Post
by Miri » Sun, 11 Jan 2009 , 16:44
Tifozët, presion Riedit: Mbani Salihin!
Sulmuesi i kombëtares, një idhull në qytetin austriak, pritet të rinovojë kontratën edhe për një vit
Gjithçka kthehet 180% për sulmuesin e kombëtares, Hamdi Salihi. Një idhull për tifozët e Riedit, ai është gati të rinovojë kontratën edhe për një vit. Klubi mbante pezull gjithçka në lidhje me të, edhe pse 24-vjeçari kërkohej nga disa ekipe. Por në këtë mes diçka fshihej. Salihi nuk kishte marrëdhënie të mira me trajnerin Paul Gludovatz, por janë tifozët ata që i kanë bërë presion klubit austriak. “Një kontratë të re për Hamdi Salihin.” Ishte kjo kërkesa e tyre, për lojtarin e dytë më të votuar në Austri nga tifozët. Në një intervistë ekskluzive për “Sportin shqiptar”, sulmuesi shkodran flet për zhvillimet e fundit, të ardhmen, por jo vetëm.
- Hamdi, si po shkon stërvitja te Riedi?
- Ndihem disi i bllokuar, pasi kemi vrapuar shumë. Pas një periudhe të shkurtër në Gjermani, tani jemi kthyer në Austri për të vazhduar përgatitjet. Më pas, do të shkojmë në Turqi, për t’i dhënë dorën e fundit fazës përgatitore.
- Merkatoja për ju mund të quhet e mbyllur, apo ka shanse ende për të lëvizur?
- Jo, nuk bëhet fjalë që të lëviz nga Riedi, madje them se do të rinovoj kontratën, edhe pse nuk jam ulur akoma për të folur konkretisht.
- Çfarë ju kanë thënë drejtuesit e klubit për këtë çështje?
- E vërteta është se me trajnerin aktual, Paul Gludovtaz, nuk kam shkuar mirë. Megjithatë, tani që isha në hotel me ekipin, ai erdhi dhe më foli për të biseduar, duke më konfirmuar vullnetin e klubit, që unë të rinovoj kontratën. Për këtë gjë, menjëherë vura në dijeni menaxherin tim, sepse edhe unë dua që t’i kem gjërat fikse, në mënyrë që të jem i sigurt në lidhje me të ardhmen.
- Duke qenë se nuk shkoni mirë me trajnerin, ju pengon kjo?
- Gjërat duken në rrugë të mbarë, sepse trajneri edhe kur erdhi për të biseduar, donte të tregonte që ka këmbëngulur ai te presidenti i klubit që unë të rinovoja. Gjithsesi, unë mendoj se në përgjithësi klubi është vënë nën presion nga tifozët e Riedit, të cilët kanë kërkuar që të më afrojnë një kontratë të re.
- Kaq shumë ju duan në qytetin austriak?
- Po, unë kam marrëdhënie të shkëlqyera me tifozët këtu. Ata e treguan që më duan, në votimin që bënë për lojtarin e pëlqehet më shumë në Austri. Për vitin 2008 unë fitova çmimin “Lojtari i dytë më i votuar”. Ky votim ishte i shtrirë në të gjithë Austrinë dhe organizohej nga gazeta e mirënjohur këtu, “Krone Zeitung”.
- Tashmë rinovimi duket si një formalitet, apo jo?
- Që të jem i sinqertë, për mua është thikë me dy presa. Në kontratën që kam nënshkruar në fillim, që është për dy vite e gjysmë, opsioni për rinovim është edhe për një vit tjetër. Nga njëra anë është mirë ta kem fikse kontratën këtu dhe pastaj, gjatë rrugës, të dalë çfarë të dalë, në lidhje me mundësinë e ndonjë lëvizjeje në një ekip tjetër. Por nëse i them “jo”, mund të qëndroj disa kohë pa luajtur, se klubi do të shohë interesin e vet dhe do të kërkojë të më ulë vlerën si lojtar në verë. Për mua është mirë nëse klubi vendos për aq sa është opsioni, pra edhe për një vit. Po përderisa kanë bërë të ditur që do të bisedojmë, ose do të më thonë që te opsioni janë shumë lekë, ose do të më kërkojnë rinovim edhe për dy vite të tjera. Unë e kam të paracaktuar opsionin, kështu që tani jam në pritje.
- Duke lënë pas çështjen e kontratës, mund të na thoni se cili ka qenë zhgënjimi juaj gjatë vitit 2008?
- Zhgënjimi më i madh për mua kanë qenë dëmtimet dhe ndeshjet që nuk munda të aktivizohesha me kombëtaren.
- Çfarë prisni nga viti 2009?
- Së pari, shpresoj të kaloj pa dëmtime, por ëndrra ose ajo që unë pres më shumë këtë vit, është që të shënoj sa më shumë gola me kombëtaren. Gjithashtu, uroj të gjithë futbollistët shqiptarë, kudo që luajnë, për një vit sa më të suksesshëm.