Lici: Gol dhe fitore ndaj Tiranës

Ketu ndodhet te gjithe ato tema, te cilat jane te vjetra apo ne te cilat nuk diskutohet.
Post Reply
Admin
Webmaster
Webmaster
Posts: 5601
Joined: Wed, 24 Nov 2004 , 03:41
Skuadra: Vllaznia
Location: Loro Boriçi
Contact:

Lici: Gol dhe fitore ndaj Tiranës

Post by Admin » Tue, 01 Feb 2005 , 14:20

Kishte kohë që nuk paraqitej në këtë mënyrë. Ndoshta i frymëzuar edhe nga shiriti i kapitenit të kuqebluve, Suad Lici po bën më të mirën me lojën e tij. Ai është kthyer jo vetëm në një lider të këtij ekipi, por edhe në një shënues të mirëfilltë i tij. Mjafton të kujtojmë që në tri ndeshjet e fundit të Vllaznisë ai ka shënuar dy herë në portat kundërshtare. Forma e mirë që po tregon që është një faktor më tepër që i gëzon drejtuesit e Vllaznisë. Kapiteni Suad Lici, edhe në stërvitjen e djeshme, në prag të ndeshjes së radhës me ish-skuadrën e tij, Tiranën, është dukur po aq i frymëzuar sa në ndeshje. Nuk ka munguar të shënojë as në ndeshjen e kontrollit, që trajneri Bici zhvilloi me skuadrën e tij. Dhe nga çfarë konstaton, kuptohet qartë dëshira që kapiteni shkodran do të kishte për të shënuar edhe të mërkurën. Për të ndodhur kjo, Suadi ka shumë arsye pse duhet ta kërkojë një gol. Në radhë të parë, se luan kundër Tiranës, skuadrës me të cilën ka luajtur dhe fituar gjithçka për dy vjet. Me fanellën bardheblu ai nuk ka ngurruar të shënojë brenda në "Loro Boriçi" para tifozerisë që e ka dashur dhe e ka përkrahur gjithmonë. Si një profesionist i vërtetë, do të kërkojë të marrë "hak" edhe nesër. Megjithatë, një arsye më tepër pse Lici do të bëjë më të mirën në këtë ndeshje është edhe fakti që në stadium pritet të jetë edhe vetë Brigeli. Duke qenë një nga të përzgjedhurit e tij edhe për ndeshjen e radhës kundër Ukrainës, kapiteni shkodran do të kërkojë të thotë se gjermani nuk ka gabuar me ftesën në adresë të tij. Megjithatë, vetë Suadi është modest për sa i takon asaj që do të bëjë nesër në fushë. "Ju lutem, mos më ngacmoni. Do të bëj më të mirën në këtë ndeshje, në mënyrë që ekipi im të fitojë. Do të jetë po ai Suad që ka qenë gjithmonë dhe nuk do të luajë se do të vijë apo jo Brigeli. Më kërkoni nëse do të shënoj? Dëshira është jashtëzakonisht e madhe, por më e rëndësishme është të fitojë Vllaznia. Pastaj unë luaj si mesfushor i djathtë dhe prioriteti im nuk është porta, por nëse do më paraqitet rasti më i vogël, natyrisht që nuk do të ngurroja ta çoja topin në rrjetë," - thotë lideri i ekipit shkodran. Një arsye më tepër pse Vllaznisë i kërkohet fitorja në këtë ndeshje është edhe humbja e dy takimeve të tjera përballë saj në këtë kampionat. Lici mendon se tani është e "treta e vërteta" dhe rasti që skuadra e tij të fitojë. Së fundi, numri 3 i shkodranëve ka thënë dy fjalë edhe në lidhje me grumbullimin e fundit nga Brigeli për ndeshjen e radhës me Ukrainën. "Unë gjithmonë kam qenë në shërbim të kombëtares. Sa herë më kanë ftuar, jam munduar të bëj më të mirën dhe këtë do të bëj edhe këtë herë. E rëndësishme është që secili prej nesh të bëjë më të mirën për fanellën kuqezi," - thotë në fund mesfushori i Vllaznisë, Suad Lici.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Wed, 02 Feb 2005 , 14:45

Paulin Ndoja: Do ta ndalim Tiranën

Një nga emrat më të mëdhenj të futbollit shkodran, Paulin Ndoja, në prag të ndeshjes së sotme me Tiranën, është optimist se Vllaznia do të arrijë ta mundë këtë kundërshtar. I pozicionuar në rolin e drejtorit teknik të klubit shkodran, legjenda e portës e njeh mjaft mirë forcën e bardhebluve, megjithatë kjo nuk e "tremb" atë. Ditët e fundit, në të vërtetë Ndoja nuk ka pasur shumë kohë t'i ndjekë në stërvitje kuqeblutë, pasi ka qenë i angazhuar me pritjen dhe akomodimin e të huajve që kanë zbarkuar në Shkodër. Kështu i ka ndodhur edhe dje, teksa ka pritur në Rinas dy rumunët, Posirca e Ciobanu. Megjithatë, mjeshtri i portës e njeh mirë forcën e skuadës së tij, ndonëse, siç e pohon vetë, dy ekipet vijnë në këtë takim në pozita jo të barabarta. "Tirana, të shtunën e kaluar pati një ndeshje testuese kundër Laçit, ku madje shumë prej titullarëve i la pushim, ndërkohë që Vllaznia pati një ndeshje aspak të lehtë me Egnatian. Nisur edhe nga terreni i papërshtatshëm ku u luajt ky takim, futbollistët tanë kanë humbur shumë energji, megjithatë jam entuziast se kjo lodhje nuk do të ndihet sot. Përballë një kundërshtari shumë të respektuar si Tirana, secili do të bëjë më të mirën dhe nuk mendoj se në raste të tilla ka nevojë për të motivuar skuadrën. Ajo është vetvetiu e motivuar dhe kështu besoj se po ndodh edhe me Vllazninë në prag të kësaj ndeshje," - ka thënë drejtori teknik Ndoja. Në këtë mënyrë, në Shkodër janë duke u përgatitur për një festë, pavarësisht nga kushtet e motit. Vetë zhvillimi i ndeshjes në orën 17:00 nën dritën e projektorëve është një tjetër tregues i dëshirës së të gjithëve për të parë një ndeshje spektakli. Megjithatë, në këtë takim, përveç spektaklit, kërkohet edhe fitorja. Mjeshtri Ndoja e konsideron detyrë marrjen e tripikëshit nga kuqeblutë dhe për këtë është i vendosur në parashikimin që bën. "Jam shumë optimist se do ta mundim Tianën. Unë kam shumë besim tek aftësitë e Sinanit, Abilios, kapitenit Lici dhe Salihit se do të dinë të gjejnë rrugët për të thyer këtë skuadër, që na ka mundur dy herë në këtë sezon. Tirana është vërtet një skuadër që e kryeson me meritë kampionatin, por ajo nuk është e pathyeshme, aq më tepër në "Loro Boriçi", ku ne jemi zotër të shtëpisë," - ka thënë në fund Paulin Ndoja. Në këtë mënyrë, te kuqeblutë të gjithë duken entuziastë për një sukses në takimin e sotëm. Për ta një fitore ndaj bardhebluve kryesues është njëkohësisht detyrë e vënë nga tifozëria e zjarrtë shkodrane.

Post Reply