Page 1 of 19

Basketboll

Posted: Tue, 07 Dec 2004 , 22:19
by vllaznia1919
Kupa e Shqipërisë, më 11 dhe 12 dhjetor

Më datat 11 dhe 12 dhjetor, në pallatin e sportit "Flamurtari" të qytetit të Vlorës, do të zhvillohen finalet e Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra. Në këtë turne do të marrin pjesë katër ekipet më të mira pas përfundimit të dy fazave të para të kampionatit dhe pikërisht: Flamurtari, Tirana, Skënderbeu dhe Studenti. Ndeshjet e Kupës së Shqipërisë do të zhvillohen me sistem eliminimi, ku fitueset e ditës së parë do të luajnë të nesërmen për fitimin e turneut. Sipas shortit, skuadrat do të ndeshen mes tyre sipas kësaj skeme: 1-4, 2-3. Pra, çiftet gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra janë: Flamurtari-Studenti dhe Tirana-Skënderbeu. Dy çifte interesante, ku rivaliteti do të jetë pa dyshim i madh dhe lufta sportive mjaft e fortë, por që sheh si pretendente kryesore për në finale Flamurtarin dhe Tiranën, dy skuadrat që ndodhen dhe në dy vendet e para në kampionat. Ndeshjet do të luhen ditën e enjte (gjysmëfinalet) dhe të premten (finalet), ndërkohë që orari i tyre është 16.00 dhe 18.00. Ndërkohë mbeten për t'u përcaktuar gjyqtarët e këtij turneu, të cilët do të emërohen nga Federata e Basketbollit. Ky është viti i dytë radhazi që ky turne zhvillohet në Vlorë, ndërkohë që Flamurtari është ekipi fitues në fuqi i këtij aktiviteti për femra.

Posted: Fri, 10 Dec 2004 , 15:59
by Kuq3Blu
Flamurtari fiton ndeshjen në tavolinë

Skuadra e Studentit në basketboll për femra nuk ka marrë pjesë në finalet e Kupës së Shqipërisë, që po zhvillohen në qytetin e Vlorës. Problemet financiare të klubit nuk e kanë lejuar skuadrën që të udhëtonte dje drejt Vlorës, ku do të zhvilloheshin dhe ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë për femra. Për mosparaqitje të ekipit Studenti në fushë, gjyqtaria ia ka dhënë fitoren ekipit Flamurtari me rezultatin e 20-0. Kështu, Studenti, një nga pretendentët për fitimin e Kupës së Shqipërisë, ka hequr dorë nga gjithçka për mungesë fondesh. Ekipi, para ndeshjes, ka bërë të ditur se për arsye financiare nuk do të përfaqësohet në finalet e Kupës së Shqipërisë, duke pritur ndonjë ndihmë nga ana e federatës. Kjo e fundit, një ditë para ndeshjes, ka bërë një mbledhje urgjente për gjendjen e krijuar para finaleve të Kupës së Shqipërisë. Por me sa u pa, asnjë nga palët nuk e ka gjetur zgjidhjen e duhur, pasi Studenti dje nuk ka udhëtuar në Vlorë për të marrë pjesë në ndedhjen finale me ekipin vendës të Flamurtarit, i cili është dhe finalisti i parë i Kupës së Shqipërisë.

Posted: Fri, 10 Dec 2004 , 16:01
by Kuq3Blu
Tirana, finalistja e dytë e Kupës së Shqipërisë


Ndërkohë që ndeshja Flamurtari-Studenti nuk u zhvillua, ndeshja tjetër mes Tiranës dhe Skënderbeut ka vazhduar normalisht, edhe pse Tirana ka mbërritur pak me vonesë në fushë. Tirana, e cila e kishte vënë në dyshim një ditë para ndeshjes përfaqësimin në finalet e kupës, ka udhëtuar drejt Vlorës për t'u ndeshur me ekipin e Skënderbeut. Në 2 minutat e para, protagoniste kanë qenë M. Alibegaj dhe Shehu. Tiranaset shfyrtëzojnë aftësitë dhe shtalartësinë e basketbollistes Maganiç dhe arrijnë në rezultatin 11-6. Të dyja skuadrat gjatë kësaj periode realizojnë mirë mbrojtjen, por gabojnë në aksionet sulmuese. Në 3 minutat e fundit të periodës së parë, korçaret, falë aftësive të Llazarit dhe Shehut, arrijë të barazojnë. Edhe perioda e dytë fillon me gabime për dy skuadrat dhe përsëri deri në minutën e 6-të rezultati është 20-20. Në minutat e fundit zgjohen të dyja skuadrat dhe rivaliteti rritet dukshëm. Por në fund korçaret tregohen më të sakta në gjuatje, duke fituar periodën e dytë dhe pjesën e parë me rezultatin 30-33. Në pjesën e dytë dhe në periodën e tretë, korçaret, ndoshta dhe nga udhëtimi i gjatë, shfaqin shenja lodhjeje dhe gabojnë shumë herë në gjuajtjet drejt koshit. Alibegaj, Kostallari dhe Mekoni të Tiranës shënojnë në këtë periodë disa herë radhazi, duke e çuar Tiranën drejt fitores. Në periodën e fundit, përpjekjet e korçareve janë të kota, edhe pse ka momente kur rezultati është i barabartë. Në fund, Tirana tregon vlerat e saj, duke fituar periodën e fundit dhe gjithë takimin me rezultatin 81-57. Kështu, Tirana është finalistja e dytë e Kupës së Shqipërisë, ndeshjet e së cilës luhen sot, në orën 17.00.

Posted: Sat, 11 Dec 2004 , 13:59
by vllaznia1919
Vllaznia fiton në minutat e fundit

STUDENTI - VLLAZNIA 55-59 (14-13, 18-15, 16-16) STUDENTI: Mansaku, Goxhi, Lame, Topi, Dervishi, Bellova, A. Karaj, Nake, Bruçi, Hysenagolli, Dardha. Trajner: A. Fagu VLLAZNIA: Tukja, Halili, Bërdica, Nexhimi, Myselimi, Obradoviç, Zusi, Omi, Dibra, Taraboshi. Trajner: P. Osmani Gjyqtarë: A. Greva, E. Koçi Ndonëse Studenti ka udhëhequr për gati 35 minuta lojë fitorja i ka buzëqeshur Vllaznisë, në ndeshjen që dy skuadrat zhvilluan mbrëmë në "Asllan Rusi", e vlefshme për javën e fundit të fazës së dytë. Kështu, Vllaznia ka marrë hakun e fazës së parë, por gjithsesi ndodhet poshtë kryeqytetasve në renditje. Sfida e djeshme ka qenë me rivalitet dhe emocione, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për nivelin, ndërkohë që edhe gabimet e të dyja skuadrave kanë qenë të shumta. Perioda e parë është e ekuilibruar dhe me rivalitet, e mbyllur në favor të Studentit 14-13. Gradualisht kryeqytetasit krijojnë epërsi dhe udhëheqin 32-28 në përfundim të 20 minutave të para, diferencë që ruhet edhe pas periodës së tretë, 48-44 për Studentin. Por në 5 minutat e fundit Vllaznia barazon dhe del përpara, duke fituar ndeshjen 55-59 dhe duke marrë dy pikë të rëndësishme në kryeqytet.

VALBONA - EDS 99-81
SKËNDERBEU - DINAMO 49-97
STUDENTI - VLLAZNIA 55-59
TIRANA - PARTIZANI 72-75
Renditja
Valbona 28 14 0 1064-829
Dinamo 24 11 3 1050-752
Partizani 22 8 6 1062-954
Tirana 21 7 7 1023-958
Studenti 20 7 7 848-794
Vllaznia 20 6 8 1005-1039
EDS 17 3 11 943-1146
Skënderbeu 14 0 14 723-1233

Posted: Tue, 14 Dec 2004 , 15:00
by vllaznia1919
Kupa e Shqipërisë, tani radha e meshkujve

Pas femrave do të jetë radha e meshkujve që të zhvillojnë finalet e Kupës së Shqipërisë në basketboll. Ditën e enjte dhe të premte do të luhen finalet e këtij turneu në pallatin e sportit "Asllan Rusi" në kryeqytet. Në këtë veprimtari do të marrin pjesë katër ekipet më të mira aktualisht, të renditura në katër vendet e para pas përfundimit të dy fazave të para të kampionatit, dhe konkretisht: Valbona, Dinamo, Partizani dhe Tirana. Sipas shortit të përcaktuar që më parë, në gjysmëfinale do të luhen këto takime: Valbona-Tirana dhe Dinamo-Partizani, dy çifte interesante. Ky aktivitet pritet me mjaft interes, pasi të katërta ekipet janë pretendente për fitimin e këtij trofeu.

Posted: Sun, 19 Dec 2004 , 19:41
by GoL
Janë zhvilluar dje zgjedhjet e reja. Kavaja dhe Troja, dy hyrjet e reja në kryesi 19-12-2004

Dritan Çelaj, president i ri i basketbollit




Janë zgjedhur dje drejtuesit e rinj të Federatës Shqiptare të Basketbollit, presidenti dhe anëtarët e kryesisë, të cilët do të drejtojnë sportin e koshit për 4 vitet e ardhshme. Dritan Çelaj do të jetë presidenti i ri i kësaj federate, ndërsa kryesia, në 6/8 e saj, nuk ka asnjë ndryshim. Dy emrat e rinj që janë futur në kryesinë e FSHB-së janë Gavrosh Kavaja dhe Andrea Troja, ndonëse ky i fundit është edhe kandidati kryesor për postin e sekretarit të kësaj federate. Ndërsa pjesa tjetër e kryesisë do të ketë në përbërje të njëjtët emra që ishin edhe katër vitet e fundit dhe pikërisht: Stavri Bello, Agim Dalipi, Bashkim Milo, Shpëtim Bozdo, Korab Llazani dhe Fatos Suvaria. Nga kjo detyrë janë larguar Ilir Trebicka dhe Kostandin Shkurti, madje ky i dyti nuk arriti që të fitonte as në garën për president. Dy problemet madhore të basketbollit Pagesa e gjyqtarëve dhe kalimi i lojtarëve nga një klub në tjetrin janë dy problemet më të mëdha të sportit të basketbollit, shqetësim që u ngrit nga të pranishmit. Shefi i klubit "Vllaznia", Gëzim Mema, u shpreh: "Pagesa e gjyqtarëve nga ana e klubeve është në kundërshtim me ligjet e shtetit, ndaj duhet rishikuar kjo çështje. Kryesia apo asambleja duhet të marrë vendim që gjyqtarët të paguhen tërësisht nga federata." Ndërkohë, trajneri i mirënjohur Petrit Stefa, mes të tjerash, e vlerësoi tepër kërcënues nenin 7 të rregullores së brendshme, që, sipas tij, "shkel punën e bërë nga ekipet e origjinës. Ne punojmë për kryeqytetin, por po vazhdoi kështu, do të vijë një ditë që edhe kryeqyteti nuk do të ketë më basketboll, ndaj duhet ndryshuar tërësisht ky nen." Ish-presidenti Marsel Skëndo, për këto dy probleme u shpreh se do të diskutohet gjerësisht në asamblenë e jashtëzakonshme, që do të zhvillohet së shpejti, duke parë edhe ligjin e sportit. Diskutimet dalin kundër analizës Në emër të kryesisë, sekretari Andrea Troja mbajti analizën e punës 4-vjeçare të FSHB-së (2000-2004), duke shprehur anët pozitive të punës së kryer nga federata. Por kjo analizë nuk u pëlqeu shumë të pranishmëve, që më pas, gjatë diskutimeve dhe pyetjeve, nxorën në pah mjaft probleme dhe mangësi të vërejtura. Kështu, trajneri Arben Fagu shprehu shqetësimin se niveli i basketbollit është ende mjaft u ulët, ndërkohë që mungon një strategji apo politikë për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sporti. "Basketbolli në Shqipëri ka gjithashtu një nivel të ulët organizimi dhe për këtë mjafton të shihni se çfarë hopi ka ky sport në Kosovë vetëm në 5 vjet," - tha Fagu. Edhe trajneri Petrit Stefa, Ilia Toska, Artan Kuqo etj., evidentuan punën e pakët të kryer me ekipet e moshave, ndërsa Avni Ponari shkoi edhe më tej, duke thënë: "Ka ardhur koha që të bëhen dallime midis basketbollit profesionist dhe lëvizjes masive. Nuk ka asnjë stimul për ekipet fituese, çka është e papranueshme, ndërkohë që ekipi kombëtar nuk ka një sponsor të tijin. Gjatë kësaj periudhe kam vënë re kontradikta midis ekzekutivit dhe kryesisë dhe ai që e pëson është basketbolli." Në këtë kuadër ishin edhe diskutimet e Shefqet Bekteshit, qe ngriti disa probleme të kolegjiumit të gjyqtarëve, Feti Borovës, Gëzim Memës etj. Zgjedhjet dhe bojkoti i Ponarit Në garën për president, Dritan Çelaj mori 25 vota, Kostandin Shkurti 17 vota dhe Vaso Shaka 6 të tilla (2 dolën të pavlefshme), ndërkohë që votuan 50 delegatë, nga 60. Para fillimit të votimit, të tre kandidatët folën për të pranishmit dhe dhanë alternativat e premtimet e tyre, ku pa dyshim deklarata e presidentit të ri bëri mjaft bujë. Çelaj deklaroi se është gati të firmosë me FSHB-në për një shumë prej 100 mijë dollarësh në ndihmë të basketbollit si dhe mbështetje në pagat e trajnerëve dhe sportistëve. Kjo deklaratë duket se "u mbushi mendjen të lëkundurve" se për cilin të votonin. Votimi për anëtarë kryesie (votuan 48 veta) nisi menjëherë me një "boom", pasi ishte Avni Ponari ai që deklaroi se i kanë dhënë një letër, duke i thënë se për kë të votonte. Kjo solli irritimin e drejtë të tij për thyerjen e rregullave, por kjo duket se nuk u mor shumë parasysh dhe zgjedhjet vazhduan normalisht, duke u përcaktuar kryesia e re. Ndërkohë, presidenti i Valbonës, Ponari, u largua nga salla duke deklaruar se nuk ka më punë me sportin e basketbollit.

Posted: Mon, 20 Dec 2004 , 16:31
by Kuq3Blu
Gruda: Kombëtarja të luajë edhe në Kosovë


Trajneri shqiptar shpreh dëshirën që ndeshjet e kombëtares të zhvillohen në Kosovë, ku tifozeria është më e madhe. "Nuk e di se sa mund të realizohej kjo, por do të kisha dëshirë që ndeshjet e kombëtares të zhvilloheshin në Kosovë. Opinioni në Shqipëri nuk është aq entuziast për basketbollin siç ndodh në Kosovë," - deklaroi Gruda

Posted: Mon, 20 Dec 2004 , 16:37
by Kuq3Blu
Agim Gruda: Do të kandidoj për kombëtaren



Agim Gruda, ish-trajneri i skuadrës së Yllit në Kosovë, paralajmëron se do të kandidojë për postin e trajnerit të kombëtares shqiptare të basketbollit për meshkuj. Trajneri me licensën e Serisë A në Itali mendon se mund të bëjë një punë të mirë me ekipin kombëtar të basketbollit. Aktualisht, kombëtarja është pa trajner pas dorëheqjes së Roland Avramit, i cili u shpreh se nuk dëshiron të rikandidojë për këtë post. Ndërsa Gruda, në një intervistë për një të përditshme kosovare, është shprehur se është gati për ekipin kuqezi. "Kam vendosur të kandidoj për postin e trajnerit të kombëtares së meshkujve, pasi mendoj se mund të bëj gjëra të mira. Shqipëria mund të bëjë më shumë se atë që bëri në tri ndeshjet e zhvilluara për kualifikimet e kampionatit europian në muajin shtator, ndeshje të cilat edhe mund të ishin fituar. Ka shumë gjëra që mund të bëhen më mirë dhe unë jam i gatshëm t'i bëj ato, - u shpreh Agim Gruda, i cili më tej shton: - Javën e ardhshme (këtë javë) do të udhëtoj në Shqipëri dhe do të dorëzoj me shkrim në Federatën Shqiptare të Basketbollit kandidaturën time për trajner të ekipit kombëtar. Se si do të rrjedhin punët më vonë, nuk e di. Gjithsesi, unë do të tentoj për këtë post," - ka deklaruar Gruda në intervistën e tij. Agim Gruda tashmë ka një vizion të tijin se si do të duhet të jetë kombëtarja e basketbollit. Përveç disa lojtarëve aktualë, ai përmend edhe emra të tjerë, që mendon se do të duhej t'u jepej rasti për të qenë pjesë e ekipit kombëtar. Më tej, ai shton: "Më intereson shumë Agron Ivezaj, që luan në Greqi, për të cilin ekipi kombëtar ka shumë nevojë. Madje në kontaktet që kam pasur me të edhe ai është shprehur shumë i interesuar për të luajtur me kombëtaren, - thotë Gruda, i cili shton se ideja e tij është që në kombëtare të përfshihen të gjithë lojtarët shqiptarë. - Duhet t'u hapen dyert të gjithë lojtarëve shqiptarë, madje edhe atyre që luajnë jashtë Shqipërisë. Janë disa të tillë, si Bruno Daliu, Antoni Drejaj, Fitim Troni etj., të cilëve u duhet dhënë mundësia për të shfaqur vlerat e tyre dhe për të parë nëse vlejnë për ekipin kombëtar," - tha Gruda në përfundim të deklaratës së tij, ku shprehet se do të kandidojë për postin e trajnerit të ekipit kombëtar në basketboll për meshkuj. Gruda në Kosovë ka ardhur me ftesën e klubit Universiteti e më pas është angazhuar me skuadrën e Yllit. Ai posedon licensë për të stërvitur ekipet e Serisë A, ndërsa në Itali ka drejtuar disa skuadra të kategorisë B1.

Posted: Tue, 22 Feb 2005 , 14:56
by vllaznia1919
Gjirokastra nderon figurat e basketbollit

Edhe pse çmimet e mëdha dhe të vetmet në sport Gjirokastrës ia dhanë "legjionaret", pra lojtaret e huaja, ajo u tregua ksenofobe dhe nuk i dha asnjërës prej tyre një çmim. Të dielën, në qendrën kulturore "Flora" të Gjirokastrës, u zhvillua një veprimtari që u dedikohej sukseseve të arrituar në tri sezonet e fundit, ku Luftëtari në të gjithë historinë e tij 75-vjeçare (50-vjeçare e basketbollit të femrave) fitoi 8 trofe, midis tyre 3 tituj kampion kombëtar. Kryetari i qarkut të Gjirokastrës i dha ish-presidentit të Luftëtarit, Grigor Tavo, titullin "Krenaria e Qarkut", ndërsa sekretarit të klubit, Ilia Kuro, iu dha titulli "Veprimtar i shquar në fushën e sporteve". Gjithashtu, titulli "Krenaria e Qarkut" iu dha edhe ish-trajnerit Spiro Kuvarati, ashtu sikurse edhe ish-basketbollistes së mirënjohur Suzana Sinoimeri. Këta janë pikërisht presidenti-sponsor i tri sezoneve, menaxheri i klubit, trajneri i titullit të parë në sezonin 2001?2002 si dhe kapitenia dhe lojtarja e po këtij titulli të parë. Në këtë veprimtari ka qenë i pranishëm edhe Stavri Bello, sekretar i përgjithshëm i KOKSH-it, dhe sekretari i FSHB-së, Andrea Troja, të cilët përkatësisht i kanë dhëne kupën Tavos e diplomë Kuros e mjaft personaliteteve të tjera. Në këtë veprimtari kanë asistuar deputetët Vangjel Tavo dhe Stefan Çipa si dhe prefekti i Gjirokastrës, Anesti Deçka. Emocionante ka qenë pjesëmarrja e legjendës së basketbollit shqiptar Edra Alibegaj, motrës së saj Mirza Alibegaj (luajti dy sezone me Luftëtarin) dhe Brikena Çakiçit (luajti tri sezone). I ftuar ishte edhe trajneri i sezonit të fundit, Thoma Kuçi, si dhe mjeku i skuadrës, Bitri. Gjithashtu, gjatë veprimtarisë është prezantuar në mënyrë narrative edhe libri i autorit të këtij shkrimi, "Tetë trofe në tre sezone". Atmosfera që krijioi Ilir Lluri dhe Ëngjellush Serjani, përkatësisht drejtuesit e stacionit televiziv "Antena Jug" dhe gazetës "Dita Jug" ishte mjaft e këndshme. Por në antitezë të thellë me atë që u festua është ecuria e ekipit aktual të basketbollit të femrave të Luftëtarit, që regjistroi të shtunën humbjen e 12-të radhazi (një në Superkupë) dhe po bën një pikiatë drejt kategorisë së dytë. Ndërkaq, për sa u përket vlerësimeve, gjirokastritët u treguan "kurrnacë", pasi mund dhe duhet të vlerësoheshin edhe basketbolliste të tjera tiranase, vlonjate dhe bullgare për ato lavdi që u arritën.

Posted: Wed, 16 Mar 2005 , 14:23
by vllaznia1919
Zhvillohen takimet e javës së 23-të

Të premten dhe të shtunën do të zhvillohen ndeshjet e kampionatit kombëtar të basketbollit për grupin A dhe B meshkuj dhe femra. Në grupin A për meshkuj, në javën e 23-të të tij do të takohen në Tiranë: EDS-Studenti, Valbona-Partizani dhe Dinamo-Vllaznia, ndërsa në Korçë do të takohen Skënderbeu-Tirana. Ndërsa, në grupin A për femra do të takohen: Tirana-Flamurtari në Tiranë, Skënderbeu-Studenti në Korçë dhe Luftëtari-Elbasani në Gjirokastër. Në grupin B meshkuj do të takohen Pogradeci-Teuta, Elbasani-Shkodra Basket dhe Apolonia-Flamurtari. Në grupin B femra do të takohen: Partizani-DHL dhe Mati-Apolonia.

Posted: Mon, 21 Mar 2005 , 14:11
by vllaznia1919
Dinamo merr hakun ndaj shkodranëve

Dinamo në basketboll për meshkuj ka triumfuar dje ndaj Vllaznisë, duke fituar me rezultatin e thellë 93-46 dhe duke marrë hakun e humbjes së fazës së tretë në Shkodër. Një sfidë e komanduar dhe e udhëhequr gjatë gjithë kohës nga blutë, që veçanërisht në pjesën e dytë treguan potencialin e vërtetë të tyre. Vllaznia luajti dobët dhe nuk pati shumë mundësi që të depërtonte në zonën dinamovite, duke mos hyrë për asnjë çast në rrjedhën e lojës. Ndërsa Dinamo luajti shpejt dhe me efikasitet, gaboi pak, madje dhuroi edhe spektakël në fushë. Rezultati i thellë u dha mundësi të dy trajnerëve të aktivizojnë të gjithë lojtarët në dispozicion. Te Dinamo dje mungoi kapiteni Mema, vendin e të cilit e zuri amerikani Demon Arnete në debutimin e tij në kampionatin shqiptar, ku shënoi 19 pikë. Shënuesi më i mirë i ndeshjes ishte Mitku, me 28 pikë, ndërsa për Vllazninë, Nexhimi realizoi 13 pikë.

Posted: Thu, 24 Mar 2005 , 14:52
by vllaznia1919
Osmani: Për Vllazninë ka mbaruar kampionati

Rezultatet e fundit të Vllaznisë në basketboll për meshkuj kanë qenë vërtet zhgënjyese. Humbjet kanë shoqëruar njëra?tjetrën dhe kuptohet që ato nuk lënë një shije të mirë. Trajneri i skuadrës shkodrane, i mirënjohuri Petrit Osmani, nuk mendon se është bërë "kiameti" që Vllaznia doli shpejt nga pretendimet e saj. Kanë qenë disa rrethana që kanë çuar në këtë gjendje, megjithatë edhe kjo e ka një të mirë. Të paktën do të fitohen disa djem të rinj, të cilët do të jenë një garanci për të ardhmen. Humbjet e fundit kanë bërë që shkodranët të renditen në vendin e gjashtë dhe objektivi i mbetur është ruajtja e këtij pozicioni. "Kampionati për ne ka mbaruar tashmë. Atëherë kur mendonim të kapnim ndonjë fitore ndaj rivalëve direktë erdhi dëmtimi i Nexhimit e më pas i Halilit. Pa këta dy titullarë, natyrisht që skuadra e ka të vështirë të luajë, prandaj erdhën edhe humbjet, duke na nxjerrë jashtë pretendimeve të play?off?it. Megjithatë, ne do ta respektojmë kampionatin deri në fund për të bërë maksimumin e mundshëm dhe për të grumbulluar sa më shumë pikë,"thotë trajneri Osmani. Vllaznia e ka nisur kampionatin me shumë pretendime dhe, pa kaluar shumë nga nisja e tij, me ekipin janë bashkuar edhe dy malazezët Obradoviç dhe Stevoviç. Por pa kaluar shumë kohë, është vërejtur se ata nuk kanë sjellë ndonjë progres të madh në skuadrën shkodrane. Për këtë qëllim, por duke u nisur edhe nga pagesat e larta që ata kishin, u vendos që ata të largohen. Trajneri Osmani nuk ndihet keq për këtë vendim të marrë e që ndoshta ka ndikuar edhe në rezultatet e Vllaznisë. Prandaj ai do të shprehej: "Nuk ndihem keq që kemi marrë vendimin për largimin e malazezëve. Me ta vërtet mund të kishim qenë më lart në renditje, por të mos harrojmë se ata paguheshin shumë e nuk kishin ndonjë rendiment të lartë. Më mirë ia vlen të punosh me të rinjtë, të cilët i fiton për vazhdimësinë." Kështu, sezoni i nisur si pretendent e ka gjetur Vllazninë në vendet e fundit të renditjes, por ndërkohë kanë filluar planet për atë që do të vijë në të ardhmen.

Posted: Sat, 26 Mar 2005 , 14:41
by vllaznia1919
Vllaznia mposht pa probleme Skënderbeun

Vllaznia - Skënderbeu 97-60 (30-10, 17-23, 24-14, 26-13) VLLAZNIA: Halili, Bërdica, Nexhimi, Myselimi, Zusi, Omi, Dibra, Taraboshi, Tevia, E. Llazani. Trajner: P. Osmani SKËNDERBEU: Note, Nika, Zhurka, Dino, Vani, Andoni, Kurtiqi, Lako, Maxhe, Lena. Trajner: Dh. Kacori Gjyqtarë: E. Bozdo, A. Shundi Vllaznia ka fituar pa probleme dje ndaj Skënderbeut në basketboll për meshkuj me shifrat 90-67, duke u rikthyer te fitorja pas disa javësh humbje. Një sukses i lehtë dhe i merituar i skuadrës së trajnerit Osmani, që gjatë gjithë kohës ka qenë në epërsi, duke e komanduar lojën. Korçarët vetëm në periodën e dytë arritën të luajnë mirë, duke shënuar më shumë se kundërshtari i tyre, pasi në pjesën tjetër të takimit kanë qenë gjithnjë nën diktatin e vendasve. Shifrat e periodës së parë, 30-10 për Vllazninë, flasin qartë për ecurinë e mëtejshme të lojës, e cila ka folur gjithnjë për shkodranët. Pjesa e parë përfundon 47-33 për Vllazninë, që e thellon edhe më tej diferencën në pjesën e dytë, duke fituar krejt ndeshjen 97-60. Vllaznia ruan vendin e gjashtë në renditje, ndërsa Skënderbeu ndodhet në atë të fundit.

Posted: Wed, 30 Mar 2005 , 14:05
by vllaznia1919
Refik Vorfa: Shkodra Basket, një fitore për perspektivën

Të shtunën e kaluar ekipi i Shkodra Basket për meshkuj ka arritur, më në fund, fitoren e tij të parë në kampionat. "Viktima" e saj ka qenë skuadra e Pogradecit. Ndonëse me rezultatin e ngushtë, 68-65, kjo fitore gjithsesi ka patur vlerën e saj. Trajneri i këtij ekipi, Refik Vorfa, e konsideron deri diku të rëndësishme këtë fitore dhe kjo për disa arsye. "Ishte e para fitore për ne në këtë kampionat, ku jemi debutues, dhe si rrjedhojë ajo pati kënaqësinë e saj. Kjo për disa arsye: së pari, sepse është një kënaqësi, sado e vogël, për këta sportistë të rinj që e duan këtë sport. Së dyti, kjo fitore vlen për t'u treguar ekipeve të tjera apo dhe gjyqtarëve se Shkodra Basket di të fitojë. Kjo, për faktin se në ndeshjet e deritanishme kemi qenë 2-3 herë pranë fitores, por ajo na është mohuar pikërisht nga ky fakt,"shprehet trajneri Refik Vorfa. Por a ia vlen një sezon i tërë vetëm për një fitore? Trajneri i ekipit privat të Shkodra Basket, Refik Vorfa, mendon se po, duke dhënë edhe arsyet pse mendon kështu kur thotë: "Krijimi i ekipit të të rriturve gjithnjë është bërë me dëshirën e mirë për të bërë diçka që do t'i rezistonte kohës. Objetivi ynë nuk ishte të fitonim shumë ndeshje, sepse e tillë është edhe skuadra që kam në dispozicion. Megjithatë, me një qendër të mirë ju siguroj se edhe paraqitja jonë do të kishte qenë krejt ndryshe këtë sezon. Të paktën nuk do kishim humbur asnjë ndeshje në Shkodër. Por e përsëris, ne gjithnjë presim që një dashamirës i këtij sporti të afrohet për të na sponsorizuar dhe nëse ndodh kjo atëherë ju siguroj se vitin tjetër Shkodra Basket do ta thotë fjalën e vet ashtu si duhet në basketbollin shqiptar," - përfundon trajneri shkodran Refik Vorfa.

Posted: Tue, 03 May 2005 , 11:15
by kristian
Volejboll-Meshkuj. Shqiperia fiton Izraelit dhe renditet e dyta


Kombetarja e Shqiperise ne volejboll per meshkuj ka fituar edhe ndeshjen e trete te eliminatoreve te kampionatit boteror "Japoni 2006", duke mposhtur 3-1 Izraelin. Kjo fitore, e dyta ne kete turne, e rendit Shqiperine ne vendin e dyte ne grup, pas Estonise. Ndaj Izraelit, kombetarja jone fitoi setin e pare 25-21, humbi te dytin, 20-25 dhe fitoi te tretin 25-17 e te katertin 28-26. Ne tri ndeshje, kombetarja kuqezi arriti dy fitore dhe nje humbje, duke u renditur e dyta por pa mundur qe te kualifikohet ne turin e dyte.

Posted: Tue, 03 May 2005 , 11:16
by kristian
Basketboll-Femra. Te henen ndeshjet e para te play-off-it

Diten e hene do te nisin ndeshjet e play-off-it dhe play-out-it ne sportin e basketbollit, me takimet e femrave. Ndersa meshkujt do t'i zhvillojne ndeshjet e tyre diten e marte. Keto jane ndeshjet e para, nderkohe qe pas tri ditesh do te luhen ndeshjet e kthimit.

Posted: Thu, 19 May 2005 , 14:00
by vllaznia1919
Gjyqtarët: FSHB na mbro, ose bojkot!

Kolegjiumi Kombëtar i Gjyqtarëve të Basketbollit ka lëshuar dje një deklaratë, ku kërkon mbrojtjen e këtij institucioni dhe të drejtave të tyre nga fyerjet e shumta që trajnerët, sportistët dhe klubet kanë bërë në adresë të tyre në ndeshjet e fundit. "Kolegjiumi Kombëtar i Gjyqtarëve të Basketbollit proteston kundër deklaratave të vazhdueshme dhe të pabazuara të klubeve sportive, pasi ato janë të formuluara nga njerëz të njëanshëm dhe "tifozë" të skuadrave të tyre. Ndaj SHKGJB-ja kërkon nga Federata e Basketbollit që të mbajë qëndrim, duke u pozicionuar në rolin që asaj i takon për të mbrojtur gjyqtarët, të cilët në bluzën e tyre kanë siglën e kësaj federate. Në rast se FSHB-ja nuk del të mbrojë në mënyrë zyrtare gjyqtarët, që po bien pre e fyerjeve të vazhdueshme dhe ordinere, ajo rrezikon zhvillimin e mëtejshëm të play-off-it. Ne nuk mund të lejojmë që për të vendosur drejtësi në një sport, që në këtë rast e ka emrin basketboll, të nëpërkëmbemi në mjediset sportive apo media," - ka qenë deklarata e lëshuar dje nga Kolegjiumi Kombëtar i Gjyqtarëve të Basketbollit. Kjo është hera e dytë brenda pak muajsh që gjyqtarët e basketbollit deklarojnë se mund të bojktojnë kampionatin, por gjithçka u zgjidh pas marrëveshjes me FSHB-në. Madje, një nga pikat e marrëveshjes ka qenë sigurimi dhe mbrojtja e figurës së gjyqtarit nga FSHB-ja dhe klubet sportive.

Posted: Wed, 25 May 2005 , 14:02
by vllaznia1919
Dinamo fiton finalen e tretë dhe shtyn festën

Një kosh për tri pikë i Saliagës në 7 sekondat e fundit të lojës i ka dhuruar mbrëmë Dinamos në basketboll për meshkuj fitoren në finalen e tretë të play-off-it, me shifrat e ngushta 67-66 ndaj Valbonës. Një sfidë mjaft e bukur, që ndryshe nga dy të parat, përfundoi me fitoren e bluve, që këtë herë u treguan të saktë në gjuajtjen e fundit, aty ku kishin gabuar disa herë në ndeshjet paraardhëse. Valbona pësoi dje humbjen e parë në një finale play-off-i në tri vitet e fundit, por gjithsesi është ende në epërsi të dy fitoreve karshi një të bluve. Basketbollistët dinamovitë dje luajtën më të qetë, ndoshta të vetëdijshëm se nuk kishin se ç'të humbnin dhe ndoshta ishte kjo arma e tyre gjatë gjithë ndeshjes. Kjo bëri që ata të mos e humbisnin kontrollin e lojës, duke mos e lënë kundërshtarin që të shkëputej (diferenca më e madhe 6 pikë për Valbonën, 64-58 ). Ndërsa skuadra kampione e Valbonës, ndoshta "nxitoi" disi më shumë për të shkuar te fitorja dhe kjo ndikoi negativisht, duke gabuar në disa raste dhe duke mos arritur që të ngrejë lart kupën. Gjithsesi, gjithçka është ende e hapur dhe të premten do të luhet finalja e katërt mes tyre.
Ndeshja nisi që në fillim spektakolare, me një kosh të bukur nga lart të Memës, kosh i cili do të pasohej edhe nga ata të Shimës, Byberit e Bilalit. Valbona vihet menjëherë në kontroll të lojës, mbështetur edhe tifozeria e zjarrtë e saj, duke u shkëputur 8-3, çast kur Gjeli ndëshkohet me teknike për protesta. Dinamo e ngushton disa herë diferencën por pa mundur që të barazojë dhe perioda e parë përfundon 19-15 për Valbonën. Në periodën e dytë trajneri Çarçani merr menjëherë një teknike për protesta, ndërkohë që ndeshja hyn në faza interesante dhe, pas një këmbënguljeje të gjatë, Dinamo del për herë të parë në epërsi 31-32. Këtë diferencë blutë e ruajnë deri në fund të pjesës së parë, duke udhëhequr 33-34. Pjesa e dytë nis mirë për Dinamo, që shkëputet 8 pikë, 36-44, por në këto çaste "zgjohet" Bilali (shënuesi më i mirë me 23 pikë), që shënon 2 tripikësha radhazi. Gjithsesi, Valbona nuk arrin asnjëherë të barazojë dhe perioda e tretë mbyllet sërish me epërsinë e ngushtë të një pike për Dinamon, 53-54. Në këtë periodë dëmtohet organizatori Gjeli, që nuk aktivizohet më deri në fund. Por Valbona e nis mirë 10-minutëshin e fundit, duke marrë menjëherë komandën dhe krijuar një epërsi të lehtë 59-54, çast kur Saiti del me 5 personale. Valbona nuk arrin të shkëputet, ndërkohë që Mema e Kacori shënojnë disa pikë radhazi dhe diferenca ngushtohet në 64-63 për kampionët dhe nga fusha del Mitku me 5 personale. Koha kalon dhe në rezultatin 66-65 për skuadrën tropojane (16 sekonda lojë) janë blutë që kanë shasin për të shënuar me 2 personale të Kacorit, por emocionet bëjnë të tyren dhe korçari nuk realizon asnjë. Nga krahu tjetër, Bilali realizon vetëm 1 nga dy gjuajtjet e lira dhe 67-65 për Valbonën, ndërkohë që duhen edhe 15 sekonda lojë. Pushimi i Çarçanit jep efekte, teksa aksioni nxjerr të lirë Saliagën, që gjuan nga distanca dhe realizon, 67-68 për blutë, ndërkohë që duhen edhe 7 sekonda lojë. Basketbollistët e Valbonës nxitohen në aksionin e tyre, humbasin topin dhe këtu mbaron gjithçka, mes festës së dinamovitëve që pas dy ditësh kanë detyrën e vështirë për të përmbysur avantazhin e Valbonës. Një tjetër sfidë që premton spektakël, emocione dhe rivalitet, në një pallat sporti dje të mbushur plot me sportdashës të të dyja tifozerive.


Thanë pas ndeshjes
Korab Llazani, drejtor teknik i Valbonës: "Ky është sporti i basketbollit, qëllon që të humbasësh edhe në sekondën e fundit siç na ndodhi ne sot (dje), por asgjë nuk është e humbur. Gjithsesi, ishte një ndeshje e fortë, me mjaft rivalitet, mes dy ekipesh rivale që treguan se janë skuadrat më të mira aktualisht. Shpresojmë që të fitojmë finalen e katërt."
Eduart Çarçani, trajner i Dinamos: "Iu afruam dy herë fitores dhe tashmë ajo na buzëqeshi në finalen e tretë, ndonëse u luajt një ndeshje e bukur dhe me rivalitet. Shpresoj që të jetë fitorja e kthesës, megjithëse ishte një ndeshje e vështirë, pasi vinim pas dy humbjesh. Kam besim te skuadra, në shpirtin e saj të garës dhe dëshirën për fitore, të cilën e tregoi edhe sot (dje)."

Të veçanta
Dje, për herë të parë, zbriti në parket gjyqtari ndërkombëtar Shefqet Bekteshi, që pa aksidentit ku humbi jetën mjeshtri i madh i koshit Feti Borova.
Kupa e skuadrës kampione që u nxorr gjatë periodës së katërt të ndeshjes u "fsheh" poshtë tavolinës së gjyqtarisë, pasi Valbona nuk arriti që të fitonte.

Posted: Wed, 27 Jul 2005 , 14:03
by vllaznia1919
Basketbollisti shqiptar që luan në Amerikë, Bruno Daliu, nuk ka luajtur në ndeshjen e fundit të turneut për shkak të një dëmtimi që ka pësuar në atë turne. Gjithsesi, kjo nuk e ka penguar atë që të jetë i pari në mesataren e pikëve të realizuara për ndeshje, ndonëse ai ka zhvilluar një takim më parë se kolegët e tij të skuadrës dhe i teti në renditjen e përgjithshme.
Shqipëria, e parafundit në pikët për ndeshje
Sipas statistikave të Kampionatit Europian, kombëtarja shqiptare renditet e 11-ta (e parafundit) në Divizionin B për mesataren e pikëve të realizuara në një ndeshje. 69.9 pikë për ndeshje është mesatarja e kuqezinjve në këtë turne, ku ndeshja që kombëtarja jonë ka shënuar më shumë pikë është ajo ndaj Islandës, 95 pikë, dhe më pak ajo ndaj Portugalisë, 57 pikë.
Kombëtarja, në Bullgari edhe mes polemikave
Turneu europian i kombëtares shqiptare U-20, është shoqëruar edhe me disa polemika, si nga ana e basketbollistëve, ashtu dhe nga disa anëtarë të kryesisë që merrnin pjesë. Ndonëse gjithçka (të paktën për momentin) ka kaluar në heshtje me motivacionin "debatet janë për të mirën e basketbollit shqiptar", duket se jo çdo gjë ka ecur ashtu si duhet.

Posted: Thu, 04 Aug 2005 , 13:34
by vllaznia1919
Kombëtarja, të shtunën nis faza përgatitore

Janë zgjidhur përfundimisht enigmat e grumbullimit të ekipit tonë kombëtar në basketboll për meshkuj, që në fillim të muajit shtator do të zhvillojë tri ndeshjet e kthimit të eliminatoreve të Kampionatit Europian. Faza përgatitore e ekipit tonë kombëtar do të fillojë më 6 gusht, ajo do të zhvillohet në qytetin e Durrësit dhe stërvitja do të kryhet në pallatin e sportit "Ramazan Njala", falë mbështetjes që ka dhënë shefja e klubit "Teuta", duke vënë në dispozicion ambientet për trajnim. Por një ditë më parë, më 5 gusht, të gjithë basketbollistët e seleksionuar për këtë fazë përgatitore do të zhvillojnë testimet mjekësore pranë specialistëve të Qendrës Kërkimore Shkencore të Sportit dhe një ditë më vonë do të nisen drejt Durrësit. Lëvizja me autobus (24 orë në dispozicion të kombëtares) do të kryhet falë mbështetjes së dhënë nga Agjencia e Shërbimit të Sportit.
Në këtë fazë të parë seleksionuese të kombëtares do të jenë 21 basketbollistë të grumbulluar nga trajnerët Korab Llazani dhe Eduard Çarçani, ku, përveç atyre që aktivizohen në kampionatin shqiptar, janë thirrur edhe ata që luajnë në Kosovë (listës së treshes Shaptahu-Miftari-Azemi i shtohet Ersid Luca), Amerikë dhe Itali. Më pas, pritet që numri i të grumbulluarve të reduktohet në 15, për të seleksionuar më pas 12-shen përfundimtare. Një grup djemsh kryesisht të rinj, që premtojnë shumë për të ardhmen e që mund të sjellin një ndryshim pozitiv në këtë kombëtare. Stërvitja do të kryhet dy herë në ditë, paradite 10-12 dhe në mbrëmje 20.30-22-30, ndërkohë që akomodimi do të kryhet në mjediset e hotelit "Belinda". Pranë grupit të kombëtares do të qëndrojë edhe një mjek, Gjergji Kokoneci, dhe një masazhator.
Por informacionet më interesante të kombëtares vijnë për një ndeshjeje miqësore që kuqezinjtë do të zhvillojnë më 23 gusht ndaj një ekipi amerikan të Ligës NCA. Ndonëse emri i ekipit ende nuk dihet, pritet që ai të mbërrijë në Tiranë më 22 gusht dhe një ditë më pas të zhvillohet një miqësore, në Tiranë ose në Durrës. Kjo ndeshje do të shërbejë mjaft për të parë më nga afër punën e kryer nga trajnerët e ekipit kombëtar gjatë kësaj periudhe. Kjo fazë përgatitore 1-mujore do t'u shërbejë trajnerëve Llazani e Çarçani për të kryer një stërvitje të gjithanshme me basketbollistët e grumbulluar, si nga ana fizike ashtu dhe atë teknike e taktike, për të qenë gati në ndeshjet eliminatore. Sfidën e parë kuqezinjtë do ta zhvillojnë në Minsk, më 3 shtator ndaj Bjellorusisë. Më pas, në "Asllan Rusi" do të mbërrijë Austria, më 7 shtator, ndërsa më 10 shtator kombëtarja e Shqipërisë do të udhëtojë drejt Limasolit, ku do të përballet me Qipron.

Lista paraprake e kombëtares
Basketbollistë
1. Samir Shaptahu
2. Franko Bushati
3. Reinaldo Kacori
4. Sokol Kasmi
5. Edmond Azemi
6. Klaudio Ndoja
7. Erkand Karaj
8. Afrim Bilali
9. Gerti Shima
10. Florian Miftari
11. Devis Begaj
12. Real Vorfa
13. Arvin Kotrri
14. Bruno Daliu
15. Marlin Sukaj
16. Andrea Gjinaj
17. Ermal Kapedani
18. Ersid Luca
19. Orion Garo
20. Erin Hasani
21. Alfred Byberi
Trajnerë:
Korab Llazani
Eduard Çarçani