Post
by Miri » Tue, 04 Nov 2008 , 18:11
Që nga gushti i këtij viti, Çaknorris Mustafai, 14 vjeç, me banim në lagjen “5 Maji” në Elbasan është i martuar me Floresha Mustafain, 13 vjeçe. Njohja në bankat e shkollës, fejesa, martesa, jeta prej fëmijësh dhe bashkëshortësh, nusja që mëson abetaren, dhëndri që hipën mbi çati dhe fshihet sokakëve, pamundësia për t’u celebruar, pritja për të lindur fëmijë dhe planet për të ardhmen. E gjithë bota reale e çiftit me moshën më të vogël në Shqipëri në një rrëfim ekskluziv për gazetën “Korrieri”
Ata janë ndoshta çifti me moshën më të vogël në Shqipëri. Ajo quhet Floresha dhe sapo ka mbushur 13 vjeç, ndërsa ai mban emrin e një artisti të njohur në Hollivud. E thërrasin Çaknorris Mustafai dhe është 14 vjeç. Që nga gushti i këtij viti banojnë të vetëm në një shtëpi private në lagjen “5 Maji”. U njohën, u dashuruan, u fejuan dhe u martuan si të gjithë çiftet e tjerë, ndonëse ligjërisht të pacelebruar. Por edhe me një ndryshim tjetër: janë të mitur dhe ende të paformuar mirë. Çaknorris u bë “burrë” para tre muajsh. Familja organizoi dasmë të madhe, ku u ftuan mjaft të afërm, shokë edhe miq. Çaknorrisit nuk i pëlqen të flasë për dashurinë dhe nusen e tij. Kur e pyet sesi lindi kjo histori dhe se çdo të thotë të jesh burrë, ai ia mbath, duke u fshehur prapa sokakëve, del nga dritarja ose hipën mbi çati. Nusja 13 vjeçe qesh me veprimet e tij. Kënaqet që ai është çapkën, sepse edhe vetë do të kishte dëshirë të bënte si ai. Edhe pse pak e ndrojtur, ajo fillon e tregon për dashurinë dhe burrin e saj.
Njohja dhe lidhja
“U njohëm kur ishim në shkollë. Unë shkoja në shkollën “Xhaferr Kongoli”, ndërsa ai në shkollën “Qemal Haxhihasani”. Më kishte ndjekur disa herë nga pas. Por unë i fshihesha gjithmonë. Një ditë më ndaloi në rrugë dhe më tha “të dua dhe më pëlqen të martohem me ty”. Unë i thashë që të vinte të më kërkonte në shtëpi. Isha dhjetë vjeçe kur më propozoi”, tregon Floresha. Burri i saj bëhet xheloz, tenton ta ndalojë, e qorton, madje edhe e kërcënon. Por ajo kënaqet dhe qesh, sepse i pëlqen t’i kujtojë çastet që kanë kaluar para fejesës bashkë. “Çaknorris dërgoi gjyshen, e cila takoi babanë tim, - vazhdon rrëfimin e saj Floresha, pa e vrarë mendjen për kundërshtinë e të shoqit. - Prindërit e pëlqyen si rast, ndaj palët ranë dakot. E prita me shumë dëshirë lidhjen me Çakun. Në të njëjtin vit ndërruam nishanet. Unë mësova deri në klasë të katërt. Kur u fejuam, më sollën shumë dhurata. Çaknorris më vuri unazën dhe orën. Kështu ishim të fejuar. Në krye të vitit tjetër ne u martuam. Bëmë dasmë dhe u kënaqa shumë. Ishte dita më e bukur e jetës sime. Që nga ajo ditë ndjehem ndryshe. Më duket vetja më e madhe dhe më serioze. Më duhet të kuvendoj me gra të rritura dhe të jap mendime të pjekura. Nëse gaboj, nuk më lejohet”. Çaknorris Mustafai ka një shtëpi të madhe, aq sa ai dhe nusja duken si kukulla brenda saj. Shtëpia ka korridorin e madh, kuzhinën, dhomën e pritjes dhe dhomën e gjumit. Më e kompletuar duket dhoma e gjumit. Brenda saj ndodhen të gjitha takëmet e një çifti të vërtetë. Të vegjlit janë të destinuar ta përballojnë të vetëm jetën. Prindërit Bukuroshe dhe Xhevdet Mustafai janë emigrantë në Greqi. Atje kanë edhe dy djem më të vegjël se Çaknorrisi. Me Çakun i mbaruan kusuret. Tani duhet të punojnë që të fejojnë dhe martojnë dy djemtë e tjerë.
Jeta e çiftit
Jeta e të miturve nis që herët në mëngjes. Ai duhet të çohet dhe të vijë përqark me “kollën” e thatë. Ndërsa ajo rregullon krevatin dhe fillon nga punët e shtëpisë. Pasi lahen dhe pastrohen, hanë mëngjesin bashkë. Kur nuk kanë për të ngrënë, blejnë në dyqanet në lagjen aty pranë. Në orën 8 Çaknorris niset për në punë. Merret me tregti rrobash. Rrobat i sjellin prindërit nga Greqia. Pasi mbaron punët e shtëpisë, në treg shkon edhe Floresha. E ndihmon të shoqin të bëjë pazar, të dijë të flasë me klientët dhe të bëjë llogaritë. Shesin deri në orën 15:00, kohë kur mbyllet edhe tregu. Me të hollat që fitojnë, para se gjithash duhet të ushqehen dhe të mbijetojnë. Më pas të vishen dhe të mendojnë për orenditë. Në fakt, shtëpia e madhe duket ende e zbrazur dhe duhet mobiluar. Por ka kohë. Ata kanë të paktën edhe 70 vjet përpara. Ende nuk e vrasin mendjen për kursim dhe projekte, pasi duhet të gëzojnë edhe fëmijërinë. Floresha qëndron më shumë në shtëpi, pasi duhet të lajë, të pastrojë dhe të gatuajë. Kur ka kohë të lirë mëson edhe abetaren, për të mos qenë analfabete. Pas një dite të lodhshme burri shtrihet në krevat dhe nusja pas tij.
E ardhmja
Traditat e komunitetit rom duket se kanë ndikuar dukshëm në jetesën e dy minorenëve, megjithëse në rastin e tyre dashuria duket shumë e fortë. “Gjatë kësaj kohe e kam dashur shumë Çaknorrisin. Ai është çapkën. Unë e kuptoj që më do, ndaj i vij nga pas dhe ia plotësoj të gjitha tekat”, thotë Floresha. Duke ditur zakonet e komunitetit të saj, ajo e ka të qartë mirë të ardhmen e tyre: “Kur të mbush 16 vjeç, duhet të lind fëmijë. Jemi të pacelebruar, por pa problem. Në këtë moshë unë duhet të lind, ndryshe rrezikoj të jem bashkëshorte dhe nënë. Çaknorrisi edhe mund të më lërë, nëse nuk bëhem nënë. Sepse kështu janë traditat në komunitetin tonë. Pavarësisht moshës, unë ndjehem një grua si gjithë të tjerat dhe më pëlqen të administroj burrin dhe shtëpinë”.
Gjyshi:
“Duam nuse që ta rrisim vetë”
Gjyshi i Caknorrisit quhet Enver Mustafai. Ai shprehet se çifti i fëmijëve e përballon vetë jetën, pasi prindërit i kanë në Greqi. Sipas tij, martesat në moshë të re janë në traditën në komunitetin rom dhe kanë anët e veta pozitive, pasi burrë dhe grua rriten bashkë dhe mësojnë huqet e njëri-tjetrit. Edhe familja që ata krijojnë është më e konsoliduar. Vajza është e ndershme dhe burri largohet nga veset e këqija. “Martesat në moshë të vogël i kemi pasur traditë ngaherë. Fëmijët duhet të martohen në moshë të tillë, në mënyrë që të rriten bashkë, të mësojnë huqet e njëri-tjetrit dhe të kollondrisin jetën. Martesat në moshë të tillë mendoj se kanë anë pozitive dhe negative. Unë them t’i harrojmë, por tradita nuk na lejon. Mbushën 10 vjeç, si djali, ashtu edhe vajza duhet të martohen. Unë nuk kam guxim t’u flas e t’u them që të mos martohen”, thotë Enveri. Ai e di fort mirë së ligji i ndalon këto martesa, pasi bashkëshortët duhet të kenë mbushur 18 vjeç, por nuk i duket ndonjë problem i madh. 65-vjeçari thotë se çifti ende duhet të presë që të lindë fëmijë. Kjo do të ndodhë kur ata të mbushin moshën 16-17 vjeç. Më pas nusja duhet të lindë medoemos, ndryshe rrezikon të mbetet edhe pa burrë. Tradita e kërkon që të lindin shumë fëmijë, por edhe pse ka rastin e nipit, ai rekomandon që të kryejnë planifikim familjar, të mësojnë dhe të integrohen në jetë si gjithë shtetasit e tjerë. “Duhet të përballojnë të gjitha sfidat e jetës. Zakonisht, kur martohen kaq të vegjël, gjërat ecin mbarë. Nga eksperienca kam arritur në përfundimin se martesat në moshë të vogël janë më të qëndrueshme. Familjet rome duhet të lindin shumë fëmijë. Edhe kjo është traditë. Fëmijët janë gëzimi ynë. Çiftet duhet të lindin 6-7 fëmijë. Unë për vete kam 11 fëmijë. Të gjithë janë shëndoshë e mirë. I kam të martuar, kam nipër dhe mbesa, madje edhe ata janë të martuar”. Gjithsesi, Enver Mustafai pohon se çifti nuk mund të bëjë celebrim në bashki. Një gjë të tillë e ndalon ligji. Floresha dhe Çaknorrisi duhet të presin edhe 4-5 vjet që të njihen zyrtarisht burrë e grua. Edhe fëmijët që mund të lindin para kësaj moshe nuk mund të regjistrohen në gjendjet civile. Këto janë probleme që ende nuk kanë marrë zgjidhje. Por jeta e çiftit të fëmijëve vazhdon.