Post
by Man in Redblue » Tue, 07 Sep 2010 , 14:53
Kuzhe: Jo euforikë me Luksemburgun
Trajneri: “Luksemburgu do të mundohet të na vjedhë ndonjë pikë”. Me Bariçin në bankinë në Euro 2008-n i fituam të dyja ndeshjet
Fitorja e fundit në eliminatoret e një Kampionati Europian për Shqipërinë është regjistruar pikërisht ndaj Luksemburgut, 3-0, në “Xhosi Bartel”, më 6 qershor të vitit 2007, e që vlente për kualifikueset e Euro 2008-s. Kjo fitore ishte dhe e dhjeta e kuqezinjve në fushatat europiane.
Në bankinë atëherë ishte kroati Oto Bariç, i cili ia doli të fitojë edhe në “Qemal Stafa” me rezultatin 2-0.
40 muaj më pas, më 7 shtator në “Qemal Stafa” (20:15) është sërish Luksemburgu, që mund t’i “dhurojë” Kombëtares fitoren e 11-të, në një ndeshje jubilare: të 75-n e kuqezinjve në kompeticionin më të rëndësishëm europian në nivel përfaqësuesesh.
Trajneri aktual i Shqipërisë, Josip Kuzhe - tekniku i 17-të i Shqipërisë që ka drejtuar në eliminatoret e një Botërori apo Europiani- kundër Luksemburgut modest synon as më pak dhe as më shumë por fitoren e parë të Shqipërisë në eliminatoret e Euro 2012-s.
“Në ndeshjen me Luksemburgun duhet patjetër të fitojmë dhe nëse nuk marrim rezultat pozitiv do të ishte një dështim i madh, pasi do të bënin tre hapa prapa duke u rikthyer aty ku ishim. Nuk është një ndeshje e lehtë, por mund t’ia dalim pasi kemi bërë prova për ndeshje si kjo”, - theksoi kroati 57-vjeçar, Kuzheja, një ish-lojtar i njohur i Dinamos së Zagrebit dhe më pas trajner 11 skuadrave në nivel klubesh dhe dy në nivel kombëtaresh (Ruanda dhe Shqipëria).
Në fakt, në miqësoret e fundit, Shqipëria fitoi me Andorrën e Uzbeksitanin, skuadra pak a shumë të formatit të Luksemburgut, duke i konsideruar ndeshjet me Malin e Zi dhe Irlandën, apo Estoninë si të një tjetër niveli.
Nëse kundër Rumanisë, Kuzheja arriti të marrë një barazim të çmuar duke rreshtuar një skuadër me një sulmues të pastër në sul, por me vijë mbrojtëse të ngjeshur në gjysmëfushën e saj (thuajse 8 lojtarë me detyra të qarta mbrojtëse), kundër Luksemburgut, trajneri e bëri të qartë se do të luajë me dy sulmues: Erjon Bogdani dhe Hamdi Salihin, ky i fundit ka shënuar tre gola në katër ndeshjet e fundit të përfaqësueses.
“Do të luajmë më dy sulmues, Bogdanin dhe Salihin. Ajo që më mundon është nëse do të luajmë me një apo dy mesfushorë shkatërrues, - tha Kuzhe në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes së tij të 12-të me Shqipërinë, si trajner.
Mesfushori i Dinamos, Gjergji Muzaka, ka fituar përfundimisht vendin e titullarit si mesfushor i majtë, duke fituar “duelin” me mesfushorin e Lask Lincit në Austri, Klodian Duron.
“Goli i Muzakës në ndeshjen me Rumaninë ka qenë një veprim i mrekullueshëm që solli dhe një rezultat pozitiv. Ai do të jetë titullar”, - tha trajneri, i cili nuk e fshehu aspak kënaqësinë e tij kur përmendi emrin e lojtarit të kampionëve në fuqi të Shqipërisë.
“Ne morëm atë për të cilën ne vajtëm në Rumani (1-1). Ishte diçka e madhe, por ne nuk duhet të jemi euforikë, por të jemi gati për të luajtur atë të cilën unë e konsideroj ndeshjen tonë më të rëndësishme të kualifikueseve. Luksemburgu do të vijë në Tiranë për të njëjtat arsye për të cilat ne udhëtuam në Rumani dhe nëse ne nuk do të jemi gati ata mund të na vjedhin ndonjë pikë apo më shumë”, - theksoi Kuzhe, që mesa duket ka pasur parasysh edhe statistikat e Luksemburgut në fushatën e tij të fundit ndërkombëtare.
Në fakt, në eliminatoret Botërorit 2010, Luksemburgu regjistroi kulmin e tij në arenën ndërkombëtare, duke zënë vendin e 5-të një grup me 6 skuadra, falë një fitoreje me Zvicrën (2-1) dhe dy barazimeve pa gola me Moldavinë, pikërisht këtë të fundit la pas vetes skuadra luksemburgase (1 fitore, 2 barazime, 7 humbje, Shqipëria në eliminatoret e Botërorit 2010: 1 fitore, 4 barazime, 5 humbje).