinioni i gjerë sportiv kërkon të dijë të vërtetën. Dhe më mirë se askush këtë e dinë futbollistët, protagonistët e ngjarjeve sportive, ato që luajnë rol të dorës së parë në këto ngjarje. Një prej këtyre futbollistëve është edhe asi shqiptar i Iraklisit, Edvin Murati. Në këtë intervistë Murati nuk ngurron të flasë për një nga gjërat më të debatueshme të këtyre ditëve. Pra, nëse ka ndonjë kompromis për t'ia lënë ndeshjen e fundit Turqisë, nëse do të luftohet shumë ndaj turqve për t'i bërë nder Greqisë, apo edhe ashtu siç mendon Brigeli, për t'i bërë nder Danimarkës.
Mos vallë po harrohet kështu Shqipëria, fanella kuqezi, e cila peshon më rëndë se gjithçka tjetër. Murati në këtë intervistë zbardh pikërisht enigmën e këtyre dyshimeve.
- Edhe pse kombëtarja jonë ka për të zhvilluar së pari ndeshjen me Ukrainën, çuditërisht, gjithë pesha e rëndësisë ka rënë te takimi Shqipëri Turqi. Ju a e ndieni këtë?
- Sigurisht që e ndiej.
- Si, në ç'mënyrë e ndieni?
- Tek fakti që nuk janë të paktë njerëzit, duke përfshirë edhe ata të medias, që pyesin nëse Shqipëria do të favorizojë Turqinë apo Greqinë.
- Përse ndodh kjo?
- Unë them se ajo që e ka bërë ndeshjen tonë me Turqinë të jetë në epiqendër të shtypit sportiv shqiptar, por edhe atij grek, turk edhe atij danez, është rivaliteti i madh i skuadrave të grupit tonë, në këtë rast i Greqisë dhe i Turqisë.
- Ju, çfarë thoni për këtë?
- Ka një opinion që mendon se ne do t'ia lëmë ndeshjen Turqisë. Të tjerë thonë që do të luftojmë për t'i marrë pikë Turqisë për të ndihmuar Greqinë.
- A ka ndonjë të vërtetë në këtë mes?
- Jo, nuk ka. Ne jemi profesionistë dhe probleme të favorizimit të njërës apo tjetrës skuadër nuk qëndrojnë. Askush nuk na ka lënë ne ndonjëherë ndeshje, ndaj nuk ka se si që ne të bëjmë një veprim të tillë.
- Atëhere përse është krijuar ky opinion?
- Nuk e di. Ajo që mund të them është se ne do të luftojmë për të fituar.
- Sot, para ndeshjes me Turqinë, është ajo me Ukrainën. Çfarë mendoni për këtë takim?
- Po, përpara se të luajmë me Turqinë, ne kemi një ndeshje shumë të vështirë në Ukrainë. Edhe këtu do të luftojmë për të marrë pikë, pse jo, duke synuar edhe fitoren. Qëllimi ynë është i qartë: Të marrim sa më shumë pikë, për t'u renditur në një vend më të mirë. Vetëm në këtë mëpnyrë do t'i krijojmë mundësi vetes që në aktivitetet e ardhshme të renditemi në një grup sa më të lehtë.
- Njihni mirë Turqinë dhe Greqinë. Kush mendoni se do ta shoqërojë Ukrainën në finalet e Botërorit 2006?
- Favorite duket Turqia, sepse, sipas pikëve, vjen pas Ukrainës dhe ka për të zhvilluar vetëm një ndeshje, atë me skuadrën tonë. Por nuk mund të thuash se nuk është favorite edhe Greqia, e cila, ndonëse ndodhet në vendin e 3-të, ka për të zhvilluar 2 ndeshje, në Danimarkë dhe në Athinë me Gjeorgjinë.
- A mendoni se pas kësaj "lodhjeje" të eliminatoreve të botërorit kombëtarja jonë e ka të domosdoshme rifreskimin e saj?
- Unë mendoj se pas çdo aktiviteti, aq më shumë pas këtij aktiviteti të veçantë, siç janë eliminatoret e një botërori, çdo kombëtare duhet të shikojë punën e saj, pra duhet të bëjë një farë analize. Këtë gjë duhet ta bëjë domosdoshmërisht edhe kombëtarja jonë.
- Pra, pas këtyre eliminatoreve ju mendoni se në kombëtare duhet të bëhen ndryshime?
- E thashë se po dhe, duke iu përgjigjur pyetjes suaj për rifreskimin e kombëtares, kjo duhet bërë me kujdes dhe profesionalizëm. Kombëtarja jonë vërtet e ka të domosdoshme futjen e elementëve të rinj, por kjo nuk duhet bërë menjëherë. Duhet të gërshetohet mirë përvoja e disa futbollistëve me talentin dhe vrullin e më të rinjve. Ndaj them se kërkohet profesionalizëm në këtë punë. Kjo është punë trajnerësh e specialistësh. Unë mendoj se ashtu siç kemi ardhur edhe ne në ekipin kombëtar, duhet të vijnë edhe të tjerët. Mendoj se për këtë dera është e hapur. Por nuk është kollaj të veshësh fanellën e ekipit kombëtar. Fanella e kombëtares është ndryshe nga fanella e një klubi.
- Ju, shikoni vështirësi në këtë punë?
- Sigurisht që nuk është e lehtë të luash me ekipin kombëtar. Nuk mjafton të realizosh një ëndërr, sepse përfaqësimi në kombëtare ka një nocion më të gjerë. Eshtë atdheu, është fanella, janë tifozët, është çdo gjë. Që të luash me kombëtaren, për mendimin tim, nuk mjafton as fjala që dëgjojmë shpesh se filani "është i mirë". Kombëtarja, si gjëja më e shtrenjtë për secilin prej nesh, kërkon që për interesa të saj të bësh të pamundurën, të bësh më të mirën.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Sun, 09 Oct 2005 , 14:07

Brigel: Barazimi na turbulloi gëzimin

kënaqur në fund të takimit ka qenë edhe trajneri i kombëtares shqiptare, Hans Peter Brigel. Njëshi i stolit kuqezi është shprehur pas takimit se ekipi e meritoi barazimin. Madje ashtu si shkuan gjërat, ekipi unë kombëtar mund ta kishte merituar edhe fitoren. Gjithsesi, ky është fati dhe ekipi ynë edhe me një pikë është shumë i kënaqur. "Ia kisha thënë skuadrës edhe para ndeshjes që të merrnim të paktën 1 pikë këtu në Ukrainë. Skuadra e bëri detyrën, pasi u mor një pikë dhe për këtë jam shumë i kënaqur si edhe djemtë. 2-2 ishte një rezultat i drejtë. Por ne, natyrisht, edhe mund të kishim fituar. Para ndeshjes, me këtë rezultat, siç e thashë, do të isha shumë i gëzuar. Natyrisht, pas pjesës së dytë, ku ne kemi luajtur shumë mirë, edhe mund të kishim fituar. Por goli i pësuar në pjesën e parë ishte shumë i hidhur. Megjithatë, ky barazim e turbullon gëzimin. Gjithsesi, mendoj se ka qenë një rezultat i mirë për skuadrën," është shprehur gjermani.
Ky i fundit, menjëherë pas takimit, ka vlerësuar sidomos sulmuesit e kombëtares sonë, me në krye Bogdanin dhe Kapllanin. Gjithashtu, Brigeli është shprehur se në ndeshjen e së mërkurës me Turqinë ekipi ynë kombëtar do të kërkojë të fitojë dhe t'i mbyllë në mënyrën më të bukur këto eliminatore për botërorin e 2006-s. "Para kësaj ndeshjeje unë kam thënë se objektivi ynë është 6-pikëshi. Kemi marrë një pikë këtu, por kemi për të luajtur edhe ditën e mërkurë, ku do të shihen vlerat tona. Shumë mirë ka luajtur në këtë ndeshje Kapllani, i cili është një djalë për të ardhmen. Po ashtu, edhe Igli deri në momentin që u ndërrua. Bogdani, sigurisht, shënoi dy gola dhe na dha barazimin. Jam i bindur se ekipi do të japë maksimumin edhe kundër Turqisë në ndeshjen e fundit të eliminatoreve për botërorin e 2006-s,"ka përfunduar gjermani.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Sun, 09 Oct 2005 , 14:09

Bogdani: Golat, për ata që besuan tek unë

Ka shënuar dy gola dje në Dnjepro, duke bërë që kombëtarja shqiptare të marrë një barazim historik në Ukrainë. Por jo vetëm kaq. Me lojën dhe gola e tij, Erion Bogdani, me rikthimin e tij në kombëtare ka ndryshuar shumë gjëra në sulm. Në 3 ndeshjet e fundit të kombëtares në eliminatoret e botërorit 2006 ka shënuar 4 gola, njëri më i bukur se tjetri. Eshtë pa dyshim lojtari më i mirë i kombëtares sonë dhe idhulli i tifozerisë kuqezi.
Mbrëmë, pas ndeshjes, ka qenë shumë i gëzuar pas dy golëshit që ia ka dedikuar familjes së tij, që i ka qëndruar pranë edhe atëherë kur u dëmtua rëndë dhe për 5 muaj qëndroi larg fushave të futbollit. Ja fjalët e golashënuesit kuqezi, Erion Bogdani, menjëherë pas ndeshjes Ukrainë-Shqipëri:
Erion, 2 gola dhe për pak një fitore që mund të kishte qenë jotja dhe e kombëtares shqiptare. Nga ana tjetër, ke zhvilluar edhe lojë të mirë...
Me të vërtetë që sot ka qenë një ndeshje shumë e mirë për mua. Kam shënuar 2 gola në këtë takim që mund ta kishim fituar. Falënderoj të gjithë ekipin për lojën që bëri. Pa të nuk mund të kisha shënuar 2 gola. Falënderoj të gjithë ata që patën besim te Bogdani dhe unë po ua shpërblej me golat e mi. Nga ana tjetër, po kaloj një formë shumë të mirë në këtë moment si në kombëtare dhe në Serinë A. Jam i kënaqur me lojën që zhvilloj dhe shpresoj që të vazhdoj kështu edhe në të ardhmen.
Gjithsesi, vazhdoni të shënoni. Katër gola në tri ndeshje...
Siç e thashë, po kaloj një formë të mirë sportive. Jam i kënaqur, sepse golat janë gjithçka për një sulmues. Shpresoj që të vazhdoj të shënoj sërish me ekipin kombëtar dhe të kënaq të gjithë ata që patën besim tek unë. Të mërkurën kemi një ndeshje tjetër, që është po kaq e vështirë.
Pikërisht me Turqinë. Kombëtarja do të luajë sërish për pikë?
Shpresoj që po. Nëse luajmë mirë të gjithë si ekip, mund të arrijmë të marrim maksimumin, pra të fitojmë dhe të lëmë pas edhe 13 pikët që kemi marrë deri tani. Turqia është ekip i fortë, që kërkon të kualifikohet në botëror.
Besoni se nuk do t'i ndalni golat as ndaj turqve?
Shpresoj që të shënoj sërish. Do të ishte kënaqësi për mua. Gjithsesi, vazhdoj të mendoj që në radhë të parë të luaj mirë si unë edhe ekipi kombëtar, pastaj të mendojmë për golat.
Një dygolësh kujt do t'ia dedikonit?
Dua t'ia dedikoj familjes sime. Ata më qëndruan shumë pranë edhe kur unë u vrava 3 vjet më parë në gju dhe ndenja pa luajtur futboll 5 muaj. Më inkurajuan që të rikthehesha më i fortë në fushën e lojës. Faleminderit.

Post Reply