Lajmet per skuadren e Vllaznise

Lajme te fundit nga Vllaznia

Moderators: GOLDIAN, Miri, vllaznia1919

Post Reply
vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Sat, 11 Dec 2004 , 14:03

Kuqeblutë: Elbasani, mision i vështirë

Ndryshime nga halli. Kështu mund të quhen ato që trajneri Bici është duke aplikuar ditë e fundit në formacionin e skuadrës së tij. Pragndeshja me Elbasanin ka ardhur me më shumë probleme se kurrë për shkodranët. Janë disa lojtarë që mungojnë për arsye kartonësh edhe dëmtimesh, pa harruar tre lojtarët që u larguan një javë më parë. Gjithsej bëhen plot shtatë mungesa për kuqeblutë, shumë natyrisht për një ekipi si Vllaznia, që duhet pranuar se nuk ka pasur ndonjë organikë kushedi se çfarë në fillim të sezonit. Në këtë logjikë stafi drejtues i skuadrës herëpasherre gjatë kësaj jave ka aplikuar vendosje të ndryshme në fushë. Po ashtu, edhe me emra që kanë ndërruar herëpashere. Por më në fund duket se Bici ka rënë në formacionin e duhur. Atë e ka aplikuar në ndeshjen e kontrollit të ditës së enjte dhe mendohet që ai të jetë formacioni anti Elbasani. Të rejat në të janë jo të pakta, por mbi të gjitha të bën përshtypje një emër në listën e 11 lojtarëve që do të luajnë të dielën në "Ruzhdi Bizhuta". Bëhet fjalë për sulmuesin e talentuar 17-vjeçar Xhevahir Sukaj. Ai pritet të luajë në sulm krahas Sinanit, duke zënë kështu vendin e Abilios, të skualifikuar me kartonë. Në të vërtetë, pritet që të mos ndodhte kështu, pasi fillimsht Bici vendosi në sulm dyshen Sinani Salihi. Por më në fund planet kanë ndryshuar dhe golashënuesi më i mirë i kampionatit do të luajë në vendin e tij të preferuar, atë pas dy sulmuesve, për t'i lënë vendin kështu në sulm Sukajt, 17-vjeçarit të talentuar, që është pjesëtar i ekipit të të rinjve të Vllaznisë me trajner Ismet Hoxhën. Duhet pranuar fakti që trajneri Bici që në fillim të ardhjes së tij te kuqeblutë e ka evidentuar këtë lojtar dhe ndoshta tani është momenti që ai të tregojë se çfarë është në gjendje të bëjë, megjithëse është një takim shumë i vështirë dhe për rrjedhojë shanset janë të pakta që ai të bëjë diçka të mirë. Një ndryshim tjetër është edhe vendosja në mbrojtje. Fillisht u mendua që krahas Telit dhe Licit në këtë repart të kthehej Doçi, por planet kanë ndryshuar sërish. Të enjten në ndeshjen e kontrollit Bici ka vënë në rolin e stoperit të djathtë Erogen Brajoviç (Vaso). Ai deri tani nuk ka pasur shumë vend në formacion dhe për pasojë në Elbasan do të ketë shansin të bëjë debutimin e tij si titullar. Të tjerët ndërkohë do të jenë po ata, kur në portë do jetë Shehi. Në mesfushë do luhet me pesë lojtarë, ku Doçi është në krahun e majtë dhe Beqiri në të djathtin, ndërsa në qendër Belisha me Ahin, duke pasur para tyre Salihin. Me këta 11 lojtarë shkodranët do të kërkojnë suksesin në Elbasan, megjithëse për ta arritur atë do të jetë shumë e vështirë. Por gjithsesi jo një mision i pamundur, sepse futbolli është një lojë që i pranon të gjitha.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Tue, 14 Dec 2004 , 14:59

Sinani: Vllaznia s'e meritonte humbjen në Elbasan

"Vllaznia nuk e meritonte humbjen në Elbasan. Loja e saj ka qenë shumë e mirë dhe vetëm fati i ka ndihmuar vendësit të merrnin tri pikët." Kjo është deklarata e djeshme e sulmuesit kryesor të Vllaznisë, Vioresin Sinani. Kuqeblutë, ndryshe nga sa ishte menduar, kanë bërë një ndeshje mjaft të mirë në "Ruzhdi Bizhuta", duke mos e ndier shumë mungesën e shtatë titullarëve. Humbja 0?1 ka qenë një rezultat që mund të kishte pasur edhe shifra të tjera, megjthatë për Sinanin një barazim në këtë ndeshje do të ishte rezultati më i drejtë. "Nga mënyra se si u zhvillua loja në fushë, nuk mendoj se Elbasani e meritoi fitoren. Ata vërtet shënuan një gol dhe patën edhe raste, por të mos harrojmë që edhe ne patëm raste, madje goditëm dy herë shtyllat. Nëse ndonjëra prej tyre do të kishte qenë gol, nuk e di sesi mund të kishte shkuar rezultati. Të mos harrojmë se në rastin e golit të vetëm që shënuan elbasanasit, më parë ishte një aksion yni, ku topi i gjuajtur prej meje goditi shtyllën anësore dhe në kundërsulm vendësit shënuan. Kështu është futbolli. Dikush ka edhe fat, ndërsa në këtë ndeshje fati nuk ishte me ne," ? thotë Sinani. Para ndeshjes, shumëkush ka menduar se Vllaznia do të dërrmohej në këtë takim. Mungesat e shumta në radhët e saj bënë që trajneri Bici të aktivizonte titullarë disa emra të rinjsh, që nuk e kishin provuar asnjëherë më parë formacionin. Megjithatë, lojtari me mjaft përvojë i ekipit shkodran, Sinani, e vlerëson së tepërmi lojën e këtyre të rinjve, që luajtën me sukses në këtë takim. "Ajo që mund të them unë është se Brajoviçi, Beqiri, Sukaj apo edhe Egerçi me Likën, luajtën si të barabartë kundër lojtarëve të Elbasanit. Kjo është një shenjë e mirë se Vllaznia ka ku të bazohet për të ardhmen e saj. Janë lojtarë që stërviten plot pasion dhe vetëm në këtë mënyrë mund të bëhen titullarë të formacionit," ? shton më tej Viori. Shkodranët, edhe pas kësaj humbjeje, vazhdojnë të mbajnë vendin e tretë në renditje, veçse diferenca me Tiranën dhe Elbasanin është thelluar së tepërmi. Një gjë e tillë të duket e pakuptueshme, pasi në javët e fundit Vllaznia ka luajtur me të dy këto ekipe dhe ka humbur pa të drejtë. Sinani e shpjegon kështu diferencën e madhe me kundërshtarin: "Vërtet jemi shumë larg këtyre ekipeve, por unë mendoj se diferencat mes nesh nuk janë të mëdha. Ne e pamë në Elbasan, që kjo skuadër nuk ishte më lart se ne, po ashtu edhe ndaj Tiranës. Kjo e fundit barazoi edhe me Partizanin dhe kjo do të thotë se niveli i ekipeve aty?aty është. Tiranasit dhe elbasanasit e krijuan shkëputjen në javët e para, duke përfituar nga disa gabime tonat dhe duke krijuar edhe diferencën në renditje." Ndërkohë, kampionati vazhdon dhe për kuqeblutë nuk ka rrugë tjetër, veçse të marrin pikët maksimale në javët që kanë mbetur deri në përfundim të fazës së dytë. Këtë e pranon edhe Sinani, që premton se Vllaznia do të ketë detyrë fitoren e këtyre tri takimeve, prandaj në fund do të thoshte: "Këtë të mërkurë luajmë me Shkumbinin, por unë këtë ndeshje nuk e shoh të veçuar nga dy të tjerat e kësaj faze. Na duhen 9 pikët që kanë mbetur në lojë për fazën e dytë dhe besoj se do të arrijmë t'i marrim."

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Wed, 15 Dec 2004 , 14:38

Presidenca: Vllazni, duam 3 fitore radhazi!

Për takimin e sotëm me Shkumbinin një gjë është e sigurt në kampin shkodran, përveç fitores, nuk ka asnjë rrugë tjetër. Madje për ta thënë më qartë, kuqeblutë llogarisin vetëm fitoren në takimin e sotëm. Trajneri Bici dhe skuadra në këta dy ditët e përgatitjeve të ndeshjes së radhës kundër peqinasve, kanë pasur kohë edhe të analizojnë ndeshjen e fundit me Elbasanin. Megjithëse e humbur, bëhet e ditur se drejtuesit e ekipit nuk i kanë kursyer fjalët e mira për disa pjesëtarë të kësaj skuadre, që luajtën për herë të parë në formacionin e skuadrës. Po ashtu, është diskutuar edhe për ndeshjen e radhës. Burime brenda skuadrës bëjnë të ditur se në analizën e zhvilluar nuk është diskutuar për rezultat tjetër për sot, përveç fitores. Madje kuqeblutë janë duke parë më larg se ky takim. Gjithnjë sipas burimeve brenda skuadrës, bëhet e ditur se presidenca e klubit i ka vënë kusht skuadrës që duhet të marrë 9 pikë të plota për 3 ndeshjet e mbetura deri në fund të kësaj faze. Kalendari në të vërtetë është tepër i favorshëm dhe, për pasojë, teksa ata do të presin në Shkodër Shkumbinin dhe Lushnjën, do të udhëtojnë jashtë edhe për takimin me Laçin. Kësisoj, për të marrë këto pikë, as që ka alternativë tjetër. Madje dikush mendon se edhe një pikë e lënë do të ishte shumë fatale për pretendimet e skuadrës në të ardhmen. Në takimin e sotëm kundër Shkumbinit pritet të kthehen në formacion ata që munguan në ndeshjen e fundit për arsye të kartonëve. Megjithatë, ende nuk dihet nëse do të jetë i gatshëm Erion Hoti, mesfushori që u dëmtua në ndeshjen me Partizanin. Megjithatë, për trajnerin Bici, tashmë i mësuar me mungesat, kjo nuk është shumë problem. Në portë do të jetë sërish Shehi, duke pasur përpara në mbrojtje Telin, Krajën dhe Licin. Mesfusha do të jetë e përbërë nga 5 lojtarë, ku bie në sy rikthimi i Leandros, që do të luajë përkrah Belishës, Ahit, Doçit dhe Salihit. Ndërsa sulmi, me Sinanin dhe Abilion, pritet që edhe në këtë ndeshje të jetë pika më e fortë e Vllaznisë. Në takimin e sotëm kundër Shkumbinit pritet që të ketë edhe një numër të konsiderueshëm tifozësh shkodranë. Ndonëse nuk janë aspak dakord me pozicionimin aktual në renditje të ekipit të tyre të zemrës, ata sërish janë duke e mbështetur me të gjitha forcat e veta. Ata dëshirojnë që mbi Vllazninë të mos jetë askush, por ndërkohë lojtarët që mbajnë të veshur fanellën kuqeblu sivjet nuk e kanë justifikuar deri tani këtë gjë. Megjithatë, skuadra ka ende kohë për të arritur në objektivat që ajo ka dhe, për rrjedhojë, mbetet që të presin deri në fund për këtë.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Wed, 15 Dec 2004 , 14:40

Sërish bileta të lira për tifozët kuqeblu

Çmimi i ri i biletave që ka filluar të aplikohet në ndeshjen e fundit me Partizanin do të vazhdojë të jetë në fuqi deri në fund të kampionatit. Tashmë për të parë një ndeshje në "Loro Boriçi", një biletë kushton vetëm 2 mijë lekë. Kjo ulje e çmimit është bërë nga drejtuesit e klubit dhe ka dhënë efektin e vet. Kjo u pa edhe në ndeshjen e fundit zhvilluar në këtë stadium, ajo me të kuqtë e Partizanit, ku pati më shumë tifozë se herët e tjera. Në këtë mënyrë, pritet që edhe sot të ketë një numër të konsiderueshëm shikuesish, ndonëse nuk është një nga ato ndeshjet që e ndezin stadiumin.

User avatar
GoL
Tifoz
Tifoz
Posts: 92
Joined: Sun, 05 Dec 2004 , 15:11
Location: Shkoder
Contact:

Post by GoL » Thu, 16 Dec 2004 , 13:41

Shkodranëve u mjafton një gol për çdo pjesë për të dalë triumfues në "Loro Boriçi" ndaj Shkumbinit 16-12-2004

Vllaznia, fitore pa shkëlqim ndaj peqinasve




Vllaznia ka fituar dje ndaj Shkumbinit, por megjithatë loja e saj nuk ka qenë shumë bindëse. Përballë një skuadre që kishte ardhur me synime të qarta për pikë në Shkodër, kuqeblutë nuk kanë qenë në maksimumin e tyre. Këtë e ka pranuar pas ndeshjes edhe trajneri Bici, i cili është shprehur se të besuarit e tij nuk ishin në 100 për qind të formës së tyre. Fillimi i lojës tregoi se shkodranët do t'u besonin sërish disa prej të rinjve "të zbuluar" në ndeshjen e fundit në Elbasan. Brajoviç dhe Beqiri janë që në fillim, ndërkohë që Sukaj aktivizohet në pjesën e dytë dhe bëhet protagonist i këtij takimi. Ai që në ndeshjen e dytë me fanellën e Vllaznisë ka arritur të shënojë golin e tij të parë në kampionat. Vetëm 17 vjeç dhe duket se Vllaznia e ka të sigurt perspektivën e saj me lojtarë të tillë si ai. Ndërkohë, te Shkumbini kanë rënë në sy mungesat e Nexhës dhe R.Dervishit, megjithatë kjo nuk e ka penguar këtë skuadër të kërkonte pikë. Madje nëse Stojku, në veçanti Ivanaj, do të kishin qenë më të qetë para portës, ndeshja mund të kishte pasur edhe rezultat tjetër. Megjithatë, 90-minutëshi tregoi se vendësit e merituan fitoren, pavarësisht se ata kanë zhvilluar ndeshjen e tyre më të dobët të këtij sezoni në fushën e tyre. Fitore që do t'i motivojë edhe më tepër për t'i bërë një mbyllje të mirë fazës së dytë. Ngelen edhe dy ndeshje për të realizuar synimin e fazës së dytë. Pra, mbeten edhe gjashtë pikë për t'u marrë, që është edhe kushti i vendosur nga presidenca kuqeblu. Të shtunën, kuqeblutë do të ndeshen me Laçin e kapitulluar, kështu që ata më shumë mendojnë për ndeshjen e fundit me Lushnjën, e cila kohët e fundit po tregon rritje në lojën e saj. Deklaruan: Vasil Bici, trajner i Vllaznisë: "Nuk bëmë lojë bindëse. Mbase ishin pasojat e ndeshjes me Elbasanin, ku ekipi ynë u karikua në maksimum dhe, për pasojë, në këtë ndeshje lojtarët e mi nuk ishin në 100 për qind. Ndoshta edhe fati ishte me ne në këtë ndeshje, ngaqë nuk pësuam, por ai ishte edhe me Shkumbinin, që nuk pësoi gola të tjerë. Aktivizimi i disa të rinjve edhe në këtë ndeshje tregoi se ne kemi besim tek ata dhe i konsiderojmë pjesë e rëndësishme e skuadrës. Objektivi ynë është ta mbyllim fazën e dytë vetëm me fitore." Astrit Isaj, sekretar i klubit të Shkumbinit: "Kishim disa mungesa në skuadrën tonë dhe kjo ndikoi paksa në lojë, megjithatë për nga mënyra si u zhvillua ndeshja, edhe mund të kishim dalë më pikë nga Shkodra. Na mungoi edhe fati në këtë takim, sepse nuk arritëm të shfrytëzonim disa raste të pastra që na u krijuan. Vllaznia i shfrytëzoi më së miri gabimet e portierit dhe mbrojtjes sonë, shënoi dhe për rrjedhojë e meritoi fitoren". Të veçanta: - Aktivizimi i 17-vjeçarit Sukaj ka qenë vërtet interesant, pasi tri minuta pas futjes në lojë ai ka shënuar golin e dytë për skuadrën e tij, gol që mbylli dhe takimin. - Me shumë të ngjarë, edhe të shtunën do të ketë ndeshje në "Loro Boriçi". Drejtues të ekipeve të Vllaznisë dhe Laçit duket se kanë rënë dakord që kjo ndeshje të luhet në Shkodër, ndonëse laçianët konsiderohen vendës. Megjithatë, kjo pritet të vendoset sot. - Me fillimin e pjesës së dytë, Brajoviçi është dëmtuar në kokë dhe për pasojë stafi mjekësor i Vllaznisë i ka vendosur një rrjetë mbrojtëse, me të cilën ka luajtur deri në fund të takimit.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Fri, 17 Dec 2004 , 14:39

Bici: Vllaznia ka mundësi për më shumë

Në ballafaqimin e së mërkurës me peqinasit, Vllaznia nuk ka qenë në lartësinë e duhur, madje ka zhvilluar një ndeshje që ka lënë shumë për të dëshiruar, ndoshta më e dobëta e luajtur deri tani në "Loro Boriçi". Ndonëse rezultati përfundimtar ishte 2?0 në favor të shkodranëve, të gjithë e pranuan që kuqeblutë nuk zhvilluan një ndeshje të mirë. Këtë e thotë edhe numri 1 i stolit shkodran, Vasil Bici, i cili nxjerr edhe konkluzionet e kësaj paraqitjeje jo të mirë: "Duhet ta pranoj që ekipi nuk më bindi shumë në takimin me Shkumbinin, pavarësisht se fituam 2-0. Ndoshta lojtarët nuk ishin në 100 % të tyre, pasi vinin nga ndeshja e pak ditëve më parë me Elbasanin, ku dhanë maksimumin. Kjo bëri që ata të mos luajnë ashtu siç duhet. Megjithatë, e rëndësishme është që Vllaznia nuk e vuri asnjëherë në dyshim fitoren," ? shprehet Bici. Në takimin e së mërkurës në "Loro Boriçi", u vu re edhe një herë tjetër njëfarë lëshimi në lojën e Vllaznisë në momente të caktuara. Kjo ndodh zakonisht pasi kuqeblutë shënojnë. Ekipi shkodran mund të ishte ndëshkuar nga ky lëshim, por peqinasit u treguan të pasaktë në momentet vendimtare të takimit, duke mos arritur të shënojnë qoftë edhe një gol. Trajneri Bici mendon se fati e ndihmoi ekipin e tij, ashtu siç mund të ketë ndihmuar edhe peqinasit në disa momente, ndaj shton: "Në të vërtetë, nuk pësuam gol pasi edhe fati ishte me ne në disa momente, por nuk duhet harruar se fati ishte edhe me Shkumbinin. Ne mund të kishim shënuar edhe gola të tjerë, por nuk ia arritëm dot qëllimit, kur në disa raste të tjera nuk shënuam dot, ndonëse ishim fare pranë." Fitorja me Shkumbinin ishte e para në serinë e fitoreve?kusht që presidenca shkodrane i ka vënë skuadrës për tri ndeshjet e fundit të fazës së dytë. Kalendari për Vllazninë është tepër i favorshëm. Këtë javë, kuqeblutë do të luajnë një ndeshje relativisht të lehtë, pasi përballë tyre do të jetë Laçi i vendit të fundit. Por trajneri i shkodranëve kërkon t'u kujtojë lojtarëve të tij se të gjitha takimet vlejnë nga tri pikë. E thënë ndryshe, edhe për këtë ndeshje duhet përkushtim, aq më tepër që ekipi do të vuajë sërish mungesën e disa lojtarëve. "Për Vllazninë, të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Kemi gabuar shumë dhe tashmë nuk na lejohet asnjë gabim, aq më tepër ndaj Laçit, sepse do të ishte fatale. Megjithatë, unë nuk e çoj nëpër mend lënien e pikëve në këtë takim të radhës,"? thotë në fund Vasil Bici. Në prag të ndeshjes me Laçin, atmosfera në kampin shkodran duket se është në lartësinë e duhur. Drejtues të skuadrës janë duke i marrë të gjithë masat që ekipi të mos e nënvleftësojë aspak kundërshtarin.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Fri, 17 Dec 2004 , 14:41

Shkodranët, shumë mungesa për Laçin

Fitorja në ndeshjen e fundit me Shkumbinin i ka kushtuar jo pak ekipit shkodran. Pasojat e kësaj fitoreje janë jo të vogla, por ngushëllimi për Vllazninë është se ndeshja e radhës konsiderohet disi e lehtë. Kundër peqinasve, dy futbollistët kuqeblu, Teli dhe Belisha, janë ndëshkuar me kartonë të verdhë dhe nuk mund të luajnë ndaj Laçit, pasi janë të skualifikuar. Sikur të mos mjaftonin këto skualifikime, ndaj kurbinasve pritet të ketë mungesa të tjera. Kështu, Doçi, në ndeshjen me Shkumbinin e ka lënë fushën e lojës që në minutat e para, pas një tërheqjeje muskulare që ka pësuar. Sipas informacioneve të para që vijnë nga stafi mjekësor, duket se ai do të mungojë 2-3 javë. Po ashtu, edhe Salihi ka pasur shqetësim në "tendinën e Akilit" dhe për pasojë është zëvendësuar në pjesën e dytë. Ndërkohë, ende nuk është bërë e ditur nëse Hoti është rikuperuar plotësisht apo jo. Të mërkurën ai nuk ka qenë as në stol, kështu që nuk do të jetë i gatshëm as për këtë ndeshje. Në këtë mënyrë, trajneri Bici është i detyruar t'u bëjë edhe një herë tjetër vend të rinjve si Brajoviç, Sukaj, Lika dhe Beqiri. Aktivizimi i këtyre të fundit ka qenë i suksesshëm dhe ndaj Laçit ata kanë mundësinë më të mirë për të rikonfirmuar vlerat e tyre.

Admin
Webmaster
Webmaster
Posts: 5601
Joined: Wed, 24 Nov 2004 , 03:41
Skuadra: Vllaznia
Location: Loro Boriçi
Contact:

Post by Admin » Sun, 19 Dec 2004 , 18:19

Vllaznia-Salihi, pa mëshirë ndaj Laçit


Vllaznia ka fituar me një rezultat të thellë dje ndaj Laçit. Në njëfarë mënyre është përsëritur rezultati i fazës së parë, kur kuqeblutë fitonin 7﷓0. Edhe dje ndeshja është luajtur në "Loro Boriçi", pas kompromisit të dy ekipeve. Në fillim ata pak shikues që ishin të pranishëm menduan se laçianët do të bënin surprizën e madhe, pas atij goli të shënuar nga ana e shkodranit Selmani. Gëzimi pushtoi edhe vetë stolin dhe futbollistët e Laçit. Por kaq u desh që Vllaznia të zgjohej. Ndonëse me disa mungesa në radhët e saj, skuadra shkodrane arriti ta përmbysë shpejt lojën, duke shënuar njëri pas tjetrit disa gola. Mbase rezultati i thellë 1﷓7 nuk i pëlqeu shumë trajnerit Metani, por dy ekipet nuk kishin bërë "pakt" përpara ndeshjes. Vllaznia shënoi aq gola sa deshi dhe për më tepër që ky takim i shërbeu Hamdi Salihit për të shënuar edhe tre gola të tjerë, që e çuan në kuotën e 14 golave në kampionat. Mbyllja e fazës së dytë, ashtu siç pritej, po u shërben shkodranëve për të marrë pikët maksimale dhe për pasojë këtë gjë do ta kërkojnë edhe të enjten, kur përsëri në "Loro Boriçi" do të presin ekipin e Lushnjës. Kuqeblutë do ta marrin akoma më seriozisht këtë ndeshje, për të plotësuar kështu edhe kërkesën e presidencës, e cila kërkoi 9 pikë të plota nga tri ndeshjet e fundit të fazës së dytë. Vllaznia ka marrë dy fitore radhazi. Tani pritet vetëm fitorja e tretë, duke pushuar më të qetë në këto festa të fundvitit, pas oshilacioneve të mëdha të treguara deri tani, ku ndryshoi edhe objektivi kryesor i Vllaznisë. Deklaruan: Vasil Bici, trajner i Vllaznisë: "Fituam një ndeshje që e kishim llogaritur fitore. Ekipi ynë, ashtu si dhe në disa raste të tjera, u tregua liberal ndaj një kundërshtari të dobët dhe vetëm pas pësimit të golit u zgjua dhe shënoi. Kjo fitore do të na ndihmojë shumë për objektivin, sidomos për ndeshjen e radhës, që duhet ta mbyllim me fitore, duke mundur të enjten Lushnjën." Dodë Zima, sekretar i Laçit: "Rezultati, kuptohet, është normal. Luanim përballë një Vllaznie shumë të etur për të shënuar dhe, ndonëse u përpoqëm për të bërë diçka, nuk ia arritëm. Në momente të veçanta loja e ekipit tonë ishte në nivel të pëlqyeshëm, megjithatë na mbetet shumë për të bërë. Shpresojmë që në fazën tjetër të marrim edhe disa lojtarë të tjerë, për të rregulluar disi imazhin e këtij Laçi." Të veçanta: - Humbja në shifra të thella e ka nervozuar trajnerin e Laçit, Luan Metani. Ai bëri çmos t'i motivonte lojtarët e tij për të mbajtur rezultatin, duke qëndruar gjithë kohën në këmbë, ndonëse binte shi. - Ndeshja ka nisur me një minutë heshtje, në nderim të ish﷓futbollistit dhe drejtuesit të sportit në Shkodër, Lutfi Halite, i cili vdiq dy ditë më parë në moshën 75-vjeçare. - Ndeshja është luajtur në stadiumin "Loro Boriçi" me mirëkuptimin e të dy ekipive dhe u ndoq nga një numër i vogël tifozësh.

User avatar
Kuq3Blu
Tifoz
Tifoz
Posts: 88
Joined: Thu, 09 Dec 2004 , 19:47
Location: Shkoder

Post by Kuq3Blu » Mon, 20 Dec 2004 , 16:14

Golashënuesi më i mirë i kampionatit kërkon të ruajë këtë ritëm edhe në dy fazat e tjera të kampionatit 20-12-2004

Salihi: Edhe 14 gola të tjerë për Vllazninë


Tre golat e shënuar të shtunën në ndeshjen kundër Laçit e kanë çuar numrin e tyre në 14 në këtë kampionat, shifër kjo e barabartë me numrin total të golave që Hamdi Salihi shënoi kampionatin e kaluar. Basti i vënë me veten është fituar nga futbollisti, që në janar mbush 21 vjeç. I konsideruar si ndër të paktët talente që ka nxjerrë kampionati ynë vitet e fundit, ai po e justifikon gjithnjë dhe më tepër interesimin me lojë klas dhe plot gola të shënuar, aq sa Salihi prej javësh është në krye të renditjes së golashënuesve më të mirë të kampionatit, duke lënë pas, as më shumë dhe as më pak, por emra të tillë goleadorësh, si Fortuzi, Rraklli dhe Abilio. Vetë protagonisti i këtyre 14 golave të shënuar, dashje pa dashje, ndihet i rëndësishëm, prandaj thotë: "Të them të drejtën, në fillim të kampionatit pretendoja të shënoja aq gola sa në kampionatin e kaluar. E arrita këtë shifër prej 14 golash dhe jam i kënaqur, aq më tepër që kryesoj listën e golashënuesve më të mirë të kampionatit." Po cili është objektivi i mbetur për të deri në fund të këtij kampionati? Salihi përgjigjet: "Dëshira është për të shënuar edhe po kaq gola në fazat e tjera, meqë janë edhe shumë javë përpara. E rëndësishme është që jam duke shënuar rregullisht. Nuk mund ta fsheh që e dëshiroj "këpucën e artë", por kur shoh se kë kam prapa, e kuptoj se nuk do të jetë e lehtë. Gjithsesi, unë do të bëj punën time deri në fund." Të shtunën, kuqeblutë fituan thellësisht me Laçin me rezultatin 7﷓1. Autori i tre golave në këtë ndeshje nuk ka dëshirë t'i bëjë shumë komente kësaj fitoreje dhe mjaftohet duke thënë: "Ne bëmë detyrën. Morëm tri pikët që na duheshin dhe tani duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës me Lushnjën. Vllaznia, duke përfituar edhe nga shorti i favorshëm, është duke marrë pikët maksimale në këto javët e fundit të fazës së dytë. Një mbyllje e tillë natyrisht që është një ogur i mirë për kuqeblutë në prag të hapjes së merkatos së dimrit, kur mendohet të afrohen të tjerë lojtarë cilësorë, në mënyrë që dy fazat e tjera të jenë një mundësi e mirë për arritjen e objektivave që klubi shkodran i ka vënë vetes. Më duhet të pranoj që gjatë këtyre dy fazave kemi gabuar shumë. Këto pikë që po marrim në këtë ndeshje të fundit të kësaj faze do të na shërbejnë për të ngushtuar sadopak diferencën me dy skuadrat kryesuese. Objektivi ynë është të kapim vendin e dytë dhe të fitojmë kupën."

User avatar
Kuq3Blu
Tifoz
Tifoz
Posts: 88
Joined: Thu, 09 Dec 2004 , 19:47
Location: Shkoder

Post by Kuq3Blu » Mon, 20 Dec 2004 , 16:16

Kuqeblutë, fundviti dhuron një kalendar të lehtë


Shorti i javëve të fundit të fazës së dytë të kampionatit ka qenë dhurata më e mirë për Vllazninë në këtë fundviti. Pasi kanë kaluar me sukses Shkumbinin dhe Laçin, shkodranët do ta mbyllin të enjten me ndeshjen kundër Lushnjës. Edhe ky takim, si dy të mëparshmit, do të luhet në "Loro Boriçi" dhe me shumë të ngjarë ka si favoritë kuqeblutë. Një gjë e tillë ka ardhur në momentin e duhur edhe për trajnerin Vasil Bici, i cili në ndeshjet e fundit është duke pasur shumë probleme për sa i takon ndërtimit të formacionit. Largimet e disa lojtarëve, mungesat e shumta për shkak të kartonëve, apo dëmtimeve e kanë shqetësuar së tepërmi atë. Por për fatin e tij të mirë dhe të Vllaznisë favorizimi i shortit ka qenë një shans i mirë.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Tue, 21 Dec 2004 , 14:44

Bici: Vllaznia, s'mjaftojnë vetëm të rinjtë!

Në prag të ndeshjes së javës së fundit të fazës së dytë të kampionatit, trajneri i Vllaznisë ka përsëritur edhe një herë tjetër frazën: "Na duhen edhe disa lojtarë të tjerë". Një gjë e tillë po bëhet më se e zakonshme këto javët e fundit dhe, për më tepër, duket qartë që kreu i stolit shkodran nuk heq dorë nga kërkesa e tij. Për fatin e tij të mirë, njëkohësisht të tërë kuqebluve, shorti i këtyre ndeshjeve të këtij fundviti ka qenë tepër i favorshëm për ta, çka ka bërë që kjo skuadër të mos e ndiejë shumë mungesën e disa titullarëve. Nga ana tjetër, pikërisht këto mungesa u kanë hapur rrugë për aktivizimin e tyre disa të rinjve të ardhur nga ekipet zinxhirë të këtij klubi. Deri para 3?4 ndeshjesh, duhet pranuar që askush nuk i ka njohur emra të tillë, si Brajoviç, Beqiri, Sukaj, Lika, Tërmeti, Cani etj. Duke parë këtë ecuri të tyre, shumëkush ka menduar se për dy fazët e para të kampionatit presidenca e klubit nuk do ta fuste dorën në xhep për të marrë lojtarë nga merkatoja, për të besuar te këta të rinj, që do të ishin njëkohësisht investim për të ardhmen e kësaj skuadre. Megjithatë, Bici, duke qenë se Vllaznia ka ende shanse për të kapur objektivat e saj, kërkon lojtarë të tjerë në janar. "Mua si trajner vërtet më gëzon paraqitja e këtyre të rinjve, por sërish ata nuk mjaftojnë. Vllaznia ka pretendimet e veta dhe kemi ende shumë shanse për të kapur vendin e dytë dhe për të fituar kupën. Pikërisht nga kjo duhet të përforcohemi me lojtarë të tjerë në mbrojtje dhe mesfushë. Ndërsa për sa u takon këtyre të rinjve që po luajnë tani, ata do të shtojnë organikën e skuadrës, duke qenë një garanci më tepër për ne," - thotë trajneri i Vllaznisë. Në këtë kontekst, duhet pritur se çfarë do të ndodhë tani e tutje. Presidenti Agron Çela pak ditë më parë është shprehur se ai është i gatshëm të ndërhyjë në merkato, nëse Bici ia parashtron një kërkesë të tillë. Ndërkohë, ky i fundit edhe publikisht vazhdon të shprehet se i duhen lojtarë të tjerë. Emri i vetëm që përflitet është ai i Henri Ndrekës, ndërsa për të tjerët duhet pritur edhe pak ditë. E sigurt është që Vllaznia do të futet në merkato sërish në janar.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Wed, 22 Dec 2004 , 14:43

Vllaznia, për "hakmarrje" ndaj Lushnjës

Ndeshja e nesërme kundër Lushnjës ka një arsye më tepër se normalja për t'u fituar prej kuqebluve të Vllaznisë. Jo vetëm se është ndeshja e radhës dhe e fundit e kësaj faze, por për diçka tjetër. Pikërisht në takimin kundër këtij ekipi në fazën e parë nisi dhe tatëpjeta e shkodranëve. Humbja 0?2 jo vetëm që u mohoi atyre tri pikët në këtë takim, por, për më tepër, hapi disa probleme që do të marrin trajtë tjetër për këtë skuadër. Vetëm pas ndeshjes në "Roza Haxhiu", stafi drejtues i Vllaznisë e kuptoi se koha për të pretenduar titullin ishte shumë larg. Kësisoj, një humbje nuk ka kushtuar kurrë më rëndë se kaq për këtë skuadër. Bilanci i post?Lushnjës sjell disa disfata të tjera radhazi për ekipin e Vasil Bicit, aq sa tani, kur jemi në prag të ndeshjes së dytë me "lagunarët", diferenca e Vllaznisë me kreun e renditjes është plot 14 pikë. Natyrisht, shumë për një presidencë që i paguan futbollistët e saj si pakkush tjetër. Për të gjitha këto duket se ka ardhur koha për të marrë "hak" jo ndaj Lushnjës si ekip, por edhe ndaj fatit të keq që i shoqëroi shkodranët që pas ndeshjes me ta. Bici dhe djemtë e tij do të tentojnë nesër që po ndaj kësaj skuadre të nisin tashmë ngjitjen e tyre. Ja pse kuqeblutë, ndonëse në vigjilje festash, ia kanë bërë shërbimin mirë kësaj ndeshjeje. Numri një i stolit shkodran thotë se nuk dihet lëshuar as në këtë sfidë të fundit të këtij viti. "Normalisht, është një ndeshje që duhet fituar kjo me Lushnjën. Unë e di që futbollistët e mi herë pas here tregohen liberalë në lojën e tyre, siç na ngjau për disa minuta edhe në ndeshjen e fundit me Laçin. Kjo nuk duhet të përsëritet kurrsesi ndaj lushnjarëve, sepse kjo ndeshje paraqet vështirësi tjetër, prandaj nuk do të jetë e lehtë për t'u fituar. Megjithatë, jam i bindur se këtë vit do ta mbyllim me fitore," - shprehet Bici. Në të njëjtën linjë me të është edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit, Hamdi Salihi. Në ndeshjen e fundit, ai ishte protagonist edhe me tre golat që shënoi ndaj laçianëve. Por ndërkohë shprehet se në takimin kundër lushnjarëve kaq gola nuk do të ishin të vlefshëm. "Do të mjaftonte vetëm një që Vllaznia të fitonte dhe misioni do të quhej i kryer. E rëndësishme për ne është që ta fitojmë këtë ndeshje. Në rrugën tonë deri tani kemi gabuar shumë, por në këto ndeshjet e fundit përmirësuam diçka. Na mbetet veçse ta mbyllim me fitore këtë vit, për të menduar ndryshe pastaj vitin tjetër," - shprehet autori i 14 golave për Vllazninë në prag të ndeshjes me ekipin e Lushnjës.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Thu, 23 Dec 2004 , 14:29

Mungesat, gjëja normale për kuqeblutë

Po të kishin ndodhur në javët e para të kampionatit, të gjithë do të ishin alarmuar. Por tani, kur mungesat po bëhen të "modës" për Vllazninë, askush nuk preokupohet të thotë se sa do të ndikojnë ato. Aktivizimi i disa të rinjve të talentuar në javët e fundit ka sjellë rezultat dhe, për rrjedhojë, trajneri Bici tani ka më tepër besim tek ata, që deri dje nuk konsideroheshin as pjesë e stolit. Kështu, edhe për ndeshjen e sotme kundër Lushnjës, formacionit të Vllaznisë do t'i mungojnë Leandro, Doçi dhe ndoshta Hoti. Por nga ana tjetër, nuk kemi asnjë deklaratë që thotë se fitorja ndaj Lushnjës është vënë në pikëpyetje pikërisht nga këto mungesa. Besimi është rritur te ta dhe për pasojë mbetet për t'u parë se sa do të aktivizohen këta lojtarë edhe në dy fazat e tjera të kampionatit.

User avatar
GoL
Tifoz
Tifoz
Posts: 92
Joined: Sun, 05 Dec 2004 , 15:11
Location: Shkoder
Contact:

Post by GoL » Sun, 26 Dec 2004 , 14:21

Zëvendëspresidenti i kuqebluve thotë se është në kontakte të vazhdueshme për të sjellë Ndrekën në Shkodër 26-12-2004

Fushaj: Vllazni, ka ardhur koha për trofe!

Gjergj Kola


Për Vllazninë, viti që po lëmë pas mund të konsiderohet viti i vendeve të treta. Një vend të tillë shkodranët e kanë arritur në kampionatin e kaluar, por njëkohësisht të njëjtin pozicion në renditje mbajnë edhe pas përfundimit të dy fazëve të para të kampionatit aktual. Në këto pozita, njëri prej drejtuesve dhe sponsorizuesve kryesorë të ekipit shkodran, Valter Fushaj, thotë se në 2005-n objektivi është kapja e një trofeu. Më shumë se te kupa, shanset nuk janë tjetërkund dhe, nëse arrihet kjo, do të ishte një kënaqësi edhe për këta njerëz që po shpenzojnë miliona lekë për të mbajtur skuadrën e qytetit të tyre. Njëkohësisht, viti i ardhshëm është i treti i këtyre sponsorëve në krye të Vllaznisë dhe "e treta e vërteta" do të ishte shpërblimi më i mirë edhe për ta. Ja si shprehet zëvendëspresidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, për "Sportin shqiptar": ? Si do ta konsideronit këtë vit për skuadrën që drejtoni? ? Në përgjithësi, jemi të kënaqur me mbarëvajtjen e saj në këtë vit. Skuadra nuk ka qenë ndoshta në nivelet më të larta të saj, por as nuk ka qenë larg pretendentëve. Vendi i tretë në kampionatin e kaluar dhe pjesëmarrja në Kupën Intertoto ishin një sukses për klubin tonë. Megjithatë, na mbetet shumë për të bërë në rrugën tonë, për të ndërtuar atë skuadër që ëndërrojmë ne, por edhe tifozeria e zjarrtë shkodrane. ? Ndërkohë, edhe në dy fazat e para të kampionatit aktual sërish Vllaznia është e treta... ? Kemi bërë shumë gabime rrugës, duke u dhënë mundësi rivalëve tanë të krijojnë një shkëputje të madhe në renditje. Por në dy fazat e tjera mendoj se kemi për të qenë një skuadër më kompetitive, për të synuar ato objektiva që kemi. ? Me këto që po thoni, duket se nuk ju ka mbetur asnjë peng nga ky vit që po lëmë pas? ? Ashtu është. Nuk na ka mbetur asnjë peng. Jemi të kënaqur me çfarë kemi arritur, por kuptohet do të tentojmë gjithmonë për më mirë. ? Dhe çfarë prisni nga 2005?a? ? Si e thashë, që Vllaznia të arrijë objektivat e saj. Aktualisht ne kemi objektiv ngjitjen më lart në renditjen e kampionatit, duke synuar vendin e dytë dhe mbi të gjitha të fitojmë kupën e Shqipërisë. Ne hyjmë në të tretin vit në krye të Vllaznisë dhe mbase ka ardhur momenti që të fitojmë diçka. E treta e vërteta i bie që në 2005?ën të fitojmë kupën dhe për këtë do të luftojmë deri në fund. ? Por për të arritur deri këtu natyrisht që duhet ta dini se nuk e keni skuadrën e duhur, apo jo? ? Ne, si presidencë, e dimë që skuadra ka nevojë për përforcime. Për këtë jemi koshientë dhe kemi filluar bisedimet që ta forcojmë skuadrën. Nga sa kemi kontaktuar edhe me trajnerin Bici, mund të them që po tentojmë të marrim lojtarë që luajnë në krahun e majtë të mbrojtjes dhe në mesfushë. Bisedimet me disa lojtarë cilësorë kanë nisur dhe besoj që në janar skuadra do të jetë e kompletuar me lojtarët e duhur. ? Mund të përmendni ndonjë emër? ? Njëri prej tyre është Ndreka. Me këtë lojtar kemi kontaktuar prej kohësh dhe ai më ka dhënë fjalën se, përveç Vllaznisë, nuk do të luajë me ekip tjetër në Shqipëri. Shpresoj që në ditët e ardhshme të gjejmë akordin e duhur dhe Ndreka të firmosë për ne. ? Dhe së fundi, cili do të ishte urimi juaj për 2005?n? ? Në emër të klubit do t'u uroja: Gëzuar dhe për shumë vjet Vitin e Ri të gjithë futbollistëve, trajnerëve dhe drejtuesve të gjithë ekipeve të kampionatit tonë. Mbi të gjitha, do të uroja tifozët tanë të zjarrtë, duke u premtuar se vitin e ardhshëm kemi për t'u dhuruar shumë emocione dhe gëzim.

User avatar
GoL
Tifoz
Tifoz
Posts: 92
Joined: Sun, 05 Dec 2004 , 15:11
Location: Shkoder
Contact:

Post by GoL » Wed, 29 Dec 2004 , 14:36

Golashënuesi më i mirë i kampionatit të kaluar premton se do të ybëjë të pamundurën për Vllazninë 29-12-2004

Sinani: Tifozë, do t'ju kënaq sërish!



Për Vioresin Sinanin, viti që po lëmë pas mund të konsiderohet nga më të veçantët e karrierës së tij. Ecuria e tij, sidomos në pesëmujorin e parë të këtij viti, ka për të mbetur gjatë në kujtesën e të gjithëve. Golat e shumtë që ai ka shënuar e kanë bërë të papërsëritshëm. Për rrjedhojë, me 36 golat e tij, ai ka merituar "Këpucën e artë" të kampionatit shqiptar. Më pas, jo gjithçka do të shkonte mirë për të. Në merkaton e verës kalon në kampionatin turk, tek ekipi i Kaiserisporit, ku ndonëse me pretendime të mëdha, pa kaluar veçse 3 muaj, vjen prishja e kontratës. Akordi me turqit nuk ka shkuar ashtu siç e kishte menduar dhe, detyrimisht, rikthehet te Vllaznia e tij. Në radhët e saj pritet me mjaft entuziazëm dhe Viori ndihet mirë. Ndërkohë, kur 2004?a është në përfundim, sulmuesi i njohur i kampionatit tonë bën edhe një bilanc të shkurtër të vetes së tij, duke thënë: "Mund të shprehem se përgjithësisht jam i kënaqur nga ky vit që po lëmë pas. Vlerësimi si golashënuesi më i mirë i kampionatit të kaluar ishte një arritje për mua, ndërkohë që nuk mund ta quaj të tillë karrierën në Turqi. Gjërat nuk shkuan ashtu siç i mendova dhe, për rrjedhojë, u ktheva sërish në Shkodër, ku më kanë pritur mirë. Jam munduar të bëj gjithnjë më të mirën për skuadrën time të zemrës dhe besoj se kështu do të vazhdoj deri në fund të karrierës sime." Pavarësisht nga këto fjalë, në ndeshjen e fundit të fazës së dytë, atë kundër Lushnjës, Sinani ka marrë edhe ndonjë vërshëllimë nga tifozë të ndryshëm të Vllaznisë. Ata nuk pajtoheshin dot me formën aktuale që idhulli i tyre paraqiste në fushën e lojës, prandaj dhe ka pasur edhe ndonjë kontestim të tillë. Por vetë futbollisti nuk ndihet shumë i shqetësuar nga ndonjë vërshëllimë e tillë. Ai e pranon që futbolli i tillë është, herë bëhesh idhull i dikujt, herë nuk vlerësohesh aspak. "Vërtet ndokush mund ta ketë kontestuar paraqitjen time në atë ndeshje, por nuk jam i shqetësuar për këtë gjë. Siç e thashë edhe më lart, jam munduar të bëj gjithnjë më të mirën dhe kështu do të vazhdoj. Se do më vlerësojnë apo jo tifozët, kjo është punë e tyre. Megjithatë, kuptohet, nuk është gjë e mirë të ndodhë ndryshe dhe shpresoj që raste të tilla të ketë sa më pak në të ardhmen. Unë ndoshta nuk jam në 100 për qind të formës sime, si pasojë edhe e asaj shkëputjeje nga klubi turk, por i garantoj të gjithë se në pjesën tjetër të sezonit do të shohin në fushë atë lojtar që kanë parë gjithnjë," ? shton më tej numri 9 i kuqebluve. Ndërkohë, Sinani nuk ka qëndruar pa thënë edhe dy fjalë në lidhje me atë çfarë e pret skuadrën e tij pas janarit, duke dhënë edhe motivet se për çfarë do të luftojë Vllaznia, teksa në fund do të shtonte: "Vllazninë e presin punë edhe më të vështira në vazhdim. Në Shkodër askush nuk është i kënaqur me vendin e tretë, kështu që duke shpresuar edhe te ndonjë blerje që do të bëjë presidenca e klubit, mendoj se i kemi të gjitha mundësitë për ta kapur vendin e dytë në kampionat dhe të fitojmë kupën."

User avatar
GoL
Tifoz
Tifoz
Posts: 92
Joined: Sun, 05 Dec 2004 , 15:11
Location: Shkoder
Contact:

Post by GoL » Wed, 29 Dec 2004 , 14:37

Vllaznia, pritet analiza e dy fazave




Ekipi shkodran nuk e ka zhvilluar ende analizën përmbyllëse të dy fazave të para të kampionatit. Sipas trajnerit Vasil Bici, ajo mendohet të zhvillohet këto dy ditë, përpara se të mbyllet ky vit. Kjo sepse në janar pastaj nuk do të ketë kohë. Skuadra, siç dihet, më 4 janar do të udhëtojë drejt Malit të Zi për të zhvilluar stërvitjen dimërore. Arsyeja pse nuk është bërë kjo analizë deri tani ka qenë edhe mungesa e presidentit Çela, i cili vetëm dje është kthyer në Shqipëri, pas disa ditë udhëtimi për arsye pune jashtë vendit. Në këtë analizë, njëkohësisht pritet të sqarohen edhe detajet e asaj çfarë kuqeblutë do të bëjnë për dy fazat e tjera të kampionatit. Do të flitet për merkaton dhe për gjëra të tjera, prandaj kjo analizë po pritet me interes në Shkodër.

Admin
Webmaster
Webmaster
Posts: 5601
Joined: Wed, 24 Nov 2004 , 03:41
Skuadra: Vllaznia
Location: Loro Boriçi
Contact:

Post by Admin » Mon, 10 Jan 2005 , 23:00

Dy nga malazezët, Asim Gjokoviç dhe Aleksandër Lekiç, janë pranë firmosjes me skuadrën kuqeblu

Vllaznia fiton thellë ndaj Ulqinit




Ekipi shkodran ka arritur një fitore të thellë në miqësoren e luajtur ndaj modestëve të Ulqinit. Ndeshja është luajtur në fushën sportive të këtij qyteti dhe Vllaznia ka arritur të mundë Ulqinin me rezultatin e thellë 6-1. Trajneri Bici, në këtë miqësore, u ka bërë vend të gjithë lojtarëve që ka në dispozicion. Në fillim të ndeshjes, stafi drejtues i kuqebluve ka hedhur në fushë atë që është konsideruar 11-shja bazë e ekipit, megjithëse, siç dihet, në radhët e tij aktualisht mungojnë disa nga titullarët e formacionit kryesor. 45-minutëshi i parë është mbyllur me fitoren e Vllaznisë, 3-0. Ndërkohë, në pjesën e dytë, trajneri Bici ka aktivizuar një 11-she tjetër dhe rezultati përfundimtar i kësaj miqësoreje do ishte 6-1. Sa u takon malazezëve të ardhur së fundi në radhët e ekipit shkodran për t'u provuar, duhet thënë se vetëm dy prej tyre po i bindin drejtuesit e kësaj skuadre. Bëhet fjalë për njohjen e vjetër të kuqebluve Asim Gjokoviç dhe mesfushorin tjetër, Aleksandër Kovaç. Të dy këta lojtarë janë aktivizuar që në minutën e parë, në miqësoren ndaj Ulqinit, në të konsideruarin formacion bazë. Ndërsa dy të tjerët, Idriz Gjokoviç dhe Edian Lekiç, kanë luajtur vetëm në minutat e pjesës së dytë të kësaj miqësoreje. Vetë një fakt i tillë të lë të kuptosh se për këta dy të fundit shanset janë të pakta për qëndrimin te Vllaznia. Më ndryshe qëndron puna për dy malazezët e tjerë. Gjokoviçi i madh, Asimi, ka dhënë prova edhe më parë se di të luajë mirë, ndërkohë që edhe forma e tij aktuale duket e pëlqyeshme. Fjalë të mira dëgjohen edhe për Kovaçin. Në dy testet e shkodranëve në tokën malazeze është vendosur nga ana e trajnerit Bici në rolin e mesfushorit të majtë, detyrë të cilën e ka kryer mirë. Megjithatë, një defekt i vogël për të duket se është qenia për momentin pak mbi peshën normale. Fjala përfundimtare për të gjithë malazezët i takon trajnerit Bici. E ndërsa për malazezët ende nuk ka një verdikt përfundimtar, elementi i ri vazhdon të mbushë radhët e Vllaznisë. I fundit që është bashkuar me skuadrën në Ulqin është Alsid Tafili, djali i emrit të madh të çiklizmit shqiptar, Agim Tafilit. Siç dihet, 17-vjeçari i talentuar, edhe fazën përgatitore të verës e pati zhvilluar me kuqeblutë dhe më pas u largua drejt Greqisë. Një rikthim i dytë, me sa duket, do ta bëjë atë pjesë të Vllaznisë për pjesën e mbetur të sezonit. Megjithatë, shkodranët presin më tepër nga presidenca e klubit. Emrat e bujshëm të merkatos ende nuk janë të njohur, ndonëse deri më 31 janar, kur mbyllet merkatoja, ka ende kohë. Ajo që mund të thuhet me siguri është që shkodranët kanë ende shumë për të bërë sa i takon ndërtimit të asaj skuadre që pretendojnë. Aq më tepër të asaj skuadre që pret tifozëria e zjarrtë e saj, e cila e dëshiron Vllazninë gjithnjë në majat më të larta.

Admin
Webmaster
Webmaster
Posts: 5601
Joined: Wed, 24 Nov 2004 , 03:41
Skuadra: Vllaznia
Location: Loro Boriçi
Contact:

Post by Admin » Thu, 13 Jan 2005 , 04:27

Drejtori teknik i kuqebluve mendon se ekipi duhet të bazohet kryesisht te lojtarët vendës


Vllazni, Shkodra kërkon kupën!


Dy nga drejtuesit më të lartë të klubit "Vllaznia", sekretari Ismet Hoxha dhe drejtori teknik Paulin Ndoja, dy ditët e fundit kanë bërë një inspektim të skuadrës shkodrane, që prej një jave po stërvitet në bregdetin malazez. Sipas tyre, gjendja e ekipit është e mirë, megjithëse për të krijuar atë skuadër që presin të gjithë duhet ende shumë punë. Sipas mjeshtrit Ndoja, puna e stafit drejtues në Ulqin këto ditë ka qenë e përqendruar kryesisht tek elementi i ri, që është me shumicë tashmë në radhët e Vllaznisë. "Baza e Vllaznisë tashmë është katërshja që ndodhet me kombëtaren në Turqi, si dhe dy﷓tre lojtarë të tjerë cilësorë që stërviten në Ulqin. Të tjerët janë të gjithë djem të rinj, që po stërviten me dëshirë për të qenë një pjesë e rëndësishme e Vllaznisë në të ardhmen. Ajo që kemi evidentuar ne është se po punohet me intensitet për t'u bërë gati për rinisjen e kampionatit dhe besoj se skuadra ka për t'u shafaqur e përgatitur," ﷓ shpjegon drejtori Ndoja. Nga ana tjetër, një problem ku ndalen të gjithë është ai i merkatos. Vllaznia, deri më tani, ka bërë realitet vetëm marrjen e Alcanit dhe të Gjokoviçit, ndërkohë që pritet edhe Kovaç. Por Ndoja mendon se ekipi ka ende nevojë për lojtarë të tjerë, teksa thotë: "Ardhjet e këtyre lojtarëve janë një plus për ekipin, pasi e shtojnë kontigjentin e tij, por unë jam i mendimit se, për të qenë vërtet pretendentë, na duhen edhe lojtarë të tjerë. Prandaj besoj se deri më 31 janar, kur mbyllet merkatoja, te Vllaznia do të vijnë edhe lojtarë të tjerë, me të cilët do të ndërtohet ajo skuadër që dëshirojnë të gjithë." Por çfarë pretendojnë realisht shkodranët në gjysmën e dytë të sezonit? Ndoja i përgjigjet kështu kësaj pyetjeje: "Aktualisht, ne pretendojmë edhe vendin e dytë, megjithëse me kontigjentin që kemi në dispozicion do të jetë shumë e vështirë kjo gjë. Gjithsesi, më shumë se vendin e dytë, objektivi primar i Vllaznisë është marrja e kupës. Ky trofe i mungon Shkodrës prej 18 vjetësh dhe, nëse do të bëhej realitet sivjet, do të ishte një gëzim i madh për të gjithë qytetin. Prandaj dhe të gjitha "bateritë" tona do të karikohen për këtë objektiv".
Ndërkohë, puna e drejtorit teknik të klubit shkodran gjatë këtyre ditëve nuk ka qenë e përqendruar vetëm tek ekipi i parë. Ditët e fundit, mjeshtri Ndoja ka inspektuar edhe ekipet zinxhir të këtij klubi, teksa në përfundim të tij ka dalë edhe në një konkluzion shumë interesant: "Kam vërejtur se në ekipet zinxhir punohet mjaft mirë dhe, çfarë është më e rëndësishmja, ka elementë me perspektivë. Mua më kanë bërë përshtypje edhe dy lojtarë të tjerë tek ekipet e të rinjve, si Pjetrani dhe Beqiri, të cilët duhet të shikohen me një sy të mirë, sepse janë elementë me shumë perspektivë. Duke u bashkangjitur atyre edhe ata lojtarë të rinj, që janë duke u stërvitur me skuadrën në Ulqin, jam i sigurt se e ardhmja e Vllaznisë duhet të bazohet pikërisht te këta lojtarë. Dikush mund të më quajë edhe lokalist, por unë jam i mendimit se në qershor, kur të bëhet riorganizimi i ekipit, Vllaznia duhet të jetë e përbërë tërësisht nga lojtarë shkodranë. Problemet e shumta që na nxorën lojtarët e huaj janë një mësim i mirë për ne, prandaj duhet të bazohemi te lojtarët tanë."

Admin
Webmaster
Webmaster
Posts: 5601
Joined: Wed, 24 Nov 2004 , 03:41
Skuadra: Vllaznia
Location: Loro Boriçi
Contact:

Post by Admin » Sun, 16 Jan 2005 , 12:10

Vllaznia, me këmbë të mbarë 2005-n



Vllaznia e ka fituar ndeshjen e djeshme me Teutën për disa arsye. Së pari, sepse durrsakët, që kanë luajtur edhe me mungesa, nuk kishin ardhur për të fituar në Shkodër. Kjo u pa edhe në lojën e zhvilluar prej tyre. Së dyti, kuqeblutë, fitojnë edhe një herë tjetër, falë kualiteteve që kanë në skuadër. Emrat e Salihit, Licit, Sinanit, Abilios, Shehit etj., janë vërtet për t'u pasur zili. Dhe së treti, shkodranët fituan sepse kishin edhe mbështetjen e 6 mijë fansëve të tyre në stadium. Në këtë rrjedhë logjike të lojës, ka ardhur edhe fitorja e parë për vitin 2005 për Vllazninë. Ajo çfarë u konstatua në këtë ndeshje ishte pa dyshim mungesa e përgatitjes fizike te disa nga lojtarët e të dy ekipeve. Këtë e kanë pranuar edhe vetë trajnerët pas ndeshjes, por në të vërtetë ky është një fenomen që duhet t'i shqetësojë të gjithë. Lojtarë që e quajnë veten profesionistë, lëvizin nga njëri ekip në tjetrin, duke harruar se në radhë të parë për ta e rëndësishme është stërvitja. Fakti që ata vijnë nga stërvitjet e shkurtra dimërore dhe sërish janë të papërgatitur, tregon më së miri dobësitë e tyre. Megjithatë, ndeshjen e djeshme nuk ka asnjë diskutim që Vllaznia e meritoi ta fitonte. Ajo ishte më lart në çdo drejtim nga kundërshtari, për më tepër këtë e pranoi edhe presidenti Hasanbelliu dhe trajneri Bajko. Për ta rezultati 2﷓0 ishte më i miri i mundshëm për skuadrën e tyre në këtë 90-minutësh. Kjo fitore i jep zemër Vllaznisë për ndeshjet e ardhshme. Vërtet nuk ishte një ndeshje perfekte, por fitorja psikologjikisht e rrit skuadrën. Shkodranët sot presin një dështim të Tiranës, pasi rivali tjetër, Elbasani, e kreu detyrën. Ndeshja e radhës është shumë e vështirë për kuqeblutë, por, për fatin e mirë të tyre, ashtu si në fazën e parë, sërish do ta luajnë jashtë Tiranës. Gjithsesi, rivali i radhës nuk është më ai i fazës së parë dhe këtë shkodranët e dinë shumë mirë. Ndërkohë, Vllaznia do të nxjerrë sërish nga gjiri i saj golashënuesin më të mirë të kampionatit, pasi Salihi ka shënuar një tjetër gol, duke arritur në kuotën e 16 golave, 4 gola më shumë se ndjekësit. Siç duket, Salihi kërkon të zëvendësojë shokun e skuadrës, Sinanin, i cili në sezonin e kaluar shënoi plot 36 gola. Thanë pas ndeshjes: Vasil Bici, trajner i Vllaznisë: "Ka qenë një fitore e merituar për ne, në një ndeshje ku jo se shkëlqyem, por gjithsesi ishim dominues në të gjitha drejtimet ndaj kundërshtarit. Edhe ne kemi ende dobësi, aq më tepër që në këtë takim Sinani e Abilio luajtën me trauma dhe po ashtu dy﷓tre lojtarë të tjerë nuk janë të stërvitur mirë, por sërish e rëndësishme është fitorja. Jemi në rrugën e duhur të pretendimeve tona dhe do të bëjmë ç'të jetë e mundur për të shkuar sa më lart në renditje." Neptun Bajko, trajner i Teutës: "Vllaznia e meritoi fitoren, luajti më mirë se ne dhe na mundi. Teuta pa dyshim që i ndien në lojën e saj mungesa të tilla, si ato të Mancakut dhe të Babamustës, çka u reflektua edhe në këtë takim. Ne vërtet patëm disa raste në pjesën e dytë, por gjithsesi ato mbetën vetëm raste, meqenëse nuk u konkretizuan. Na duhet shumë punë në të ardhmen." Të veçanta: - Vasil Bici është supersticioz. Heqja e pardesysë së tij në fillimin e pjesës së dytë është konsideruar shans prej vetë atij dhe në të vërtetë ashtu rezultoi. - Ndeshjen e ka ndjekur në tribunën "VIP" edhe presidenti i Tomorit, Edmond Malollari. Ky fakt ka bërë shumë përshtypje, aq më tepër kur dje ka qarkulluar lajmi se ai kishte dhënë dorëheqjen nga presidenca beratase. Megjithatë, vetë Malollari ka shpjeguar se ndodhej në Shkodër me mikun e tij, Hasanbelliu. - Takimin e kanë ndjekur plot 6 mijë tifozë shkodranë, të cilët pa dyshim që i janë gëzuar kësaj fitoreje të skuadrës së tyre.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Mon, 17 Jan 2005 , 14:54

Vllaznia kërkon edhe tre malazezë

Në skuadrën e Vllaznisë pritet të mbërrijnë edhe tre lojtarë të tjerë malazezë. Mendohet se ata do të jenë më cilësorë në krahasim me ata që erdhën dhe ikën pa lënë gjurmë pak ditë më parë. Sipas presidentit të klubit, Agron Çela, bëhet fjalë për lojtarë të një rangu të lartë, por gjithsesi pritet për t'i parë. "Menaxherët që na i kanë sugjeruar janë shprehur me nota të mira për të tre këta lojtarë. Por megjithatë, edhe për ta do të jetë testi i tajnerëve tanë ai që do të vendosë nëse do të qëndrojnë, apo jo te Vllaznia", - ka thënë Çela. Në këtë mënyrë, siç shihet, presidenca shkodrane po bën maksimumin e mundshëm për forcimin e skuadrës brenda afateve të mbylljes së merkatos.

Post Reply